7. Koncili i Efezit (431 pas Krishtit). Efezi gjendet në Turqi të sotme. Në vitin
431 në këtë vend mblidhet Koncili kishtar, që zë vendin e tretë në historinë e Koncileve
të Kishës katolike. Këtu, që në fillesën e krishterimit, jetonte një bashkësi e krishterë
e po këtu, sipas traditës, ishte edhe shtëpia e fundit, ku pati banuar Shën Gjoni
Ungjilltar, që kishte marrë me vete edhe Nënën e Jezusit. Kishin kaluar pikërisht
50 vjet nga Koncili i Kostandinopojës, por problemi i diskutuar me zjarr prej dhjetëra
vitesh, ai i lidhjes së natyrës hyjnore e njerëzore të Jezusit të Nazaretit, Krishtit,
Mesisë e Shëlbuesit, mbetej i pazgjidhur. Viheshin ballë për ballë dy shkolla. Në
Aleksandri, Çirili ipeshkëv mbronte doktrinën e Nikesë mbi Krishtin Zot i vërtetë
e njeri i vërtetë. Ndërsa në Antioki, Nestori ipeshkëv, vijonte të ngulte këmbë se,
sipas tij, Jezusi ishte njeri i vërtetë, ndërsa Zot, vetëm përmes bijësimit hyjnor. Prej
këndej, për shkollën e parë, Maria, Nëna e Jezusit, ishte edhe Nënë e Zotit, “theotòkos”;
ndërsa për të dytën, ishte vetëm Nëna e Krishtit “theòphoros” – që e mbajti Zotin
në kraharor. Kundërshtim i ashpër e i vjetër, që e kishte shtyrë Papën Çelestini
I të thërriste në Romë ipeshkvijtë, për të pohuar edhe një herë se Jezusi është Zot
i vërtetë e njeri i vërtetë. Po diskutimet vijuan edhe më të ashpra, duke u bërë kërcënim
për unitetin e vetë Perandorisë. Prandaj Teodosi II perandor vendosi të thërrasë,
në verën e vitit 431, një Koncil të ri, me pjesëmarrjen e ipeshkvijve nga mbarë bota
e banuar, që njihej me emrin Ekumène. I ftoi, prandaj, të gjithë ipeshkvijtë, duke
nisur nga ai i Romës, Çelestini I, i cili vendosi të dërgojë dy përfaqësues dhe një
nga figurat më në zë të Kishës së kohës, Agostinin e Iponës. Për fat të keq, Agostini
vdiq në vitin 430, para se të fillonin punimet e Koncilit. Shumë ipeshkvij arritën
me vonesë, për shkak të vështirësive të udhëtimit, që në atë kohë ishte i gjatë e
plot të papritura. Por, megjithatë, më 22 qershor të vitit 431 Koncili u hap në Kishën
e madhe kushtuar Marisë, duke ripohuar menjëherë qëndrimin e mbajtur në Nike e në
Kostandinopojë, në dy Koncilet pararendëse, i cili njihej me termin ‘unitar’, sepse
i lidhur me unitetin e përkryer të dy natyrave, njerëzore e hyjnore, të Jezusit.
Jezusi i Nazaretit është Fjala e Zotit, Bir i Hyjit Atë, i zënë për virtyt të Shpirti
Shenjt në kraharor të Virgjërës Mari, e cila është Nëna e vërtetë e Zotit. Dy
natyra, të veçuara, jo të ngatërruara – kjo është formula – në të njëjtën Vetje Hyjnore
të Fjalës së Mishëruar; e të gjitha vetitë e natyrës njerëzore, burojnë nga natyra
hyjnore. Prej këndej Fjala e mishëruar lind, mundohet, vdes e ngjallet. Pikërisht
më 22 qershor të atij viti të largët, Nestori, për të cilin Maria nuk ishte Nëna e
Zotit, por Nëna e njeriut Jezu Krisht, u dënua dhe u shkishërua nga 197 ipeshkvij,
që votuan kundër tij. U dënua njëzëri edhe doktrina e ipeshkvit Pelagji, që e shikonte
natyrën njerëzore si të paprekur nga mëkati i rrjedhshëm e, prej këndej, të aftë për
shëlbim edhe me forcat e veta të natyrshme. Një lajm i kronikës së kohës: edhe vetë
legati perandorak, që u përpoq të ndërmjetësonte për të siguruar një farë kompromisi
ndërmjet qëndrimit të ipeshkvijve e atij të Nestorit, u përjashtua nga Koncili. Mbaron
këtu historia e koncileve? Po e jo! Sepse që më 26 qershor, në të njëjtën bazilikë,
pati reagime të forta të ipeshkvijve, lidhur me qëndrimet nestoriane, që arritën me
vonesë, ndërsa legati i Perandorit Teodosi II, vetëm në tetor, pas një mori kundërshtimesh,
mundi të shpallë përfundimin e Koncilit. Pas kësaj shpalljeje, Papa Çelestini I i
miratoi, nga Roma, vendimet e Koncilit e, dy vjet mbrapa, më 433, edhe pasardhësi
i Nestorit, Gjoni, ipeshkëv i Antiokisë, i pranoi vendimet e Efezit. Por kohët ishin
tejet të vështira e, shumë shpejt, vetëm pas 20 vjetësh, u desh të mblidhej një koncil
i ri: ai i Kalçedonisë, i pesti në radhën e koncileve të para të Kishës katolike.