2012-07-06 19:11:20

Papa: më 7 tetor shën Gjoni i Avilës e shën Hildegarda e Bingenit do të shpallen doktorë të Kishës.


Më 7 tetor, në hapje të Sinodit, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, do të shpallë dy doktorë të ri të Kishës: shën Gjonin e Avilës, edukator i madh i meshtarëve i njohur sidomos në Amerikën latine, dhe shën Ildegarden nga Bingeni i Gjermanisë, abateshë benediktine, mistike e madhe e personalitet i kulturës enciklopedike”. Kështu u shpreh kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës së Vatikanit për çështjen e shenjtorëve, në një intervistë dhënë gazetës së Selisë së Shenjtë, l’Osservatore Romano.
“Abatesha, shën Ildegarda është jashtëzakonisht e njohur në botën gjermane, posaçërisht në fushën e kulturës laike, si për shembull për muzikë apo për njohjet e saj në fushën e botanikës. Për Kishën, Ildegarda është e rëndësishme për jetën e saj shembullore, për doktrinën e saj shpirtërore e teologjike. Kërkesa për këtë shpallje ka ardhur nga episkopati gjerman qysh në vitet 1970-ta” siç pohon një dokument “i gjetur në arkiv nënshkruar nga të gjithë ipeshkvijtë katolikë gjerman të kohës: nënshkrimi i tretë është ai kardinalit të atëhershëm Jozef Ratcinger”, që tani si Papës, “më 10 majin e kaluar, shpalli dekretin e kanonizimit të barasvlershë të Idelgandës, do të thotë të përhapjes së kultit liturgjik në nder të saj në mbarë Kishën”.
E ishte personalisht Ati i Shenjtë Benedikti XVI, që gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kremtuar pas Meshës së solemnitetit të Rrëshajëve, më 27 majin e kaluar në Vatikan, personalisht njoftoi se më 7 tetorin e ardhshëm, Shën Gjoni i Avilës e Shën Hildegarda e Bingenit do të shpallen Doktorë të Kishës universale. Në përshëndetjet drejtuar me atë rast besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI tha se këta janë dy dëshmitarë të mëdhenj të fesë. Prandaj Shën Gjonin e Avilës dhe Shën Hildegardën e Bingenit, më 7 tetorin e ardhshëm do të shpallen Doktorë të Kishës, pikërisht për të shënuar fillimin e Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar Ungjillëzimit të ri dhe hapjen e Vitit të Fesë, shpallur për të përkujtuar 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit.
Gjoni e Hildegarda jetuan në epoka e mjedise të ndryshme kulturore, sqaroi Papa, por shembulli i tyre e mësimi i tyre vijojnë të jenë me vlerë për të gjitha kohët:
“Hildegarda ishte murgeshë benediktine në zemrën e Mesjetës gjermane, mësuese e vërtetë teologjie e studiuese e thellë e shkencave natyrore dhe e muzikës.
Gjoni, prift dioqezan në vitet e rilindjes spanjolle, mori pjesë në përtëritjen e mundimshme kulturore e fetare të Kishës e të shoqërisë në agimet e kohëve moderne. Por shenjtëria e jetës dhe thellësia e doktrinës, i bëjnë përjetësisht aktualë : hiri i Shpirtit Shenjt u priu në përvojën e kuptimit të thellë të zbulesës hyjnore e të dialogut të urtë me botën, që përbëjnë horizontin e përhershëm të jetës e të veprimtarisë së Kishës”.
Këta dy Shenjtorë e Doktorë, shtoi Papa, mbeten me vlerë të madhe për çdo kohë e, sidomos, për kohën tonë:
“Edhe në ditët tona, përmes mësimit të tyre, Shpirti i Zotit të ngjallur vijon ta bëjë të dëgjohet zërin e tij e të ndriçojë rrugën kah e Vërteta, e vetmja që mund të na bëjë të lirë e t’i japë kuptim të plotë jetës sonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.