2012-07-02 16:11:18

Papa me 4 tetor në Loreto për t’ia besuar momentet dhe ngjarjet e rëndësishme të Kishës Virgjërës Mari


Më 4 tetorin e ardhshëm, Papa Benedikti XVI do të shtegtojë në Loreto të Italisë, pranë Shenjtërores së Zojës së Bekuar, për t’ia besuar Virgjërës Mari rezultatet e sinodit të ipeshkvijve mbi Ungjillëzimin e Ri dhe Vitin e Fesë. Në Shenjtëroren e Zojës në Loreto, Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger dëshiron të përkujton skenën e Çenakullit kur Virgjëra Mari lutej pranë Apostujve që po përgatiteshin për fillimin e misionit të tyre. Sipas kryeipeshkvit përgjegjës të Shenjtërores lauretane, imzot Giovanni Tonucci, kjo vizitë papnore pasqyron një vlerë të jashtëzakonshme kishtare e shpirtërore, edhe pse ky shtegtim bie 50 vjet pas vizitës së Papës Gjonit XIII bërë në Loreto në vigjilje të Koncilit të II të Vatikanit.
E s’ka dyshim që shtegtimi i Papës Benediktit XVI në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Loreto, si përherë, bëhet në momentet themelore të Kishës, duke iu drejtuar Marisë për t’i kërkuar pikërisht Asaj t’i shoqërojë e ndihmojë besimtarët e Kishën mbarë në udhën e fesë. Kështu Papa Jozef Ratcinger do të tërheqë vëmendjen e mbarë Kishës duke ftuar të reflekton mbi punët e veprimtaritë që janë bërë që nga Koncili II i Vatikanit e gjatë këtyre 50 vjetëve deri në ditët tona, pastaj mbi rezultatet e Sinodit të ardhshëm dhe Vitin e Fesë që do të përurohet pikërisht në tetorin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.