2012-07-04 12:32:14

Koncilet e para në historinë e Kishës katolike


1. Koncilet e para në historinë e Kishës katolike.
E kujtojmë shumë shpesh termin ‘koncil’ posaçërisht tani, në prag të 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit, që përkon edhe me Vitin e Fesë.
Por, ç’do të thotë koncil? Ç’na tregon historia e Kishës për koncilin e për mbledhjen e koncileve në rrjedhë shekujsh? Kur u mblodh koncili I e pse? Ç’vend zë Kisha katolike shqiptare në mbledhjet e koncileve?
Pikërisht historisë së Koncileve po i kushtojmë një cikël të veçantë, duke nisur nga shpjegimi i konceptit ‘koncil’ e duke vijuar me historinë e Koncileve të para të Kishës katolike universale.
Koncepti kishtar ‘koncil’ (së pari quhej edhe sinod) ka shumë mundësi të ketë rrjedhur nga pohimi i Krishtit: “Ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre”. Concilum vjen nga latinishtja e do të thotë takim. Është pra, mbledhje e ipeshkvijve të Kishës katolike, të thirrur ligjërisht për përcaktimin dhe interpretimin ortodoks apo të drejtë, të doktrinës, për të hedhur poshtë gabimet dhe herezitë si dhe për të dhënë orientime të përgjithshme për problemet me karakter moral. Ndërsa termi ‘ekumenik’ vjen nga ‘ecumene’, që do të thotë “shtëpia, ku jetojmë të gjithë”. Me kalimin e kohës, në përpjekjen për t’i dhënë Kishës ligje të shqyrtuara e të miratuara nga shumica e ipeshkvijve, kuptimi i konceptit ‘koncil’ u zgjerua, duke përfshirë edhe konceptin e autoritetit e atë organizativ-disiplinor. Koncil, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, është ai ekumenik, ose universal, mbledhje, në të cilën marrin pjesë të gjithë ipeshkvijtë e Kishës katolike, kardinajtë dhe eprorët e përgjithshëm të kongregatave rregulltare. Koncili thirret e kryesohet nga papa, i cili jep udhëzimet për argumentin, që do të diskutohet ose që do të përcaktohet, si dhe për procedurën, që do të ndiqet.
Tetë Koncilet e para të historisë së Kishës, shpesh herë u thirrën edhe nga perandorët e Lindjes, që asokohe quheshin cesaropapistë, sepse njëkohësisht krerë absolutë të shtetit e të Kishës.
Numri dhe autoriteti i koncileve ndryshon sipas Kishave të krishtera. Kisha katolike, përveç koncileve të mijëvjeçarit të parë të krishterë, duke nisur nga ai i Jerusalemit (viti 50 mbas Krishtit), organizuar para shkëputjes së madhe, i konsideron ekumenike edhe koncilet e thirrura në mijëvjeçarin e dytë, pa pjesëmarrjen e Kishës ortodokse e të Kishave që i përkisnin Reformës Protestante.
Në shekujt e parë të jetës së Kishës së krishterë nuk u diskutua fare për përcaktimin e kritereve, mbi bazën e të cilave një koncil mund të konsiderohet vërtet ekumenik. Problemi lindi më vonë, me shtimin e numrit të sinodeve apo të koncileve e, sidomos, me thellimin e ndryshimeve doktrinore ekleziologjike ndërmjet Kishës së Romës e të Kostandinopojës. Vetëm atëherë u vendos të sqarohen përfundimisht çështjet më problematike doktrinore, që po shënonin çarjen e parë të madhe. E çështja më e diskutueshme ishte, e vijon të jetë edhe pas dymijë vjetësh, ajo e parisë së Selisë së Romës apo një selie tjetër apostolike.
Deri në vitin 1122, Koncilet kryesore u mbajtën në Lindje.
Pastaj, që nga Konkordati i Uormsit (1122) Kisha fitoi të drejtën për zgjedhjen dhe emërimin e ipeshkvijve. Trembëdhjetë koncilet tjera, pas kësaj date, u mbajtën të gjitha në perëndim.
Nga të trembëdhjetët, dhjetë përballuan probleme disiplinore, që kishin të bënin kryesisht me luftën kundër herezive. Tre të fundit: Koncili Tridentin (1545-63), Koncili I i Vatikanit(1869-70) dhe Koncili II i Vatikanit(1962-65) ishin universalë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, si për pjesëmarrjen e ipeshkvijve, ashtu edhe për vendimet, që morën, me ndikim të fuqishëm në përtëritjen e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.