2012-07-12 16:26:38

Paqe, përmes rrugës së kthimit e dialogut durimtar: kështu tha Papa në Koncertin, dhënë nga West-Estern Divan Orchestra


“Për të siguruar paqen, duhet të impenjohemi, duke lënë mënjanë dhunën e armët; të impenjohemi duke ecur në rrugën e kthesës personale e komunitare, duke dialoguar e duke kërkuar me durim mirëkuptimet e mundshme”. Është mesazhi i Benediktit XVI, shprehur mbrëmë në përfundim të koncertit, dhënë nga Orkestra West-Estern Divan, drejtuar nga mjeshtri Daniel Barenboim. Orkestra, e përbërë nga muzikantë hebrenj, të krishterë e myslimanë, luajti Simfoninë n. 6 Pastorale dhe Simfoninë n. 5 të Ludwig van Beethoven, në kornizën sugjestive të Oborrit të Kastel Gandolfos. Të pranishëm edhe presidenti italian, Giorgio Napolitano me bashkëshorten, të cilët më pas u ndalën për darkë. Darkuan së bashku me Papën dhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone.
Notat e Simfonisë së Pestë mbushën plot me tinguj Oborrin e Kastel Gandolfos, në një mbrëmje magjepsëse vere, me qiell blu, duke krijuar, kështu, atmosferën gazmore të festës së Shën Benediktit. Papa e priti me kënaqësi këtë orkestër, themeluar 13 vjet më parë nga Mjeshtri Daniel Barenboim dhe i ndjeri Edward Said, me bindjen se muzika i bashkon njerëzit, duke i ndihmuar të kapërcejnë çdo dallim e përçarje. E kjo, sepse muzika është harmoni e ndryshimeve: një simfoni, tha Papa, mund të krijohet nga bashkimi i timbrit të shumë instrumenteve e jo në mënyrë magjike, por falë punës së palodhur të çdo muzikanti, impenjim që kërkon shumë flijime e, mbi të gjitha, përpjekjen për ta dëgjuar njëri-tjetrin, duke shmangur protagonizmat e tepruara e duke shikuar në radhë të parë realizimin me sukses të punës së përbashkët. Prej këndej, Papa kujtoi një simfoni tjetër, simfoninë e paqes së madhe, të pafundme, ndërmjet popujve. U nis nga nga një brezni si e tija dhe e prindërve të vetë Mjeshtrit Barenboim, i cili e jetoi me fund tragjedinë e Luftës II Botërore dhe atë të Shoah:
“Është shumë domethënëse që Ju, Mjeshtër, pasi arritët majat më të larta, që mund të dëshirojë një muzikant, vutë në jetë një projekt si ky i Orkestrës West-Estern Divan: një grup në të cilin luajnë së bashku muzikantë izraelitë, palestinezë e arabë nga vende të ndryshme: njerëz të fesë hebraike, myslimane e të krishterë”.
Sesa sukses ka pasur kjo Orkestër, e dëshmojnë çmimet e shumta, që ka merituar, vijoi akoma Papa, e jo vetëm për artin e interpretimit muzikor, por edhe, e sidomos, për impenjimin etik e shpirtëror. Më pas Ati i Shenjtë u ndalua tek kuptimi i thellë i simfonive, që u luajtën, e Pesta edhe e Gjashta e Beethoven-it, të cilat shprehin dy aspekte të jetës, dramën dhe paqen, luftën e njeriut kundër fatit kundërshtar e kredhjen në mjedisin qetësues baritor:
“Mesazhi, që dëshiroj të theksoj sot, është: për të siguruar paqen, duhet të impenjohemi, duke lënë mënjanë dhunën e armët; të impenjohemi me kthesën personale e komunitare, me dialog, me kërkim durimtar të të gjitha mirëkuptimeve të mundshme”.
Beethowen punoi për këto dy vepra, posaçërisht për përsosjen e tyre, pothuajse në të njëjtën kohë, kujtoi Papa. Aq e vërtetë është kjo, sa u luajtën për herë të parë njëherësh, në koncertin e 22 dhjetorit të vitit 1808, në Vjenë, ashtu si u luajtën edhe në Kastel Gandolfo, nënvizoi Ati i Shenjtë, dhe në përfundim u uroi të gjithë muzikantëve të Orkestrës ta vijojnë veprën e tyre, duke mbjellur në botë shpresën e paqes, përmes gjuhës universale të muzikës.Pak para fillimit të koncertit, në Kopshtin e Arapit, Papa priti presidentin e Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano me bashkëshorten, që biseduan përzemërisht me Benediktin XVI e, më pas, ndoqën edhe koncertin, në përfundim të të cilit u ftuan të darkojnë me Atin e Shenjtë. Vijuan, kështu, bisedën, sa për artin e Beethowen-it e të Orkestrës, aq edhe për artin e kërkimit të paqes në mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.