E diel më 8 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 14-të gjatë vitit
kishtar, e gjithnjë sot më 8 korrik kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët
Akuila e Prishila, bashkëshortë martirë, nxënës të shën Palit, dhe i lumi Eugjeni
III papë. Liturgjia na fton ta pranojmë Jezusin në jetë dhe na kujton se besimi në
Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron e i jep vlera gjithë jetës sonë,
ndërsa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon në çdo hap.
Të hënën
më 9 korrik , do të përkujtohet shën Agostini Zhao Rong, meshtar dhe shokët e
tij, martirë kinezë; shën Adriani III papë; e shën Veronika Gjulianit, abateshë, klarise
kapuçine. Këto figura na nxisin të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk
njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si na
mëson Mateu, kur përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë
e ngjall një të vdekur.
Të martën më 10 korrik, kalendari përkujton
edhe shenjtoret Rufina e Sekonda, dhe Anatolia e Vitorja, martire. Liturgjia e ditës
na kujton se Jezusi është Bariu i Mirë, e kudo shkon, shëron sëmundjet e shpirtit
e të trupit; turmat rendin pas Mësuesin Hyjnor nga të katër anët, ashtu si delet e
lodhura e të këputura, në kërkim të një bariu që të kujdeset për to.
Të
mërkurën më 11 korrik kalendari përkujton shën Benediktin Abat, pajtor i Evropës,
që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekim - e shën Piun I papë. Kisha na fton të
reflektojmë mbi simbolikën e hardhisë e të shermendëve, që na kujton se pa Jezusin,
nuk mund të arrijmë kurrfarë suksesi. E kjo, sepse shermendi nuk mund të japë fryte
i shkëputur nga hardhia. Kështu edhe nxënësi, i shkëputur nga Krishti.
Të
enjten më 12 korrik, kalendari përkujton shën Gjon Gualbertin, abat, themlues
i Valombrozanëve dhe shenjtorët Nabori e Feliçi, martirë milanezë. Liturgjia e ditës
na kujton se bashkësia apostolike e kuptoi mirëfilli se Jezusi i ka besuar misionin
vet për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit, që përkon me shëlbimin e njerëzimit.
Të
premten më 13 korrik bie përkujtimi i shën Enrikut II perandor; e shën Esdrës,
skribë dhe e shën Silës, nxënës i shën Palit. Këta na kujtojnë se misioni i nxënësit
nuk është aspak i lehtë. Ai duhet ta konsiderojë veten pikërisht si delja në mes të
ujqërve, sepse deri familjarët më të ngushtë mund të shndërrohen papritmas në armiq
për vdekje. Do t’i duhet kështu të ndeshet vazhdimisht me urrejtjen, që s’dihet nga
ç’anë vjen. Por nxënësi është i vetëdijshëm se forca e tij është Shpirti i Atit qiellor.
Të shtunën më 14 korrik përkujtohet shën Kamili de Lelis, meshtar,
themelues i Shërbëtorëve të të sëmurëve, që kremtohet në mbarë botën, e edhe në Shqipëri,
nga Motrat mbarështuese të të sëmurëve, siç quhen sot rregulltaret kamiliane në shërbim
të sëmurëve nëpër spitale. Na kujton se nxënësi duhet t’i ngjajë mësuesit, që diti
të përballojë edhe vdekjen. Ajo që ka rëndësi është që Jezusi ta njohë si nxënës të
vërtetë para Atit të Tij që është në qiell.
Të dielën e ardhshme më 15
korrik, Kisha do të kremtojë të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë
më 15 korrik kalendari liturgjik përkujton edhe sën Bonaventurën, françeskan, kardinal,
ipeshkëv i Albanos e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se të gjithë jemi
të thirrur ta kumtojmë Ungjillin e Krishtit dhe secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën
e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave
të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.