2012-07-10 13:25:56

Sudani i Jugut në një vjetorin e pavarësisë


Një vit i vështirë për Sudanin e Jugut: kështu u shpreh kryeipeshkvi i Juba-s, imzot Paulino Lukudo, duke fol për Vjetorin e Parë – kremtuar dje më 9 korrik – të pavarësisë së Sudanit të Jugut nga Khartoumi, duke nënvizuar kënaqësinë e popullsisë për autonominë e fituar. Në Vend janë mbajtur kremtime zyrtare në praninë e personaliteteve të huaja por pa përfaqësues të Sudanit të Veriut. Ndërmjet Juba-s e Khartoumit ka ende tensione të forta. Imzot Lukudo nënvizon rëndësinë e rivendosjes së paqes në një territor ku ende ekzistojnë zona konflikti e ndeshje në Malet Nuba në Nilin Blu.
Pra, që një vit Afrika ka një Shtet të pavarur më shumë. Në përkim me dëshirën e bashkësisë ndërkombëtare, më 9 korrik 2001 lind Sudani i Jugut, i ndarë nga Sudani, me vullnetin e një populli, që rifitoi lirinë. E kështu nisi një fillim i ri, në fund të një rruge të gjatë: njëzet vjet luftë civile me veriun, me dy milion të vdekur, parabolë e sanksionuar nga marrëveshjet e paqes të 2005-sës, që arritën në përfundim të një votimi me referendum mbajtur në janar 2011, në të cilin jugsudanezët votuan në favor të shkëputjes nga pjesa tjetër e vendit.
Selia e Shenjtë e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces të gjatë e të vështirë, duke jetuar shpirtërisht pranë popullsive të vuajtura të kësaj toke të martirizuar, që tani po rikthehet në jetë. Rijeton, por pas viteve të tmerrshme të dhunës, urrejtjes, urisë, etjes, vrasjeve, bombave, mundimeve të të gjitha natyrave. Sudani i Jugut, nuk e ka, prandaj, krejt të lehtë këtë fillim, sepse e kaluara nuk shlyhet aq shpejt nga mendjet e nga zemrat. Udhë e gjatë, e vështirë, që na kujton se Selia e Shenjtë, e posaçërisht Gjon Pali II, e ndoqën hap pas hapi popullin e stërmunduar, që sot, më në fund, është i lirë e i pavarur.
Një Vit më parë, lindi një nga vendet më të varfra të botës, të cilit do t’i duhet të përballojë probleme tepër të vështira për unitetin e vet të brendshëm, por banorët e tij shpresojnë – e ne të gjithë me ta – se do t’ia dalin mbanesh të ndërtojnë një ardhmëri me liri, paqe e prosperitet. Gjallëria e jashtëzakonshme e popullit jugsudanez nuk ka shteruar. Veç ka nevojë për solidaritet konkret e të fuqishëm, ndërkombëtar e kishtar, që të mund të lulëzojë përsëri. Urojmë të mos i mungoj.







All the contents on this site are copyrighted ©.