2012-07-06 18:46:59

Vizita e Papës në Liban dhe ndikimi i saj i mirë në vend


Benedikti XVI do të vizitojë Libanin nga data 14 deri më 16 shtator të ardhshëm. Arsyeja e këtij shtegtimi apostolik të Atit të Shenjtë Ratcinger është e shumëfishtë: vizita e të krishterëve të Libanit e atyre që janë në Lindje të Mesme, nënshkrimi dhe dorëzimi i dokumentit që doli nga punimet e Sinodit të ipeshkvijve, që u mbajt në Vatikan para dy vjetësh, pikërisht mbi Kishat e të krishterët në Mesdhe dhe takimi me liderët e feve monoteiste të rajonit. Kështu, rasti i shtegtimit të 25-të papnor ndërkombëtar të Benediktit XVI në Liban, është mu nënshkrimi dhe dorëzimi i dokumentit ‘Këshillimi apostolik pas-sinodal’ për Lindjen e Mesme të krishterëve të këtij rajoni, në një kohë të veçantë shndërrimesh shoqërore. Gjatë tre ditëve, Ati i Shenjtë Ratcinger do të shqiptojë 7 fjalime, do të nënshkruajë dokumentin pos Sinodal për Kishat e Lindjes së Mesme, do të takojë autoritetet më të larta shtetërore e politike dhe krerët e islamit në Liban. Pra, një vizitë e shkurtër e Papës në Liban për t’i përqafuar të gjithë popujt e Lindjes së Mesme, me domethënie të madhe fetare e shoqërore.
Dokumenti pas-sinodal, fryt i Asamblesë së veçantë të Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme të tetorit 2010, sipas vikarit apostolik të latinëve në Bejur, imzot Paul Dahdah, do të ketë “një thirrje drejtuar mbarë shoqërisë mesdhetare, të krishterëve të Rajonin që të mos emigrojnë, thirrje për bashkëjetesën paqësore e dialogun”. Kjo përfaqëson një sfidë për Kishat mesdhetare të ndara në ritet e tyre: “ duhet të mos harrojmë se nuk jemi as të Pali, as të Apolit, as të Kefës, por jemi të Krishtit”. Në fjalët e imzot Dahdah nuk mungon as shqetësimi për atë që është duke ndodhur në Siri e në Vende tjera mesdhetare, në të cilat nuk shihen “filizat, nuk duken shenjat e zgjimit” të asaj që në Perëndim të gjithë e quajnë “Pranverë arabe”. Prandaj, vizita e Papës pritet me shumë gëzim por me interes të veçantë, e pavarësisht nga situata jo fortë e qëndrueshme brenda e jashtë Libanit, posaçërisht në Siri, sigurisht do të ketë ndikim të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.