2012-07-17 17:59:18

Koncili kishtar i Jeruzalemit


2. Koncili i Jeruzalemit
Vazhdojmë bisedën mbi historinë e Koncileve të para kishtare. Gjatë 2000 vjetëve të jetës së Kishës, katolikët njohin si koncile ekumenike kishtare vetëm 21. Kjo seri u hap me një takim, i cili ndoshta ishte më shumë se Koncil, model për të gjitha koncilet, që pasuan. Le ta quajmë Koncili zero. Nuk mblidheshin në të pasardhësit e largët të Krishtit, por vetë Apostujt e dishepujt e parë, që e kishin shoqëruar Zotin në jetën e tij tokësore. Dishepujt e Jezusit sapo kishin nisur t’ua kumtonin Ungjillin paganëve, që njiheshin me emrin goym o gojim, do të thotë ‘jo hebre”, nga e cila vjen fjala latine “ethnicus” e italishte “gentili”, kur ndërmjet tyre lindën divergjencat e para për lidhjet që duhet të kishin hebrenjtë e kthyer në fenë e krishterë, me Ligjin e Moisiut.
Në Jeruzalem, bashkësisë i printe Jakobi, i njohur me epitetin ‘i vogli’, i ndihmuar nga vetë Pjetri, që asokohe ishte në Antioki. E atje, të sapokthyerit, duhet të pranonin edhe praktikat e Ligjit të Moisiut, rrethprerjen dhe një mori rregullash, që kishin të bëjnë me kultin hebraik, si për shembull, nuk duhet të hanin mish nga flijet e tempujve paganë. Shën Pali, që predikonte pikërisht në vende pagane, nuk ishte njëmendje me këto sjellje fetare. Atëherë u vendos të organizohej një takim në Jeruzalem. Rrëfimin për këtë mbledhje e gjejmë në Veprat e Apostujve, në Kapitullin e 15-të. Përballë mbarë bashkësisë, apostujve e pleqve, që quheshin presbiterë, si dhe mbarë Kishës, Pjetri rrëfen se kishte parë me sytë e tij Shpirtin Shenjt duke zbritur pa asnjë kusht, edhe mbi paganin Kornelio.
E kjo tregonte qartë se Zoti nuk bën kurrfarë dallimi ndërmjet njerëzve e për të ndjekur Krishtin, nuk ishte aspak e nevojshme të ndiqje edhe rregullat e kultit të përcaktuar nga Ligji i Moisiut.
Pas Pjetrit, Pali e Barnaba do të dëshmonin me forcë përvojën e tyre, të ngjashme me atë të Pjetrit e do t’i bindnin të gjithë. Vetë Pali u shkruan Galatasve se Jakobi, Kefa-domethënë Pjetri, e Gjoni, shtyllat e Kishës, “duke njohur hirin, që u qe dhënë, ua shtrinë dorën e djathtë, në shenjë bashkimi vëllazëror në Krishtin”. I takoi Jakobit ta përfundonte diskutimin, me fjalët: “Ka të drejtë Pjetri, Zoti nuk bën dallim, gjithsesi është e nevojshme që të sapokthyerit në fenë e krishterë të rrinë larg mishrave të papastra, ardhur nga flijimet pagane e larg çdo imoraliteti seksual”.
Prej këndej , mesazhi solemn, drejtuar të gjitha bashkësive: “Përfunduam, pra, Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër, përmbi ato, që janë të nevojshme: të ruheni prej mishit të flijuar idhujve... dhe prej flligështisë. Bëni mirë të ruheni nga këto sende. Shëndet e të fala”.
U arrit, pra në përfundimin se, për të qenë i krishterë, nuk ishte e nevojshme të ishe më parë hebre. Përfundimi ishte i qartë, po kundërshtimet, që nisën në Qipro e Listrë, vijuan të ishin të forta. E kundërshtoi edhe vetë Pjetri, që e kishte mbështetur këtë përfundim të marrë në Jeruzalem, e pas tij, shumë të krishterë, duke kërkuar kthimin në të kaluarën e tyre hebraike. Prej këndej, edhe episodi që tregon Pali në Kapitullin II të Letrës drejtuar Galatasve. Ai shkoi te i Pari i Apostujve, që asokohe ishte në krye të bashkësisë së Antiokisë, dhe ia shprehu haptas mendimin e vet, duke e quajtur ‘apostull i të rrethprerëve’, e duke e bërë këtë, si apostull i të parrethprrëve.
Ishte çast i vështirë, në të cilin u takuan liria e krishterë, maturia njerëzore e besnikëria ndaj Krishtit, e ngjarje vendimtare për ardhmërinë e kumtit ungjillor, që asokohe e deri më sot, kur përgatitemi të kremtojmë 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit .







All the contents on this site are copyrighted ©.