2012-07-09 13:13:29

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: mos kërkoni përherë shenja e mrekulli, sepse Jezusi është mrekullia më e madhe e gjithësisë.


Jezusi është “transparenca e Hyjit”, “mrekullia më e madhe e gjithësisë”: kështu pohoi mes tjerash Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot kremtuar dje në Selinë Apostolike të Kastel Gandolfit, e para diele që kalon këtu Papa, që nga e marta e kaluar, kur u transferuar për të kaluar periudhën verore. Papa Ratcinger në vazhdim tha se ne shpesh jemi në kërkimin e shenjave e të mrekullive, e nuk vërejmë se Shenja e vërtetë është pikërisht Jezusi, “Zoti i mishëruar”.
“Mrekullitë e Krishtit nuk janë shfaqje ekzibicionuese të fuqisë, por shenja të dashurisë së Zotit që zbatohet aty ky takon e gjen fenë e njeriut”: kështu tha Benedikti XVI gjatë fjalimit të mbajtur para lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke komentuar pjesën e Ungjillit të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar.
Papa u ndal te mosbesimi i banorëve të Nazaretit në shërimet që Jezu bëri para syve të tyre. Në fakt ky mosbesim, vërejti Papa, është i kuptueshëm “sepse afërsia familjare në planin njerëzor e bënë më të vështirë besimin e nuk lejon të shkosh përtej kësaj lidhjeje e t’i hapesh përmasës hyjnore”. Në anën tjetër, shtoi Benedikti, edhe Jezusi u çudit për mosbesimin e njerëzve të Nazaretit:
“Edhe Ai, në një farë kuptimi, shkandullohet! Megjithëse e dimë që asnjë profet nuk pranohet mirë në vendlindje, prapëseprapë mbyllja e zemrës së njerëzve të vet mbetët për Të e pakuptueshme, e pashqyrtueshme: si është e mundur që mos ta njohin dritën e së Vërtetës”.
Kjo sepse, tha Papa, “nuk hapen para mirësisë së Zotit, që ka dashur të ndajë bashkë me ne njerëzimin tonë?”. Në realitet, nënvizoi Papa, “njeriu Jezus i Narazetit është transparenca e Hyjit, në Të Hyji banon plotësisht”:
“E ndërsa ne kërkojmë gjithmonë shenja tjera, mrekulli tjera, nuk e vërejmë faktin që Shenja e vërtet është Ai, Zoti i mishëruar, Ai është mrekullia më e madhe e gjithësisë: tërë dashuria e Zotit e përmbledhur në një zemër njerëzore, një fytyrë të njeriut”.
E këtu Papa, përmendin Virgjërën Mari e cila e “ka kuptuar më të vërtetë këtë të realitet”. Maria, tha Ati i Shenjtë, “ nuk është skandalizuar me të Birin e saj: çudia e saj ndaj Tij është plot fe, plot dashuri e gëzim, duke e parë atë kaq njerëzor e në të njëjtën kohë kaq hyjnor”. E prandaj i këshilloi besimtarët të mësojnë nga Maria, “Nëna e fesë”, ta “vërejmë e të njohim në përmasën njerëzore Krishtin, zbulimin e përsosur të Hyjit”.
Në çastin e përshëndetjeve, në një atmosferë feste e hareje, Papa përshëndeti me fjalët të veçanta shtegtarët polakë të Familjes së Radio Marisë, të mbledhur në Jasna Gora, për t’u lutur “për atdhe, për familjet e për lirinë e shprehjes”. E kështu përshëndeti edhe të rinjtë e Fondacionit “Vepra e Mijëvjeçarit të Ri”, frymëzuar nga Karol Wojtila, që dje në mbrëmje me besimtarë të feve të ndryshme lartuan së bashku lutjet e tyre për paqen në ish kampin e përqendrimit të Majdanekut:
“Bashkohem shpirtërisht me këto ngjarje – tha Papa – dhe prej Zotit kërkoi të mirën e paqen, për botën, për Poloninë e për çdonjërin prej jush”.
Në gjuhën franceze, Papa i ftoi besimtarët të mos e harrojnë Zotin, gjatë pushimeve, por të vazhdojnë të luten e të shkojnë në Meshë për të dielash.
Së fundit duke përshëndetur qytetarët e Kastel Gandolfit të cilët, sipas traditës, përherë e presin me përzemërsi gjatë periudhës verore:
“Përshëndes përzemërsisht bashkësinë lokale e të gjitha familjeve u dëshiroj që të mund të kenë një moment pushimi e ripërtëritje fizike e shpirtërore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.