Jemi në mesin e pushimeve verore, gjatë të cilave secili përpiqet të pushojë e të
mbledhë forcat për pjesën tjetër të vitit. Edhe Papa Benedikti XVI ndodhet në Kastelgandolfo,
nga ku disa herë ka thënë se pushimet janë kohë e përshtatshme për përtëritjen e trupit
por edhe të shpirtit, për kultivimin e marrëdhënieve familjare e miqësore, kohë për
t’u lutur e për t’u afruar me Zotin. Ne të ndalemi pikërisht te fjala “lutje”, në
kuptimet me të cilat është përdorur ajo në Shkrimin e Shenjtë, pra në Bibël. Së
pari pyesim pse duhet të lutemi? “Të lashtët thoshin se të lutesh do të thotë të marrësh
frymë. Që këtu shihet sa marrëzi është të flasësh për “pse”-në. Pse marr frymë? Sepse
përndryshe do të vdisja. Kështu edhe me lutjen”. Ky reflektim i filozofit danez Kirkegard
e përcakton qartë nevojën e lutjes si frymëmarrje për shpirtin. Kjo është arsyeja,
që të gjitha fetë zotërojnë një trashëgimi të pasur me lutje dhe u mësojnë besimtarëve
mënyrën si të luten, vetëm ose në bashkësi. Përveç subjektit, lutja karakterizohet
edhe nga koha e hapësira. Kështu, nga njëra anë, ka situata të ndryshme, në të cilat
ngrihet zëri për t’iu drejtuar Hyjit: gjatë festave, gjatë zisë, në lindje e në vdekje,
në dasma e në luftëra, kur jemi të ndërgjegjshëm se kemi mëkatuar e kur zhytemi në
intimitet mistik… Madje, kemi edhe kalendarin liturgjik, që përcakton kohët e shenjta
e na drejton në lutje. Nga ana tjetër, lutja e ka hapësirën e vet të privilegjuar
brenda tempullit, por nuk përjashton hapësira më intime, si ato brenda një dhome,
ose brenda shpirtit të njeriut, siç thotë edhe vetë Jezusi “mbyll pas vetes derën
e lutju Atit tënd që është në fshehtësi” (Mt 6,6). Besëlidhja e Vjetër është plot
me forma e figura lutjeje, duke filluar që nga thirrja e Evës, e cila, pasi lindi
birin e saj të parë, Kainin, tha: “Prej Zotit e fitova një njeri” (Zn 4,1). Por kulmi
arrihet me 150 psalmet, që mbulojnë krejt botën e lutjeve biblike, aq sa të bëhen
më vonë thelbi i lutjes së krishterë. Teksti kapital për të krishterët është pa dyshim
Atyna, “lutja e përsosur”, siç e quante shën Toma i Akuinit. Kjo lutje na paraqitet
përmes dy mënyrave të ndryshme, që në thelb janë të njëjta: nga shën Mateu ungjilltar
(6,9-13) dhe nga shën Luka ungjilltar (11,2-4). Dallohet nga lutjet e tjera pasi i
drejtohet Zotit me intimitet, duke e quajtur Atë e, pasi bën thirrje për ardhjen e
mbretërisë së Hyjit. Atyna pasqyron qartë dy aspekte themelore të lutjes. I pari është
ai i thurjes së lavdeve për Zotin, për veprën e Tij shëlbuese e për vullnetin e Tij;
është kremtimi i lavdisë së Hyjit dhe i dashurisë së Tij, i emrit dhe i pranisë së
Tij në historinë njerëzore. Aspekti tjetër, shumë i theksuar edhe në Librin e Psalmeve,
është ai i përgjërimit që Zoti të na mbështesë në jetën e përditshme, të na qëndrojë
afër në kohë sprove e të na lirojë nga e keqja. Figura e Krishtit paraqitet shpesh
si ai, që lutet në mënyrë të përsosur, që hyn në dialog me Atin Qiellor në vetmi,
ose që ia beson veten Atij edhe në çastet me dramatike të Mundimeve: kujtojmë këtu,
për shembull, skenën emocionuese të Gjetsemanit (Lk 22,39-46). Shën Luka ungjilltar
është shumë i kujdesshëm të nxjerrë në pah se çdo veprim i rëndësishëm në jetën publike
të Krishtit shoqërohet me lutje, ndërsa shën Gjoni ungjilltar na ka lënë lutjen madhështore
përfundimtare, që mbyll diskutimet në Darkën e Mbrame (kap. 17), me një pjesë prej
së cilës, po e mbyllim edhe këtë reflektim radiofonik të sotëm: “O Atë, arriti
koha: jepi lavdi Birit tënd që Biri të japë lavdi Ty e që me pushtet, të
cilin ia dhe mbi çdo njeri, t’u japë jetën e pasosur të gjithë atyre që ia dhe
Ti. E kjo është jeta e pasosur: që të njohin Ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë,
dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin”.