2012-07-14 11:30:56

Më 14 korrik kalendari kujton shën Kamilin de Lelis


Duke shfletuar kalendarin, sot më 14 korrik Kisha përkujton Shën Kamilin de Lelis, meshtar (25.5.1550 -14.7.1614). Shën Kamili lindi më 25 maj të vitit 1550 në Bukianiko afër Kietit prej një familje fisnike. Posa u rrit meqenëse nuk studionte, shkoi si ushtar mercenar për të luftuar për Spanjën, pastaj për Venecien. I humbi të gjitha fitimet e pasuritë me lojë, u sëmur në këmbë e shtrohet për shërbim në spitalin romak të Shën Jakut. Posa shërohet nga plaga, kthehet si ushtar mercenar për të luftuar për Venecien, pastaj për Spanjën e përfundon pa asgjë pas shpirtit në Pulja të Italisë. Këtu u vu në shërbim të Etërve Kapuçinë në Manfredonia.

U kthye në rrugën e Zotit dhe vendos të hyn në Urdhrin e Kapuçinëve, por plaga shpërthen përsëri e për t’u shëruar kthehet në Romë në spitalin e Shën Jakut të të Pashëruarve, ku iu u ndihmonte sidomos të sëmurve.

Iu përkushtua Krishtit të Kryqëzuar, e rifilloi studimet në Kolegjin Romak dhe, pasi u shugurua meshtar, me disa miq, themeloi “Shoqërinë e mbarështuesve të të sëmurëve”, që sot janë të pranishëm me veprimtarinë e tyre në mbarë botën si dhe në Shqipëri, e njihen me emrin e Kamilianëve dhe të motrave rregulltare Kamiliane.

Në vitin 1591, Papa e njohu zyrtarisht Kongregatën rregulltare. Kamili vdiq në Romë më 14 korrik 1614. Vepra e tij u përhap me shpejtësi në mbarë botën, duke çuar kudo dashurinë e Krishtit, i cili është gjithnjë i pranishëm tek njeriu i sëmurë.

Vërtetohet kështu lutja që Shën Kamili pëlqente më shumë e të cilën e përsëriste më shpesh: “Do të desha një zemër të madh sa vetë bota!”. Një zemër që i zë të gjithë njerëzit. Jetoi me moton: “T’u shërbesh të varfërve, do të thotë t’i shërbesh vetë Krishtit”. Kamili gjeti kështu idealin, për të cilin ia vlen të shkrish të gjitha energjitë e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.