Shën Bonaventura ka lindur, ndoshta, në vitin 1217 e vdekur më 1274, jetoi në shekullin
XII, epokë në të cilën feja e krishterë, që kishte depërtuar thellësisht në kulturën
e në shoqërinë e Evropës, frymëzoi shumë vepra të pavdekshme në lëmin e letërsisë,
të arteve pamore, të filozofisë e të teologjisë. Ndërmjet figurave të mëdha të krishtera,
që dhanë ndihmesë të shquar në krijimin e harmonisë ndërmjet fesë e kulturës, mund
të kujtojmë pikërisht Shën Bonaventurën, njeri i veprimit e i kundrimit, i përshpirtërisë
e i qeverisjes së urtë. U pagëzua me emrin Gjovani Fidanca të cilin, kur veshi
zhgunin françeskan, e ndërroi me emrin Bonaventuara. Studioi në një shkollë të njohur
të Parisit, ku mori titullin ‘Mjeshtër i Arteve’, të cilin mund ta krahasojmë me dëftesën
e liceve më të shquara të kohëve tona. Si shumë të rinj të kohës së tij, e edhe të
kohës sonë, Gjoni nisi t’i bëjë vetes një pyetje themelore: “Ç’duhet të bëj në jetë?” I
mahnitur nga dëshmia ungjillore e Fretërve të Vegjël, që kishin arritur në Paris,
trokiti në portën e Kuvendit françeskan të qytetit e kërkoi të pranohej në gjirin
e familjes së bijve të Shën Françeskut. Rreth vitit 1243 veshi zhgunin e mori emrin
Bonaventura. Vijoi me zell të ri studimet, duke ndjekur fakultetin e Teologjisë në
Universitetin e Parisit, e njëkohësisht, edhe shumë kurse impenjative, të domosdoshme
për karrierën akademike. Studioi thellësisht Shkrimin Shenjt, Sentencat e Pietro Lombardit,
Doracakun e teologjisë së kohës, autorët më të rëndësishëm të teologjisë e, duke u
takuar vazhdimisht me mësues e studentë të teologjisë, që vinin në Paris, arriti të
fitojë pjekuri e ndjeshmëri të thellë shpirtërore personale, me vlerë të madhe. E
kështu u bë një nga teologët më të rëndësishëm të historisë së Kishës. Na la
trashëgim veprat:Breviloquium (Hyrje në teologjinë skolastike) Collationes
de decem praeceptis (Përmbledhje për dhjetë Urdhërimet e Tënzot) Collationes de
septem donis Spiritus Sanctis (Përmbledhje për shtatë dhantitë e Shpirtit Shenjt) Collationes
in Hexaemeron (Përmbledhje në Gjashtë Ditët e Krijimit ) Commentaria in quattuor
libros sententiarum Magistri Petri Lombardi (Koment i katër librave të sentencave
të mjeshtrit Pietro Lombardi) De mysterio Trinitatis (Misteri i Trinisë Shenjte:
çështje shumë të debatuara) De perfectione vitae ad sorores (Përsosuria e jetës
për motrat) De reductione artium ad theologiam (Shikim i arteve përmes teologjisë)
De Regno Dei descripto in parabolis evangelicis (Mbretëria e Zotit përshkruar
në shembëlltyra ungjillore) De scientia Christi et mysterio Trinitatis (Njohja
e Krishtit dhe misteri i Trinisë) De sex alis Seraphin (Gjashtë flatrat e Serafinëve) De
triplici via (Udha e trifishtë) Itineriarium mentis in Deum (Shtegtim i mendjes
në Zotin) Legenda Sancti Francisci (Gojëdhëna e Shën Françskut) Lignum vitae
(Druri i jetës) Officium de passione Domini (Detyrat që kanë të bëjnë me Mundimet
e Zotit) Quaestiones de perfectione evangelica (Çështje mbi persosurinë ungjillore) Summa
theologiae (Përmbledhje e teologjisë) Vitis mystica (Jetë mistike) Ta bëjmë
tonën trashëgiminë, që na la ky Dijetar i shquar i Kishës, i cili na kujton domethënien
e jetës, me fjalët: “Mbi tokë… mund ta kundrojmë pafundësinë hyjnore përmes arsyetimit
e admirimit; ndërsa në atdheun qiellor, përmes vegimit, kur të bëhemi të ngjashëm
me Zotin, e përmes ekstazës.. do të hyjmë në galdimin e Hyjit”(Njohja e Krishtit).