2012-07-14 10:14:57

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës hyjnore të dielës së 15 gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.
Të dielën e kaluar liturgjia e fjalës Hyjnore na paraqiti e foli mbi figurën e profetit e të Jezusit të “refuzuar”, ndërsa këtë të diele mbizotëron figura e profetit dhe e apostullit të “lirë” e guximtar, që nuk ndalet, as nuk përkulet para pushtetarëve e të fuqishmëve, as para rreziqeve, as para propozimeve joshëse të çdo lloji e natyre. Profeti e ndjen në vete se ka vetëm detyrimin t’i qëndroj besnik asaj “Fjale” që Zoti ia ka besuar për t’ia shpallur njerëzve me fjalë e vepra.
Me fjalë tjera, liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na kujton angazhimin tonë si misionarë të Ungjillit në realitetin bashkëkohor. Ta pranojmë edhe ne thirrjen e Zotit, i cili na dërgon nëpër fshatra e qytete, siç bëri me profetët e me apostujt, për ta përhapur Lajmin e Mirë, Fjalën jetëdhënëse e shpëtimprurëse të Hyjit, për ta ndërtuar një shoqëri të re të mbështetur mbi mirëkuptim, ndihmë e dashuri të anasjelltë.
Ngjarja që profeti Amos tregon në leximin e parë të kësaj së diele (Am 7,12-15) nxjerr në pah faktin se i “dërguari” apo më mirë të themi misioni i profetit ose i apostullit, nuk është zgjedhje që ka vendosur njeriu, por është nismë e Zotit, pra Hyji thërret e njeriu përgjigjet: mu për këtë ai që dërgohet duhet t’i bindet vetëm Zotit, pa kompromise me institucione apo me njerëz.
Është vështirë të shprehet me pak fjalë pjesa e mrekullueshme e letrës së Shën Palit drejtuar Efesinaëve (Ef 1,3-14) që është leximi i dytë i kësaj së diele, ku kemi të përmbledhur të tërë dëshirën Hyjit për njeriun. Nga njëra anë, leximi i dytë i kësaj së diele rrëfen për bekimin, lavdin ndaj Hyjit nga ana e njeriut, dhe në anën tjetër edhe për të gjitha të mirat që ne njerëzit marrim nga Zoti.
Të vërtetat për të cilat shkruan Pali apostull duhen ruajtur e kultivuar, prandaj misioni i parë i çdo besimtari, i secilit prej nesh është kumtimi i Dashurisë e i Mbretërisë së Zotit. Ky është një mision që lypet bërë me varfëri, me liri e pa synime tjera përpos atij që Krishti na ka besuar. Kështu Shën Marku në pjesën ungjillore të kësaj së diele na tregon për misionin që Jezusi u ka besuar Apostujve, atë të shpalljes të gjithë njerëzve e popujve të ardhjes së Mbretërisë së Zotit; mision ky në të cilin edhe ne jemi të thirrur të marrim pjesë, secili sipas thirrjes personale dhe sipas aftësive e mundësive personale që ka.
Pra, në këtë të diele populli i Zotit e dëgjon Fjalën Hyjnore, e cila e fton të reflektojë mbi Kishën e mbi apostullatin. Çdo njëri prej nesh është i thirrur të jetë dëshmitar i së Vërtetës e i Dashurisë së Zotit, madje të bëhet bartës e apostull i këtij misioni. Si gjithmonë edhe sot Zoti fol e shprehet përmes fjalëve njerëzore të apostujve të vet. Të mësojmë të bëhemi edhe ne zëri i Tij për njerëzit e kohës sonë. E tani ti dëgjojmë së bashku leximet biblike të kësaj së diele, ta dëgjojmë e pranojmë thirrjen që Zoti i drejton secilit prej nesh.

Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I Am 7, 12-15

Profeti Amos denoncon hipokrizinë e priftërinjve që qëndrojnë në shenjtore dhe mendjemadhësinë e të fuqishmëve, të cilët kërkojnë në çdo mënyrë që ta largojnë nga vendet e tyre. Amosi u përgjigjet atyre duke thënë që Hyji e ka detyruar të largohet nga një zanat i qetë dhe nga një mjedis i rehatshëm për tu bërë profet. Kështu profeti zbulon që fjala e Hyjit është sovrane dhe e lirë.

Lexim prej Librit të Amosit profet

Në ato ditë, prifti i Betelit Amasia i tha Amosit: “Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judesë. Atje ha bukë e atje profetizo! Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!” Atëherë Amosi i përgjigji Amasisë: “Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam bari e vjelës fiqsh. Por vetë Zoti më mori prej pas dhenve e më tha Zotynë: ‘Shko e profetizoi popullit tim, Izraelit!’ Tash dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua: ‘Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!’ Po për këtë arsye kështu thotë Zoti: ‘Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri’.”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin
Psalmi 85
Tregoje, o Zot, fytyrën e dashurisë sate

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër ktehen.
Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

Leximi II Ef 1,3-14)
Hyji ka një plan për universin dhe historinë e njerëzve. Ka krijuar botën për ne, dhe historia jonë ecën drejt plotësisë së Krishtit. Jezu Krishti është Ai që ka vdekur për tu ringjallur. Edhe ne jemi të thirrur për të marrë pjesë në këtë plan vdekjeje dhe ringjalljeje.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur. Në Të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij, të cilin Hyji e ndikoi në ne bashkë me çdo urti e kuptim. Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet – synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të – kur të plotësohej koha: domethënë të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjithë qeniet që janë në qiell e në tokë. Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë – të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet – të jemi në nder të lavdisë së tij – ne qëqysh më parë e vuam shpresën në Krishtin. Po në Të edhe ju që e dëgjuat fjalën e së vërtetës – Ungjillin e shëlbimit tuaj – mbasi besuat në Të, u vulosët me Shpirtin Shenjt – të Premtuarin – që është pengu i trashëgimit tonë: për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit – në nder të lavdisë së tij.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin

Aleluja. Aleluja.
Pranojeni fjalën e Zotit jo si fjalë njerëzish,
por ashtu si në të vërtetë është fjala e Hyjit.
Aleluja.

Ungjilli Mk 6, 7-13
Krishti i ngarkon apostujt me detyrën për të bashkuar popullin e të shpëtuarve. Ata përshkojnë rrugët e njerëzve me zjarrin e besimit duke zotëruar si mjet shparnda-rjeje vetëm fjalën e Hyjit. Fjala e pranuar dhe e shpërndarë nga apostujt bëhet farë shprese dhe shpëtimi për botën mbarë.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i thirri të dymbëdhjetët e nisi t’i dërgoi dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka. Dhe u thoshte: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të mos largoheni nga ai vend. Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni plurhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.” Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.