2012-07-15 17:48:09

Papa në Engjëllin e Tënzot: falë Krishtit, vepra e Kishës përparon gjithnjë.


Pasi u rikthye nga kremtimi i Meshës në qytezën e Fraskatit, Benedikti XVI e tha lutjen e Engjëllit të Tënzot të mesditës, nga selia e Kastel Gandolfos. “Vepra e Krishtit dhe e Kishës nuk njeh prapsim, por vetëm përparim”, ishte mesazhi papnor para lutjes mariane, frymëzuar nga liturgjia e sotme dhe nga kujtimi, gjithnjë sot, i Shën Bonaventurës nga Banjorexho, pasardhës i Shën Françeskut në krye të Urdhërit të Vëllezërve të Vegjël.
Kurrë mbrapa, gjithnjë përpara! Vepra shëlbuese, që solli Krishti dymijë vjet më parë ndërmjet njerëzve, mund të lexohet si ana e praptë e historisë, por nuk njeh kurrë prapsim, sepse çka është e Krishtit, është edhe përparim i vazhdueshëm. Këtë siguri Papa e mbështeti duke cituar Shën Palin i cili, në Letrën drejtuar Efezianëve, shpallur sot në të gjitha meshët, jep një sintezë të jashtëzakonshme, në katër fragmente, të planit të bekimit, që Zoti reshi mbi njerëzimin me ardhjen e Krishtit. Në Të, shkruan Apostulli i Popujve, Hyji na zgjodhi para krijimit të botës; në Të na shpërbleu; në Të na bëri trashëgimtarë, në Të, kush beson në Ungjill, merr vulën e Shpirtit Shenjt:
“Ky himn i Shën Palit përmban vizionin e historisë që, përmes ndihmesës së Shën Bonaventurës së Banjorexhos, u përhap në mbarë Kishën: e gjithë historia ka në qendër Krishtin, i cili garanton edhe risinë e përtëritjen në çdo epokë. Në Jezusin, theksoi Apostulli, na jepet gjithçka, por me që Ai është thesar i pashterrshëm, Shpirti Shenjt nuk pushon kurrë s’e zbuluari e s’e aktualizuari misterin e Tij. Prej këndej, vepra e Kishës nuk zmbrapset kurrë, por përparon gjithnjë”.
Ky vizion i Krishtit, si qendër frymëzuese e historisë, është në bazë edhe të teologjisë së Shën Bonaventurës nga Banjorexho, të cilin Kisha e kremton më 15 korrik. Ishte Shën Bonaventura, kujtoi Benedikti XVI në fillim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, që pas vdekjes së Shën Françeskut i zu vendin në krye të vëllezërve; e ishte gjithnjë ai, që realizoi jetëshkrimin e parë të Varfanjakut të Asizit, e po ai që, në vitet e fundit të jetës qe ipeshkëv në dioqezën e Albanos, ku bën pjesë edhe Kastel Gandolfo:
Në një nga letrat e tij, Bonaventura shkruan: ‘Rrëfej përpara Zotit se arsyeja që më bëri ta dua gjithnjë më shumë jetën e Shën Françeskut të Asizit, është se ajo i ngjet shumë fillesës dhe rritjes së Kishës. Françesku i Asizit, pas kthesës së madhe, e vuri në jetë këtë Ungjill fjalë për fjalë, duke u bërë dëshmitar tejet besnik i Jezusit; e, duke u bashkuar në mënyrë të pashembullt me misterin e Kryqit, u shndërrua në një Krisht tjetër, siç na e paraqet pikërisht Shën Bonaventura”.
Gjatë përshëndetjeve, drejtuar grupeve të mbledhura në oborrin e Pallatit Apostolik, Papa, duke kujtuar edhe një tjetër festë liturgjike, atë të Zojës së Karmelit, që do të kremtohet nesër, nënvizoi, në gjuhën polake, se Zoja Karmë njihet edhe si ‘Zoja e skapolarit’, e shtoi:
“Si shenjë e lëshimit të plotë në duart e saj, skapolarin e mbante dhe e nderonte shumë i lumi Gjon Pali II. Të gjithë bashkatdhetarëve, në Poloni, në botë e ju, që jeni të pranishëm këtu, në Kastel Gandolfo, ju uroj që Maria, më e mira ndërmjet të gjitha nënave, t’ju mbështjellë me mantelin e saj në luftën kundër së keqes, të ndërmjetësojë për të nxjerrë hiret, që kërkoni në lutje e t’ju tregojë rrugët që çojnë kah Zoti".







All the contents on this site are copyrighted ©.