Nga veprimtaria javore e Papës, Selisë së Shenjtë e Kishës në botë
Të martën e kaluar Selia e Shenjtë dënoi, me një notë zyrtare, shugurimin ipeshkvnor
të paligjshëm të të nderuarit Jozef Zhu Fusheng, në Harbing të Kinës, më 6 korrikun
e kaluar. I shuguruar pa mandat papnor, i nderuari Zhu Fusheng shkishërohet automatikisht,
siç parashikohet në Kodin e së Drejtës Kanonike.
“Ungjilli është gjallëri e
gëzim”. Kështu u shpreh Benedikti XVI të hënën e kaluar, duke vizituar shtëpinë
e verbitëve në Nemi, ku qe përbujtur gjatë zhvillimit të punimeve të Koncilit
II të Vatikanit. Një gjysëm ore, jo më shumë, për t’u kthyer në viset ku, 47 vjet
më parë, jetoi një përvojë të jashtëzakonshme, atë të Koncilit. Me këtë ndjet, Benedikti
XVI u largua, të hënën e kaluar, nga Pallati Apostolik i Kastel Gandolfos, për të
kryer një vizitë private në gjirin e bashkësisë së Etërve verbitë të Nemit. Përballë
grupit të madh të rregulltarëve të Shoqërisë së Fjalës Hyjnore, Papa kujtoi përvojën
e tij nga koha e Koncilit, duke theksuar: “Gjithçka drejtohej nga dinamizmi
i nevojës për ta çuar në botë dritën e Fjalës së Zotit, Dritën e dashurisë së Zotit,
e për ta kumtuar me një gëzim gjithnjë të ri Lajmin e mirë. E mira ka nevojë të dalë,
të komunikohet, nuk mund të mbyllet në vetvete; gjëja e mirë, mirësia vetë, është
thellësisht komunikative. E kjo duket në misterin e Trinisë, brenda Zotit, dhe shtrihet
në gjithë historinë e shëlbimit, duke na nxitur t’ia japim edhe tjetrit, të mirën,
që kemi marrë. Është e qartë se gjallëria misionare vijon, vetëm në se kumtimi i Ungjillit
ngjall gëzim, në se jetojmë në përvojën e së mirës, që buron nga Zoti e që duhet e
dëshiron të komunikohet”.Në përfundim të vizitës, Papa u rikthye në
selinë e tij verore.
Çështja e dokumenteve të vjedhura në Vatikan ishte,
të enjten e kaluar, në qendër të vëmendjes, gjatë një takimimbajtur nga drejtori i
Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, me gazetarët. Tani për tani,
tha atë Lombardi, në një takim të shkurtër me gazetarët, i pandehuri do të vijojë
të mbetet në gjendje arresti. Javën a ardhshme, Benedikti XVI do të takohet, në Kastel
Gandolfo, me Komisionin kardinalor, kryesuar nga kardinali Julian Herranz, i ngarkuar
për ndjekjen e hetimeve mbi çështjen Vatileaks: “Komisioni kardinalor, i
kryesuar nga kardinali Herranz, parashikon ta përfundojë punën e tij të dëgjimit,
të përgatitjes e të paraqitjes së raportit të parë, gjatë kësaj jave e pastaj, javën
e ardhshme, parashikohet takimi me Atin e Shenjtë”. Prej këndej kuptohet
se do të jetë vetë Benedikti XVI ai, që do të nxjerrë përfundimet mbi raportin e Komisionit.
Rifillimi
i Misionit ‘ad gentes’ dhe i ungjillëzimit në thellësi të kulturës e të mendësisë
së popujve; formimi i gjithanshëm e i përhershëm i kandidatëve për meshtari dhe për
jetë rregulltare si dhe i besimtarëve laikë; puna për pajtim, drejtësi e paqe, shoqërimi
human e shpirtëror i meshtarëve dhe i njerëzve të përkushtuar; ftesa drejtuar ipeshkvijve
për t’u ulur në bankat e shkollës së Jezusit, Bariut të Mirë dhe për të rifilluar
nga Krishti. Janë këto, porositë e kardinalit Fernando Filoni, Prefekt i Kongregatës
së Ungjillëzimit të Popujve, për ipeshkvijtë kongolezë, sipas Agjencisë Fides, në
përfundim të Asamblesë plenare të Konferencës ipeshkvnore (Cenco) e të vizitës së
tij baritore në Republikën Demokratike të Kongos. Largohem i lumtur e i kënaqur, pasi
takova një Kishë plot gjallëri e veprimtari misionare, Kishë e pranishme e shumë aktive
në fushën shoqërore e misionare, Kishë shumë pranë të varfërve, që kujdeset për nevojat
e tyre jetike, duke e kthyer në vepër, dashurinë e pafundme të Jezusit për njerëzit,
posaçërisht për më nevojtarët, tha prefekti i Dikasterit misionar, duke nënvizuar,
kështu, kushtet e vështira ndërmjet të cilave punon Kisha.
Pesëmijë familje
të krishtera në ikje nga Iraku. Rreth pesëmijë familje të krishtera u larguan,
muajtë e kaluar, nga zona e Mosulit në veri të Irakut, për shkak të pasigurisë e të
dhunës, në rend të ditës. Nga viti 2005 deri në fund të 2011-tës u vranë më se 69
anëtarë të bashkësisë së krishterë, posaçërisht nxënës shkolle e studentë universitarë.
Vijon të shkaktojë tronditje, në Mali shkatërrimi i mauzoleve të mëdha
myslimane në Timbuktu nga ana e islamikëve. Xhihadistët e Ansar Dine, që kanë imponuar
Sharinë, po vënë në shënjestër edhe xhamitë si dhe ndërtesat tejet të bukura me tulla
të kuqe, pasuri e Unesco-s.