2012-07-03 08:30:36

Benedikti XVI: Toma apostull është shembull në përcaktimin e ndjekjes së Jezusit.


Në audiencën e përgjithshme mbajtur në Vatikan më 27 shtator 2006, Benedikti XVI solli shembullin e Tomës Apostull, dyshimet e të cilit na ngushëllojnë kur ndjehemi të pasigurt.
Kështu, duke vijuar ciklin e katekizmit të tij kushtuar apostujve, Papa Jozef Ratcinger, në audiencën e 27 shtatorit 2006, mbajtur në Vatikan, foli për Shën Tomën, Apostull dhe uroi që të na e ushqejë fenë, të na e forcojë shpresën e të na e ndezë dashurinë, ai që, në sa Jezusi nisej për në Betani për të ngjallur Lazrin, shprehu vendosmërinë ta ndiqte Mësuesin deri në fund, edhe në se do t’i duhej të vdiste bashkë me të.
Pastaj kujtoi se në Darkën e mbrame të Jezusit me Apostujt, Toma i kërkon Jezusit shpjegime, duke shprehur kështu aftësinë tonë të paktë për të kuptuar, por njëkohësisht edhe besimin e njeriut, i cili pret dritë e forcë nga ai që është në gjendje ta japë. E akoma: Toma është ai që nuk e besoi menjëherë Ngjalljen e Krishtit, për të shprehur më pas besojmën më të ndritur të fesë, që gjendet në Besëlidhjen e Re të Biblës, duke brohoritur: “Zoti im e Hyji im!”. Toma – shpjegoi Papa Benedikti XVI duke cituar Shën Agostinin – shikonte e prekte njeriun, por dëshmonte besimin e vet në Hyjin, të cilin nuk e shikonte e as nuk e prekte”.
Prej këndej rëndësia e figurës së këtij Apostulli për të gjithë neve. Ai ka rëndësi: “Së pari, sepse na ngushëllon kur ndjehemi të pasigurt; së dyti, sepse tregon që dyshimi mund të çojë në përfundime të shkëlqyera, që shlyejnë çdo pasiguri e, së fundi, sepse fjalët që ai i drejton Jezusit na kujtojnë kuptimin e vërtetë të fesë që ka fituar pjekurinë e na inkurajojnë të vijojmë, pavarësisht nga vështirësitë, në rrugën tonë të bashkimit me Zotin”.
Benedikti XVI kujtoi edhe se në emër të Tomës u shkruan Veprat dhe Ungjilli i Shën Tomës, që të dyja apokrife, por gjithsesi të rëndësishme për studimin e zanafillës së krishterimit. Më pas, në audiencën e 27 shtatorit 2006, mbajtur në Vatikan, Papa Benedikti XVI shpjegoi se, sipas një tradite të lashtë, Toma ungjillëzoi më parë Sirinë e pastaj Persinë, duke u shtyrë në shtegtimin e tij ungjillëzues, deri në Indi. Në këtë perspektivë misionare, Benedikti XVI uroi që Shën Toma ta kalitë gjithnjë më shumë fenë tonë në Krishtin e Gjallë e Shpëtimtarin e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.