2012-07-10 16:17:04

Nesër koncert i West-Eastern Divan në Kastel Gandolfo për nderë të Papës.


Nesër pasdite, para koncertit, rreth orës 17.50 është parashikuar ardhja e Presidentit të Republikës së Italisë, në Kastel Gandolfo. Presidenti italian do të pritet nga Atit i Shenjtë në Kopshtet Moro të selisë papnore. Aty do qëndrojnë për një përshëndetje të shkurt e fotografi kujtimi e, së bashku, do të përshkojnë oborrin brenda Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfit për arritur në vendin ku do të mbahet koncerti, në ora 18.00. Pas koncertit Presidenti italian, i shoqëruar nga bashkëshortja, do të jetë mysafir i Papës për darkë.

Pra nesër, në festën e shën Benediktit, Abat, pajtorit qiellor të Evropës, nga i cili Papa e mori emrin, në ora 18.00 në Pallatin apostolik në Kastel Gandolfo,West-Eastern Divan Orchester drejtuar nga mjeshtri argjentinas-izraelit Daniel Barenboim do të mbajë një koncert për nderë të Benediktit XVI. Në një deklaratë lidhur me këtë ngjarje muzikore, përkujtohet angazhimi i madh i Papës Benediktit XVI “për dialogun ndërmjet hebrenjve, të krishterëve e myslimanëve”.

Kujtojmë se më 1 qershorin e kaluar, Daniel Barenboim pati drejtuar koncertin në teatrin e Milanos “La Scala” në praninë e Papës Ratcinger, me rastin e Takimit Botërore të Familjeve.
Nesër në ora 18.00, do të jetë hera e dytë brenda pak më shumë se një muaj, pas ekzekutimit të mrekullueshëm të Simfonisë IX të Beethovenit, që West-Eastern Divan Orchester do të ekzekutojë, kësaj radhe një koncert privat në Kastel Gandolo, për nderë të Papës Benediktit XVI.

Simfonitë e Beethovenit krijojnë mundësinë të kumtohet një mesazh muzikor, që pohon vlerën e solidaritetit, të vëllazërimit e të paqes. Këto vlera, mjerisht, në botën mbarë, janë nën thundrën e dhunës, një botë që është e përfshirë nga pështjellimi, nga vështirësitë e jetës së përditshme e nga një varfëri, shpesh e papërballueshme. Mjafton të shikojmë realitetin e përditshëm, ku një numër i madh njerëzisht përballojnë vështirësi jo të pakta. Prej këndej, nesër pritet shumë nga të gjithë edhe fjalimi i Papës, si burim inkurajimi e shprese. Ai na kujton shpesh se ne jemi në kërkim të një Zoti, që nuk është larg, që hyn në jetën tonë, në vuajtjen tonë, për të na mësuar udhën e daljes nga errësira në dritë, nga urrejtja në pajtim e dashuri. Prandaj edhe zgjedhja që koncerti të jepej për nder të Papës gjerman e muzikant, me pjesë të zgjedhura nga Beethoveni, gjerman, është një mesazh universal paqeje e vëllazërimi, siç e kërkonte ky rast, vërtet universal.

Orkestra është themeluar më 1999 nga vet Barenboim e nga Edward Said duke mbledhur së bashku muzikantë me prejardhje nga shumë kombe të Lindjes së Mesme, ndërmjet tyre ka izraelitë e palestinezë, sirianë, jordanezë, irakianë e iranianë e të tjerë. Ata mblidhen çdo vit për një laborator veror të muzikës, të frymëzuar pikërisht nga shpirti i muzikës e nga vullneti për t’u impenjuar së bashkuar me vizionet dhe përvojat prej muzikantëve, secili në saje të lidhjes personale me situatën e vështirë të Lindjes së Mesme. Turneu veror i West-Eatern Divan, mes tjerash, propozon etapë pas etape një program të “Beethoveni për të gjithë”, që ka si qëllim edhe ndihmesën e projekteve edukative organizuar nga orkestra në Izrael e në Territoret Palestineze. Në këtë program propozohen nëntë Simfonitë të ekzekutuara nga kjo orkestër nën drejtimin e Barenboimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.