2012-07-10 11:15:01

Koncili I i Kostandinopojës


6. Koncili I i Kostandinopojës (381 pas Krishtit)
Pasi folëm për Koncilin e Jerusalemit, mbledhur rreth viteve 40, e atë të Nikesë, më 325, sot do të ndalemi tek Koncili i parë i Kostandinopojës, mbajtur në vitin 381.
Pas Koncilit të Nikesë, herezia ariane, sipas së cilës Jezusi i Nazaretit ishte vetëm njeri, i bijësuar më pas nga Hyji Atë, vijonte të bënte zhurmë e ndjekës. Vetë perandori Kostandin, pas Koncilit të Nikesë, kishte kaluar në krahun tjetër e kishte nisur të përkrahte ipeshkvijtë arianë.
Prandaj Teodosi Perandor, që u ul në fron në vitin 379, thirri një mbledhje solemne, të cilën nuk e kryesoi ai vetë. E kryesuan ipeshkvi Melecio i Antiokisë, kishë e themeluar nga Pjetri; Gregori nga Nacianci dhe Nektari. Mbledhja e madhe nisi në maj të vitit 381, në praninë 150 ipeshkvijve, të gjithë lindorë. Në Romë ishte Papa Damazi I, me autoritet të padiskutueshëm. Një vit më parë, vetë Teodosi Perandor, me ediktin Cunctos Populus, kishte ripohuar solemnisht se kanuni, domethënë “rregulla” e fesë, parë si masë përkatësie në gjirin e Kishës katolike, ishte “Feja e Pjetrit”.
Vendimi i parë i Koncilit të ri, ishte ripohimi i Besojmës së Nikesë, domethënë i natyrës hyjnore të Krishtit, kundër herezisë ariane. Përmendej qartë edhe Shpirti Shenjt, duke pasur parasysh se në bashkësitë e krishtera tani ishin dukur Pneumatomakët, që nuk e pranonin natyrën hyjnore të Shpirtit Shenjt. Njiheshin edhe si ‘maqedonianë’, sipas emrit të ipeshkvit Maqedonio të Kostandinopojës.
U riformulua Besojma nikeno-kostandinopolitane e fesë, që pohon natyrën hyjnore të Atit, të Birit të amshuar, mishëruar në Jezusin e Nazaretit dhe të Shpirtit Shenjt.
Risi kjo? Jo! Shkrimi i parë i Besëlidhjes së Re, Letra e parë e Shën Palit drejtuar Selanikasve, shkruar ndërmjet viteve 40-50, fillon pikërisht duke kujtuar Atin, Jezu Krishtin, Birin e Tij dhe Shpirtin Shenjt.
Koncili dënoi edhe herezinë apolinariste, nga emri i ipeshkvit Apolinari që, duke e kthyer përmbys herezinë ariane, pohonte se Jezusi i Nazaretit, Zot i vërtetë, ishte njeri vetëm në formë të papërkryer, pa shpirt të vërtetë njerëzor, sepse me shpirt hyjnor. Përveç rregullave doktrinore, Koncili vuri rregull edhe në jetën praktike të Kishës së kohës. Përcaktoi provincat kishtare, të pavarura nga njëra-tjetra dhe deklaroi se Kostandinopoja ishte Roma e dytë, se ipeshkvi i saj ishte patrik e se ishte i dyti, menjëherë pas atij të Romës.
Në përfundim të Koncilit u shpall edhe një dekret perandorak, me të cilin Teodosi u kërkoi të gjitha Kishave t’i rikthenin në mision ipeshkvijtë e dëbuar nga arianët, nga që kishin pohuar se Ati, Biri e Shpirti Shenjt kishin të njëjtën natyrë hyjnore. Duhet kujtuar se Papa Damazi, nga Roma, i miratoi dekretet e Koncilit.
Prej këndej, u zgjidhën dy probleme: u pohua se Jezu Krishti është Zot i vërtetë e njeri i vërtetë e se të trija Vehtjet e Trinisë Shenjte janë me të njëjtën natyrë hyjnore.
Më pas do të diskutohej për shkrirjen e dy natyrave, hyjnore-njerëzore, në Vehtjen e Krishtit. E pikërisht kjo do të ishte tema e Koncilit të ardhshëm, mbajtur në Kalçedoni, në vitin 451, që nisi duke pranuar formalisht karakterin ekumenik të Koncilit I të Kostandinopojës, thirrur nga Teodosi e miratuar nga Damazi I papë e ipeshkëv i Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.