Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës
Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik
të Kishës. Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele flet për pritjen dhe për
refuzimin e profetit e të birit të njeriut, flet për besimin dhe mosbesimin në Zotin.
Para propozimeve e thirrjeve të Zotit, njeriu mund të vendos e të përcaktohet për
po dhe për jo; mund ta mbyll apo hap portën e zemrës. Kjo varët nga përcaktimi e nga
zgjedhja e lirë e vullnetit të tij. Por para një njeriu që vullnetarisht e qëllimisht
i mbyll portat, lind pyetja: çka e pengon atë njeri për të mos e pranuar mesazhin
e Zotit? Çka ndërhyn e çka kundërvihet ndërmjet nismës së Zotit, hirit të tij hyjnor
dhe përgjigjes nga ana e lirisë njerëzore? Në pjesën ungjillore të kësaj diele
takojmë njerëz të cilët për arsye të krenarisë së tyre plot xhelozi, nuk duan të pranojnë
që njëri prej tyre, Jezusi, të jetë Bir i Zotit. Atyre u mungon urtësia e përkulshmëria
ndaj nismave të Hyjit, me pak fjalë u mungon përvujtëria. Krenaria e verbër u pengon
atyre ta hetojnë e zbulojnë praninë e Zotit në aspektin e thjeshtë e të rëndomtë njerëzor
të Jezusit: “Po a nuk është ku zdrukthëtar (marangoz), i biri i Marisë, vëllai i Jakobit...e
motrat e tija po a nuk janë këtu ndër ne ?” (Mk 6,3). Ungjilli shton: “ata shkandulloheshin
prej tij” (rr 3), do të thotë që këto dyshime përfaqësojnë pengesën e vërtetë, murin
ndarës që pengon besimin e tyre, ndalon mundësinë e hapjes së tyre para shpëtimit
të Zotit të pranishëm në Jezusin, njeriun e zakonshëm. Po, është e vërtetë, Zoti nuk
i përgjigjet mendësisë së njerëzve e lidhjeve apo marrëdhënieve të kësaj bote, siç
janë familja, zanati, miqësia, farefisi. Duhet të lirohemi prej mendësisë njerëzore
e prej mentalitetit të kësaj bote, nëse duam t’i përgjigjemi e ta përqafojmë Fjalën,
të cilën Hyji e ka dërguar mbi tokë dhe të besojmë në urtinë e tij e në mrekullitë
e tija. Vetëm kush beson mund ta fitojë shpëtimin (Ungjilli). Në Nazaret, bashkëqytetarët
e Jezusit çuditeshin për predikimin tij dhe për mrekullitë që ai bënte, por mbesin
në mosbesimin e tyre: si mundet një njeri, që njihet e dihet në vendin e tyre, të
bëjë mrekulli të tilla?. Këta harrojnë se feja është gjithmonë një “dhuratë që vjen
nga lartë”. Kështu, pjesa ungjillore e kësaj së diele përmbyllet mes dy parantezash
të çuditjes e mahnitjes: ajo e banorëve të Nazaretit – “ E shumica duke e dëgjuar
çuditeshin” dhe ajo e Jezusit – “ E çuditej për mosbesimin e tyre”. Jezusi nuk e
lë askënd indiferent. Mahnitja, çudia shkakton pyetje, nxit kërkimin. Vërtet Marku
menjëherë propozon pesë pyetje – numri klasik i pikëpyetjeve me të cilat Bibla është
përplot, Psalmet janë përplot, pra kemi Jezusin si objekt të mahnitjes, Jezusin si
pikëpyetje. Në Markun, para dy të dielash, dishepujt pyesnin: “Kush vallë është
ky të cilit i bindet era e deti?” (4,41). Në pjesën ungjillore të kësaj së diele,
njerëzit e vendlindjes së tij pyesin e kërkojnë: “Po a nuk është ky Jezusi jonë? Po
a nuk është ky marangozi për të cilin dimë çdo gjë?”. E, në fund të pjesë ungjillore
kemi befasinë e Jezusit, çudinë e dhimbshme të tij se pse nuk është kuptuar, çudinë
e të dashuruarit të refuzuar që vazhdon të dashuroi, që vazhdon të bëjë gjeste, edhe
më të voglat gjeste, për të thënë me zemër të plasur dëshirën e parealizueshme. “E
nuk mundi atyre të bëjë asnjë mrekulli”, thotë Marku, por menjëherë korrigjohet: “Vetëm
vuri duart mbi të sëmurët dhe i shëroi”. Dashuria e refuzuar vazhdon të dashuroj:
shëron pak të sëmurë, por nuk ushqen urrejtje, nuk mban inate. Dashuria nuk lodhet;
vetëm çuditet, por vazhdon ta shëroj jetën.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I parë Ez 2, 2-5
Izraeli
është një popull rebel dhe jo besnik. Ezekieli është internuar së bashku me popullin
