Papa Benedikti XVI vizitoi shtëpinë e Etërve Verebitë në Nemi ku banoi në kohën e
Koncilit II të Vatikanit: gëzim i ri i kumtimit të Ungjillit
Një kthim i shkurt në vendet ku më 1965 pat jetuar përvojën e jashtëzakonshme të Koncilit
të II të Vatikanit. Ky qe qëllimi, pse Benedikti XVI e la sot paradite selinë verore
në Kastel Gandolfo për të bërë një vizitë të shkurt private në bashkësinë e rregulltarëve
Verebitë, në afërsi të qytetit të vogël, Nemi. Pas takimit me eprorët e Kongregatës
rregulltare e një bisede të shkurt, Ati i Shenjtë u kthye në Kastel Gandolfo. Jozef
Ratcinger, ishte gati 38 vjeç, një ndër mendjet e freskëta e të shkëlqyeshme ftuar
në Romë në muajt e parë të vitit 1965 për të kontribuar në përpilimin e faqeve të
fundit të Koncilit të II të Vatikanit. Posaçërisht ato faqe, të Dekretit ‘Ad Gentes’,
që në mbarim të atij vitit do të kishte përcaktuar me shkrim orientimet dhe parimet
e reja të aktivitetit misionar të Kishës. E tani si Papë, brenda pak muajsh, do të
hap solemnisht kremtimet e 50-të vjetorit të fillimit të Koncilit të II Ekumenik të
Vatikanit. Po, Benedikti XVI deshi t’i vizitonte shkurtimisht vendet ku për një javë
– nga 29 mars deri më 3 prill të vitit 1965 – së bashku me katër ipeshkvij e pesë
kolegë tjerë teologë, si Fulton Sheen e atë Congar, banonte pranë Verebitëve, për
të punuar në përpilimin e bocës së njërit prej teksteve themelorë, me të cilin Kisha
e rishikonte dhe përcaktonte vetveten e të ardhmen e saj. Para një grupi të madh
rregulltarësh të Shoqërisë së Fjalës Hyjnore (Verebitëve), udhëhequr nga eprori i
ri i përgjithshëm, atë Heinz Kuluke, nga ish-eprori i përgjithshëm, atë Antonio Pernia
e të tjerë, Papa kujtoi ato të ditë të 47 viteve më parë: “Jam vërtet mirënjohës
për mundësinë e vizitës së kësaj shtëpie pas 47 vjetësh. Është një kujtim tejet i
bukur, ndoshta ndër më të bukurit e tërë Koncilit”. Pastaj Papa tregoi dallimin
e jashtëm që ekzistonte ndërmjet heshtjes në gjelbërimin e bukur të natyrës së Nemit
dhe frenezisë së qytetit të Romës, ku zakonisht banonte. Kujtoi atmosferën që përjetoi
brenda grupit të punës, “me shumë teologë të rëndësishëm si atë Congar. “Kujtoi
para se gjithash Gjeneralin e asaj kohe, atë Schutte, që pat vuajtur shumë në Kinë,
qe dënuar, pastaj dëbuar. Ishte plot me dinamizëm misionariteti, ndjente nevojën për
t’i dhënë një shtytje të re shpirtit misionar. E më kishte mua, isha teolog i ri e
pa ndonjë rëndësi të madhe, shumë i ri, i ftuar nuk e di se pse. Por për mua qe një
dhuratë e madhe, një pasurim i madh shpirtëror”. Benedikti XVI kujtoi akoma
se grupit të tij i qe besuar përgatitja e një dekreti të rëndësishëm të Koncilit të
II të Vatikanit: “E kështu atyre ditëve lindi një dekret i bukur e i mirë, që
u pranua njëzëri nga të gjithë etërit konciliarë, që për mua është një përplotësim
shumë i mirë i ‘Lumen gentium’, sepse aty gjejmë një ekleziologji trintare, që nis
nga ideja klasike e bonum diffusivum sui, e mira që ka nevojë në vetvete të komunikohet,
të përhapet, të dhurohet: gjëja e mirë, mirësia në thelb është comunicatio (komunikim).
E kjo duket qysh në misterin trinitar, brenda Hyjit, e përhapet në historinë e shpëtimit”. Papa
insistoi mbi domethënien e misionit të kumtimit të Ungjillit si ,”një e mirë që nuk
mund të mbetët e mbyllur në vetvete, por duhet t’ia komunikojmë” të tjerëve”. Së
fundit Benedikti XVI përsëriti se kujtimet e periudhës që ka kaluar në Nemi “janë
pjesë e rëndësishme e eksperiencës së Koncilit”.