2012-07-09 16:46:08

Mos të harrohet Srebrenica


Më 9 korrik 1995 trupat serbo boshnjake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mladiç hynin në enklavën myslimane të Srebrenicës, zonë e deklaruar e mbrojtur nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më 11 korrik u vranë me mijëra civilë, e brenda pak ditësh deri më 18 korrik të njëjtit vit, u ekzekutuan mizorisht rreth 8000 meshkuj myslimanë. Një masakër për çka ende nuk ka dënime konkrete dhe lista e viktimave është ende e paplotësuar, që mendohet të jenë afër 8300 persona. Masakra e vitit 1995 në zonën e mbrojtur nga OKB të Srebrenicës ishte krimi më i rëndë në Evropë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Përgjegjësi kryesor për të, ish-drejtuesi ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, për të cilin sot në Hagë, rifilloi gjyqi pasi qe pezulluar më 17 maj.
Mes 11 deri më 18 korrik të vitit 1995, trupat serbe që urdhëroheshin nga gjenerali Mlladiç, hynë në qytetin e Srebrenicës dhe masakruan popullsinë myslimane. Kur ushtarët e Republika Srpska (RS) hynë në qytet, më shumë se 40.000 banorë u strehuan në bazën e OKB në Potocari, që ndodhej në veri të Srebrenicës. Rreth 7.000 persona arritën të hynin në zonën e bazës, që drejtohej nga rreth 100 paqeruajtës holandezë, të cilët duhet të mbronin qytetin dhe, siç ishte deklaruar nga OKB-ja, zonën e mbrojtur. Të tjerët mbetën jashtë bazës. Pas ardhjes së ushtarëve serbë të Bosnjës, paqeruajtësit nuk ndërhynë fare, ndërkohë që Mlladiç i ndau burrat nga gratë e fëmijët dhe pastaj i internoi.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve dhe sipas akuzës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare (TPI) për ish-Jugosllavinë, burrat dhe të rinjtë myslimanë u ekzekutuan me gjakftohtësi, ndërsa trupat e tyre pastaj u varrosën nëpër varreza masive. Me mijëra civilë u arratisën në qendrat e banuara përreth Srebrenicës.
Njësitë e ushtrisë së RS filluan një operacion të madh “gjuetie” dhe kapën me mijëra boshnjakë të arratisur. Pas kësaj u radhitën grupe me nga 200-300 civilë dhe u ekzekutuan me breshëri kallashnikovësh. “Më 16 korrik, brenda vetëm katër orësh ekzekutuam 1200 civilë”, - do të deklaronte më vonë Drazen Erdemovic para TPI. Atë kohë, Abid Efendiq ishte 54-vjeçar dhe ishte strehuar në bazën e paqeruajtësve holandezë. Edhe ai, njësoj si shumë të tjerë, iu dorëzua njerëzve të Mlladiçit. Arriti të shpëtonte, sepse me fytyrën e tij plot rrudha dukej si të ishte 70-vjeçar. “Pashë me dhjetëra burra të therur në një arë gruri, pashë koka të prera, vajza të përdhunuara nga dhjetëra ushtarë...”, - dëshmon ai. “Na thërrisnin: ‘Myslimanë, ditë të zeza kanë ardhur për ju! Nuk është më Titoja që t’ju mbrojë!’” - shton ai.
Urdhri për ekzekutimin e meshkujve myslimanë nënkuptonte përfshirjen e të gjithë meshkujve mbi 12-vjeçarë. Presidenti i atëhershëm i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe gjenerali Mlladiç, pas masakrës së Srebrenicës arritën të pushtonin mbi 60 për qind të Bosnjës.
Por ishte pikërisht kjo masakër që e bindi presidentin amerikan, Bill Klinton të ndërhynte në Bosnje, pasi Evropa për tri vjet vetëm po vëzhgonte, e shmangur dhe e ndarë, një tragjedi që po i ndodhte në prag të shtëpisë.
Pas disa muajsh, Washingtoni arriti në tavolinën e Dejtonit t’i ulte boshnjakët, kroatët dhe serbët, megjithëse rezultati i këtij takimi u kufizua vetëm me krijimin e një ndarjeje etnike, gjegjësisht me krijimin e një shteti të ndarë në dy etni, në Republika Srpska - që sot përfshin edhe Srebrenicën - dhe në Federatën Kroato-Myslimane. Tragjedi e Srebrenicës, e jo vetëm ajo, rëndon në ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.