2012-07-14 13:01:36

Shenjtorët e Javës


E diel 15 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. Po më 15 korrik kalendari përkujton edhe shën Bonaventurën, françeskan, kardinal, ipeshkëv i Albanos e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

Të hënë më 16 korrik, do të kremtohet festa e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës në Shqipëri e njeh me emrin Zoja Karmë. Po më 16 korrik do të përkujtohet edhe shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës. Liturgjia e festës na kujton se Jezusi është në qendër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vëmë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.

Të martën më 17 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Marçelinën, virgjër, motër e shën Ambrozin, ipeshkëv; e shën Aleksin e shën Leonin IV, papë. Liturgjia na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.

Të mërkurën më 18 korrik, kalendari përkujton shën Emilianin, martir e shën Brunon nga Senji, ipeshkëv. Liturgjia na kujton se Zoti hyn në jetën e njeriut në majë të gishtërinjve. Atëherë në zemra ndizet një shkëndijë dashurie, një flakëz feje e cila na shndërron e na ndihmon të gjejmë rrugën e drejtë, rrugën e fesë, që çon te Ati.
Të enjten më 19 korrik, kalendari përkujton shën Simakun, papë e shën Makrinen. Liturgjia na kujton përgjigjen që Krishti i jep Hyjit: “Kështu të pëlqeu, ty, o Atë”, me të cilën miraton pa kushte vullnesën e Perëndisë. Përgjigja e Krishtit duhet të jetë përgjigja e çdo të krishteri.
Të premten më 20 korrik, kalendari përkujton shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, shën Elinë, profet e shën Aurelin e Kartagjenës. Zoti ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.
Të shtunën që vjen më 21 korrik, kalendari përkujton shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Prasedian romake e shën Ezekielin profet. Liturgjia e ditës na kujton se shërimet që kryen Jezusi të shtunën, nuk duhen shikuar si shkelje e ligjit të Hyjit, por si shenjë e mëshirës së tij, që shprehet edhe në paralajmërimin e Izaisë profet.
Të dielën më 22 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 16-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 22 korrik kalendari kremton festën e shën Marisë Magdalenë, nxënëse e Zotit Jezus. Kjo festë kremtohet edhe nga etërit kapuçinë në Kishën e Taraboshit, në breg të lumit Bunë. Shpirti im ka etje për ty, o Zot’. Si Nusja e ‘Këngës së Këngëve’, Maria kërkon, pa gjetur prehje, Atë që e do me gjithë zemër. Dënesa e saj pranë varrit të Jezusit, pas takimit me të Ngjallurin shndërrohet në britmën e gëzimit: “Kam parë Zotin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.