Biblioteka e Vatikanit: 80 mijë dorëshkrime të lashta të arkivuara me teknologji kozmike.
Një lidhje e papritur e veçantë ekziston ndërmjet afër 80 mijë dorëshkrimeve të lashta
të ruajtura në Vatikan dhe teknologjive moderne kozmike. Vërtet, Biblioteka Apostolike
e Vatikanit, është i vetmi institucione kulturor në botë që ka vendosur t’i arkivon
në mënyrë digjitale dorëshkrimet e veta me formatin Fits (Flexible Images Transport
System) përdorur nga Nasa që në fillim të viteve 1960 për të arkivuar informatat e
të dhënat e misioneve astronomike. Ky përcaktim i ri ka qenë në qendër të një sesioni
të veçantë të “Javës evropiane të Astronomisë e Shkencave kozmike” – në program nga
2 korriku deri të shtunën e kaluar pranë Universitetit Papnor të Lateranit në Romë
– kushtuar “Ruajtjes me afat të gjatë të të Mirave kulturore në formatin digjital”
e organizuar nga vet Biblioteka Apostolike. Në mikrofonin e Radio Vatikanit flet
koordinatori i Shërbimeve Informatike të Bibliotekës Luciano Ammenti
Saktësisht
ne përdorim të njëjtin format të konservimit: ky format që quhet Fits, është i njëjtë
me atë që përdor Nasa për konservimin e misioneve të veta në hënë, po ky format i
njëjtë është përdorur edhe nga Biblioteka e Vatikanit e cila, në institucionet e saj,
me në krye prefektin, ka bërë një studim të gjatë rreth mundësive të konservimit dhe
ka vendos që ky format mund të ishte sigurisht ai më i miri i mundshëm për ruajtjen
e dorëshkrimeve të Bibliotekës së Vatikanit.
Pse keni zgjedhur pikërisht
këtë sistem të memorizimit?
Sepse është i vetmi format që është në përdorim
prej mase 45 vjetësh në botën e informatikës dhe është i vetmi që na jep garanci të
jetëgjatësisë, pra të afatit të gjatë të ruajtjes, përveç faktit se është open source,
çka do të thotë krejtësisht falas e krejtësisht i modifikueshëm, e pastaj edhe për
faktin që është një format prej 64 bit, çka do të thotë se file që do të krijohet
me të kanë një madhësi të pakufishme.
Nga pikëpamja teknike a bëhet fjalë
për arkivim të komplikuar?
Është një arkivim i komplikuar, sepse objekti
është tejet delikat. Mirëpo duke përdorur teknologjitë më të mira gjithçka reduktohet
në një kontroll delikat e të vëmendshëm të lëndës me të cilën punohet, sepse natyrisht
që e mira që duhet mbrojtur është ajo e dorëshkrimeve e prandaj mund ta imagjinoni
se asnjë prej këtyre sendeve nuk mund të as të shëmtohet e as të dëmtohet gjatë procesit
të regjistrimit.
A është një format që ende vazhdon të përdorët nga Nasa?
Absolutisht
po e jo vetëm nga Nasa, por – po përsëris – nga bota shkencore ndërkombëtare, që i
ruan të gjithë informacionet që arrijnë nga satelitët mbi tokë e edhe – që prej katër
– pesë vjetësh e këtej – nga Biomedicina apo Mjekësia Bërthamore: të gjitha Tac, tomografitë
e kompjuterizuara i shpëtojnë apo ruajnë të dhënat në formatin Fits.
Kujtojmë
dëgjuesit e Radio Vatikani se Biblioteka Apostolike e Vatikanit ka filluar digjitalizimin
e rreth 80 mijë dorëshkrimeve, që bëjnë pjesë në fondet e saj në mars të vitit 2010.
Sistemi novator i digjitalizimit të dorëshkrimeve të lashta që ka përdorur Biblioteka
e Vatikanit për fondet e saj të dokumenteve, është një projekt tashmë i perfeksionuar,
të cilin sigurisht, mund ta quajmë historik, sepse është hera e parë që të gjitha
dorëshkrimet në dorë të Bibliotekës Apostolike janë digjitalizuar apo regjistruar
e pastaj konservuar, për t’u përdorur në njëmijë mënyra nga studiuesit e nga vetë
biblioteka.
