Një libër i ri i Papës: “Mendime feje për një jetë të lumtur”.
Një libër tjetër i ri do t’i shtohet së shpejti bibliotekës së pasur, dalë nga penda
e Benediktit XVI. Titullohet “Mendime feje për një jetë të lumtur”, Libri i
ri i Jozef Ratcinger, që Shtëpia Botuese italiane Mondadori do ta nxjerrë nga shtypi
nëntorin e ardhshëm. Me nëntitull “Reflektime, sentenca, këshilla për meditimin e
përditshëm”, përmbledh në 200 faqe mësime shkëputur kryesisht nga Enciklikat e Papës. Sipas
botuesit, po ta shfletosh, do të gjesh në çdo faqe diçka të re, frymëzuese, që të
nxit ta ballafaqosh vetveten me mësimet e Ungjillit, të shtyn të reflektosh thellë
e të njohësh mendimin po aq të thellë të Papës-filozof mbi temat e fesë dhe të jetës
së krishterë. Përveç Enciklikave dhe fjalimeve zyrtare, në libër përfshihen edhe reflektime
nga bisedat e Papës me bashkëbisedues të ndryshëm, në çaste më pak publike, prej këndej,
më pak të njohura. Libri ndjek rendin alfabetik, duke nisur nga “ambienti”, për
të përfunduar tek vetmia e vullnetariati. Ndërmjet: konsumizmi, kriza, ekonomia, globalizimi,
fitimi etj. etj. Radhiten njëri pas tjetrit, argumentet më të mprehta të Papnisë së
Benediktit XVI, në gjurmët e shqetësimeve kryesore bashkëkohore e në ndihmë të jetës
shpirtërore të njeriut të sotëm, që rrezikon të zbehet më tej, duke krijuar shqetësime
të reja etike, e dhe ekonomike. Kjo përmbledhje, nënvizojmë, përpiqet të propozojë
atë, që është më pak e njohur nga mësimet e Papës, në sa në kuptimin thjesht fetar,
mund të japë një ndihmesë të jashtëzakonshme për jetën shpirtërore të besimtarit.
Mund ta ndihmojë shumë jo vetëm për të kuptuar vetveten, por edhe vendin, që i takon
në botën e madhe, për të cilën ka përgjegjësi çdo njeri, besimtar e jo. Prej këndej,
libri paraqet interes të veçantë edhe për ata, që nuk janë pranë Kishës e që nuk e
njohin Krishtin