2012-07-12 12:26:19

Më 12 korrik kalendari kujton shën Gjon Gualbertin


Më 12 korrik kalendari Kishtar përkujton shën Gjon Gualbertin, abat.
Themelues i Urdhrit murgar të Vallombrozianëve, deshi t’i kthehej mësimeve të Apostujve e Etërve të Kishës, duke theksuar aspektet e varfërisë e të punës së krahut, punës fizike, duke u angazhuar vendosmërisht e drejtpërdrejt në reformën e manastireve murgare.
Një të Premte të Madhe Gjon Visdomini hasi në një vend të vetmuar, jashtë Portës së Shën Miniatit, në rrethinat e Firences, vrasësin e të vëllait. Pa menduar dy herë, nxori shpatën nga milli.
Kundërshtari, i pa armatosur, ra në gjunjë dhe hapi krahët, duke kërkuar, në heshtje, mëshirë. Hija e trupit të tij, me krahët hapur, në trajtë kryqi, e preku thellë Gjonin. E ngriti nga toka vrasësin dhe e mori ngrykë.
Që nga ky çast vendosi të largohej nga zhurma dhe inatet e botës e të ndiqte jetën rregulltare. Hyri ndër murgjit benediktinë dhe e mbrojti kishën nga barinjtë e rremë, siç ishin vetë abati i benediktinëve dhe ipeshkvi i Firences.
Më 1073, pak para se të vdiste, u la murgjërve të tij këtë porosi: “Kur dëshironi të zgjidhni një abat, zgjidhni ndërmjet fretërve më të thjeshtin, më të ëmblin, më të përulurin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.