2012-07-06 15:40:05

Qëllimi i lutjes së Papës gjatë korrikut: që të gjithë njerëzit të kenë punë të sigurt.


Kriza, papunësia, vështirësitë e ndryshme të jetës së përditshme janë në qendër të shqetësimeve të Papës Benediktit XVI, për çka i fton besimtarët t’i luten në mënyrë të veçantë Hyjit gjatë këtij muaji korrik. “Që të gjithë njerëzit të kenë një punë të sigurt e ta zhvillojnë në kushte të mira”. Kjo është tema tejet aktuale, në epokën e krizës planetare që po përjetohet prej vitesh, për çka Papa kërkon të lutemi Zotit gjatë muajit korrik.
Kriza nuk ka të ndalur, të dhënat e papunësisë janë përherë më shqetësuese, pabarazia, padrejtësia si dhe varfëria në rritje e sipër. E para këtyre problemeve e ardhmja e njerëzimit duket vërtetë është tejet e paqartë. Prandaj Papa kërkon të lutemi Hyjit e të reflektojmë mirë mbi këto probleme të përbashkëta të njerëzimit.
“Ndoshta sot, më shumë se kurrë, shoqëria civile e ka kuptuar se vetëm me stile jetese të frymëzuara nga thjeshtësia, solidariteti e përgjegjësia, është e mundur të ndërtohet një shoqëri më e drejtë e një ardhmëri më e mirë për të gjithë” (Fjalim administratorëve të Lacios, 12 janar 2009).
Puna, për të krishterët, bëhet lutje e përditshme, ashtu siç bëhej edhe për Jezusin: Biri i Zotit, kujton Papa, iu kushtua për shumë e shumë vjet punës së krahut, aq sa të njihej si ‘biri i marangozit’. Por pa e harruar kurrë lutjen, madje duke e kthyer vetë punën në lutje.
Gjatë shtatë vjetëve të Papnisë, Benedikti XVI ka folur shumë herë, e me shqetësim, për botën e punës dhe njerëzit e saj. Për Papën, në politikat ekonomike, vendin e parë duhet ta kenë punëtorët e familjet e tyre, sepse kapitali më i çmuar, që duhet mbrojtur e duhet vlerësuar, është pikërisht njeriu. Prej këndej, pohon Papa, pikësynimi parësor i qeverive duhet të jetë sigurimi i punës për të gjithë. Prandaj Papa mendon gjithnjë me shqetësim të thellë për të papunët e njerëzit, që jetojnë në kushte të vështira.
Të dashur punëtorë e punëtore... Kisha nxit, përkrah e inkurajon çdo përpjekje që synon t’u sigurojë të gjithëve një punë të sigurt, dinjitoze, të vazhdueshme. Papa është pranë jush, pranë familjeve tuaja, fëmijëve tuaj, të rinjve tuaj, pleqve tuaj e ju çon të gjithë, me zemër, para Zotit” (Fjalim pjesëmarrësve të shtegtimit të dioqezës së Ternit, 26 mars 2011).
Benedikti XVI denoncon spekulimet e flet për përdorim të keq, a shpërdorim, të financës, gjë që e ka dëmtuar rëndë ekonominë reale; nënvizon se vitet e fundit është rritur një klasë kozmopolite drejtuese, e cila shpesh u përgjigjet vetëm interesave të aksionistëve. Një nga shkaqet kryesore të krizës, për Papën, është rendja e ethshme pas parasë, pas fitimit me çdo rrugë e me çdo kusht:
Kurnacëria njerëzore është idhujtari. Ne duhet ta denoncojmë këtë idhujtari, që është kundër Zotit të vërtetë, është zëvendësim i fytyrës së Zotit me një Zot tjetër, “mamonën”. Duhet ta bëjmë këtë trimërisht, por edhe konkretisht” (Takimi me klerin romak, 26 shkurt 2009).
Papa foli edhe kundër shfrytëzimit të punëtorëve, posaçërisht të emigrantëve, të cilët gjithnjë më shpesh përdoren si të mos ishin njerëz, por mall tregu; kërkon që puna, posaçërisht për gratë, të harmonizohet me familjen, e të respektohet pushimi i së dielës, sepse njeriu nuk duhet të shndërrohet kurrë në skllav të punës. Kriza e sotme, me gjithë pasojat saj, mund të krijojë edhe mundësi të reja për rishikimin e modeleve të zhvillimit e të stileve të jetesës.







All the contents on this site are copyrighted ©.