e tij dhe i flet popullit në emër të Shpirtit të Zotit. Si shpallës i fjalës së Zotit
ai pranon të njëjtin fat me bashkëqytetarët e tij, por vazhdon të denoncojë pabesnikëritë
e popullit të tij.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Në
ato ditë, një shpirt hyri në mua, më ngriti në këmbë dhe e dëgjova atë që po fliste
me mua. Ai më tha: “Biri i njeriut, unë po të dërgoj tek bijtë e Izraelit, te një
popull kryengri-tësish që kanë çuar krye kundër meje. Ata dhe etërit e tyre kanë mëkatuar
kundër meje deri në ditën e sotme. Njerëzit, tek të cilët po të dërgoj, janë kokëfortë
e zemër-gur. Ti thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj! Dëgjuan ose s’dëgjuan – sepse janë
pjellë e keqe – megjithatë le ta dinë se në mesin e tyre është profeti!” Fjala
e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Psalmi 123 Sytë tanë
janë të kthyer drejt Zotit
Drejt teje po i ngre sytë e mi, drejt teje
që banon në qiell. Qe, porsi sytë e shërbëtorëve drejt dorës së zotërinjve të
vet.
Porsi sytë e shërbëtores drejt duarve të zonjës së vet, ashtu priren
sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, derisa të ketë mëshirë për ne.
Ki
mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse për së tepërmi na kanë
mbuluar me përbuzje. Sepse u ngi tepër më shpirti ynë me përqeshje të të ngopurve, me
përbuzje të krenarëve.
Leximi II : 2Kor 12,7-10 Pali tregon përvojat
e tij mistike dhe pohon se ka një ferrë të mistershme në trup, ndoshta sëmundje apo
vuajtje me qëllim që të mos bjerë në tundimet e mendjemadhësisë. Ai është munduar
ta largojë, por tani e pranon me përvujtëri. Hyji zgjedh për misionin e tij njerëz
normalë, që janë të kufizuar dhe mëkatarë. E pikërisht në dobësi Zoti na qëndron
afër.
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër,
që të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një
ferrë – engjëlli i djallit – për të më rrahur që të mos krenohem. Për këtë gjë tri
herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m’u përgjigj: “Të mjafton hiri im,
sepse fuqia përsoset në ligështi.” Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe
më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit. Prandaj kënaqem
në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak
të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë, atëherë jam i fortë. Fjala e Zotit. Falënderojmë
Hyjin
Aleluja. Aleluja. Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Atyre
që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit. Aleluja.
Ungjilli
Mk 6, 1-6
Jezusi ndërsa shpall Ungjillin në qytetin e tij, ngjall disa
kontradikta mbi personin e tij: disa mahniten nga dituria e tij, të tjerët skandalizohen
dhe e refuzojnë. Ungjilltari sheh në këtë fakt se për të ndjekur Ungjillin është
e nevojshme të thyhen disa mentalitete. Për Jezusin, të afërmit e tij dhe atdheu i
tij nuk janë ata që kanë thjesht një lidhje gjaku apo shoqërore me të, por të gjitha
ata që besojnë në Të dhe pranojnë e jetojnë Ungjillin e tij.
Leximi i Ungjillit
shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi u nis prej andej e shkoi në vend
ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në
sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto? Ç’është
kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tija? Po a nuk
është ky zhdrukthëtar, i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit?
Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tija?”. Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder
vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” Dhe nuk mundi aty
të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. E
çuditej për mosbesimin e tyre. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o
Krisht
Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund
të dëgjoni edhe këtu..........