Po përmendim vetëm disa shifra. Janë fotografuar e digjitalizuar
afër 40 milion faqe dorëshkrimesh e dokumentesh të lashta. Rezultatet janë me cilësi
të lartë. Kohë më parë, është bërë edhe faza e kolaudimit, të cilën përgjegjësit e
Bibliotekës Apostolike e quajtën “testbet”, pra kolaudim, i cili qe prova e funksionimit
në miniaturë. Siç u përmend edhe më parë, i njëjti format përdoret edhe nga NASA për
të ruajtur fotografitë e misioneve në kozmos. Pastaj është bërë verifikimi nëse funksionon
krejt rrjeti. Kjo mundëson ruajtjen e materialeve më mirë për të ardhmen, pasi këto
materiale janë digjitalizuar. Me këtë punë do të thotë që dorëshkrimet nuk preken
gjithnjë nga studiuesit. Me digjitalizimin e tyre, studiuesit mund të lidhen edhe
përmes internetit, me një program të veçantë, duke lehtësuar punën e tyre, pasi programi
i kompjuterit kërkon në mesin e dorëshkrimeve atë që studiuesve u duhet e që kërkojnë,
ose gjëra të ngjashme. Pra kërkimi kompjuteristik zëvendëson punën, që duhet për t’i
parë ato një për një e shfletuar me dorë. Natyrisht ekziston një depo e nëndheshme
e godinës së Bibliotekës, ku dorëshkrimet janë ruajtur kohë më parë e ku ruhen ende
sot me shumë kujdes, e ky vendstrehim është sistemuar me disa elemente të reja, siç
është veshja e veçantë kundër pluhurit, sistemi i ngrohjes dhe i ajrit e elemente
tjera që kërkon një mjedis i tillë. Gjatë punimeve që janë bërë viteve të fundit,
përgjegjësit e Bibliotekës kanë ndërtuar edhe një sallë të vogël depoje të veçantë
për papirusa që kanë nevojë për kushte klimaterike të veçanta. Mund të themi që
edhe natyra e shërbimit, e edhe vet atmosfera humaniste e universale që karakterizon
zhvillimin e shërbimin në Bibliotekën e Vatikanit, bëjnë që kjo të mos ketë vetëm
rolin e ruajtjes së librave e të dorëshkrimeve, por që të jetë edhe vend i rëndësishëm
takimi, siç dëshmon edhe historia. Fjalët që Papa Nikolò V pati përdorur, në gjysmën
e 1400-tës, duke folur për idenë e Bibliotekës që ishte duke themeluar, ishin ato
të ndërtimit të këtij instituti të ri për atë që ai e quajti “dobi e përbashkët e
njerëzve të shkencës”. Ka qenë vërtet një risi shumë e rëndësishme, sepse kjo tregonte
se në një farë mënyre bëhet fjalë për një bibliotekë publike, e jo vetëm të rezervuar
për personalin e Kuries Romake apo atë kishtar. Në realitet ky mision - dobia e përbashkët
e njerëzve - është mision që akoma sot Biblioteka Apostolike e Vatikanit përpiqet
ta kryejë. E themeluar nga Papa Siksti IV në vitin 1475, që nga 20 shtatorit 2010,
Biblioteka e Vatikanit, nëse nuk gabojmë, sot ka vënë sërish në dispozicion një thesar
prej 1.600.000 librash e stampash të lashta e moderne; 8.300 inkunabula (prej tyre,
65 në pergamenë), 150.000 kodikë me dorëshkrime e harta të arkivit, 300.000 monedha
e medalje, afër 20.000 objekte të artit. Për ruajtjen e mirë të tyre janë bërë punime
edhe në salla e në mjedise ku ruhen këto dorëshkrimet teje të çmueshme. I tërë
ky thesar i njerëzimit, shoqërohet nga risia teknologjike për ta përshpejtuar e për
ta bërë shërbimin më të sigurt. Natyrisht, pa humbur karakteristikën e saj humanistike,
siç pat theksuar Prefekti i Bibliotekës, imzot Çezare Pazini: “Fryma humanistike –
që në vetë termin lidhet me epokën e themelimit të Bibliotekës Vatikanase – shpreh
mbështetjen e bindur për punën kërkimore të bërë në mënyrë serioze e të dokumentuar,
me durim, me drejtpeshim, me aftësi konfrontimi e me përvujtëri për sukseset, siç
na ka mësuar humanizmi. Kjo frymë kujton pikën e domosdoshme të referimit për çdo
studim, që është njeriu, arsyeja e tij, realiteti i tij shpirtëror, dinjiteti i tij”. Kujtojmë
se në Bibliotekën e Vatikanit shqiptarë gjejnë thesarit e tyre të kulturës, të
historisë e të identitetit, siç dëshmojnë dokumentet e para të gjuhës shqipe, si vepra
e priftit shqiptar dom Gjon Buzukut (1555) “Meshari”, si “Doktrina e Krishtenë” e
Pjetër Budit (1566 (?) – 1623); si “Fjalori latinisht – shqip” i Frang Bardhit (1606-1644);
si “Cuneus Propthetarum de Christo Salvatore Mundi (Çeta e Profetëve) e Pjetër Bogdanit
(1630-1689), si “Përmbledhja e shkurt e Doktrinës së Krishtenë” e Gjon Nikollë Kazazit
(1702-1753) e tjera e tjera shkrime të tjera të rëndësishme për historinë dhe kulturën
e kombit shqiptar.