Më 5 korrik kalendari kujton Shën Antonin Maria Zakaria
Më 5 korrik kalendari Kishtar kremton Shën Antonin Maria Zakaria, themelues i rregulltarëve
Barnabitë. Antoni lindi në Kremonë të Italisë më 1502 në një familje me origjinë
gjenoveze. E ëma, mbetur e vejë që në moshën 18 vjeçe, nuk deshi të martohej më. Iu
kushtua e tëra edukimit të të birit. Frytet e mira nuk do të vononin. Një ditë të
ftohtë dimri, Antoni u kthye në shtëpi pa mantelin prej leshi: ia kishte falur një
të varfëri që dridhej nga e ftohta. Gjatë viteve që kaloi në Pavi, ku studionte mjekësinë,
iu kushtua mësimit, larg jetës së zhurmshme studentore. Vishej si të varfrit, ndonëse
i përkiste një familjeje të pasur.
Edhe profesionin e mjekut e ushtroi për
e pranë të varfërve, duke ua mjekuar falas sëmundjet e trupit e të shpirtit e duke
çuar kudo shkonte, paqen e Zotit. Më 1528 u shugurua meshtar. E la përsëri vetëm nënën,
si në vitet e studimeve, e u vendos në Milano, ku së bashku me Giakomo Morigen dhe
Bartolomeo Ferrarin themeloi Kongregatën e Klerikëve rregulltarë të Shën Palit, të
njohur si barnabitë, nga emri i Kishës milaneze të Shën Barnabës, pranë së cilës lindi
shtëpia nënë.
Qëllimi ishte nxitja e reformës së klerit e të shekullarëve.
Shumë shpejt, pranë Kongregatës mashkullore lindi edhe dega e Motrave Engjëllore,
për reformimin e kuvendeve femërore. Fjala reformë asokohe ishte në rend të ditës.
E Antoni, së bashku me shenjtorët e shumtë të kohës, dha një kontribut të shquar për
përgatitjen e Koncilit të Trentit, që do të realizonte pikërisht reformën e madhe
katolike. Adhurues i Eukaristisë, themeloi praktikën e 40 orëve të adhurimit të të
Shenjtnueshmit Sakrament të Eukaristisë.
Vdiq pa i mbushur ende 37 vjetët,
më 5 korrik 1539, në shtëpinë ku kishte lindur e ku kishte shkuar, duke e ndjerë se
po i soseshin forcat, gjatë njërit prej misioneve të shumta të lutjes e të predikimit
që zhvillonte vazhdimisht në Italinë veriore.
Dha shpirt me kryet mbështetur
në prehrin e nënës guximtare, e cila kishte pranuar jetën vetmitare, vetëm për të
mos e penguar të birin të kryente misionin e tij të madh, që vijon ndër qindra shtëpitë
e dy degëve të Kongregatës së tij, përhapur në shumë vende të botës, si dhe në Shqipëri
e në Kosovë, ku sot Barnabitët e Motrat Engjëllore janë në festë. Shën Anton Maria
Zakaria na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë
t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e tronditin,
nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund
ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit.