2012-07-15 18:03:33

Papa: Koncili II Vatikanit ka një pasuria të madhe për breznitë e ardhshme të krishtera.


“Dokumentet e Koncilit të II Kishtar Ekumenik të Vatikanit përmbajnë një pasuri tejet të madhe për formimin e breznive të reja të krishtera”. Ky është mesazhi i fortë i Papës Benediktit XVI gjatë kremtimit të Meshës së Shenjtë në Frascati, sot paradite. “Edhe këtu – tha Ati i Shenjtë Ratcinger – ka nevojë për një ungjillëzim të ri, e për këtë arsye ju propozoj ta jetoni në mënyrë intensive Vitin e Fesë që do të fillojë në tetor të ardhshëm, në 50 vjetorin e hapjes së Koncilit të II Ekumenik të Vatikanit”.
“Me ndihmën e meshtarëve e të katekistëve – tha Benedikti XVI – rilexoni, thelloni, e orvateni t’i zbatoni konkretisht mësimet dhe udhëzimet e këtij Koncilit në famullitë kishtare, në shoqata e në lëvizje” të ndryshme kishtare.
“Dokumentet e Koncilit përmbajnë një pasuri të pamasë për formimin e breznive të reja të krishtera, për formimin e ndërgjegjes sonë. Prandaj, lexojini, lexojeni Katekizmin e Kishës Katolike, e kështu do rizbuloni sa gjë e bukur është të jesh i krishterë, të jesh Kishë, të jetosh atë 'ne' të madhe, që Jezusi formoi rreth vetes, për të ungjillëzuar botën: 'ne' të Kishës, që nuk mbyllet kurrë, që është gjithnjë e hapur, për t’ua kumtuar Ungjillin të gjithëve”.

Mbi përgjegjësinë e laikëve – kujtoi së fundit Papa – pati ngulur këmbë edhe Shërbëtori i Zotit Papa Pali VI kur erdhi këtu në Frascati më 1 shtator 1963, kur tha se ajo nuk vjen ‘vetëm nga nevoja e zgjatjes së krahëve (duarve) të meshtarit, i cili nuk mbërrin tek të gjitha mjediset e nuk arrin t’i bëjë ballë të gjitha punëve të mundimshme. Ajo vjen nga një diçka shumë e thellë e më thelbësore, nga fakti që, edhe laiku është i krishterë”. “Të gjithë – përfundoi Benedikti XVI – jemi përgjegjës, të gjithë jemi bashkëpërgjegjës. Zoti i thërret të gjithë njerëzit, duke i ndarë dhuratat për detyra të ndryshme në Kishë. Ai thërret në udhën e meshtarisë e të jetës së shuguruar, e thërret në martesë e në angazhim si laikë në të njëjtën Kishë si dhe në shoqëri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.