2012-07-02 15:19:08

Nga data 3 korrik Papa transferohet në Kastelgandolo, ndërpriten audiencat private gjatë periudhës verore.


Nga dita e nesërme 3 korrik, Benedikti XVI do të transferohet nga Vatikani në Pallatin Apostolik të Kastelgandolfit. Në periudhën verore – lexohet në një deklaratë të Prefekturës së Shtëpisë Papnore – janë ndërprerë të gjitha audiencat private. Audiencat e përgjithshme ditën e mërkurë – ndërpriten gjatë muajit korrik - për të vazhduar sërish nga e mërkura e parë e gushtit në Kastelgandolfo. Ditëve të diela e në solemnitete të periudhës verore lutja mariane e Engjëllit të Tënzot në mesditë do të zhvillohet në Pallatin Apostolik në Katelgandolfo. Kështu pra, javët e ardhshme Papa Benedikti XVI do t’i kalojë duke iu përkushtuar pushimeve e natyrisht edhe punës, por larg ceremonive, pritjeve e audiencave zyrtare, duke përjashtuar kremtimin e Lutjeve të Engjëllit të Tënzot të dielave e festave.
E kështu pra, edhe Papa Benedikti XVI do të kalojë një periudhë pushimi në Kastel Gandolfo, pas veprimtarive të dendura të një viti të gjatë pune. E kujtojmë se vitin e kaluar, sapo arriti në selinë papnore në fillim të korrikut, u duk në ballkonin që bie mbi Sheshin e Kastel Gandolfos, për t’i përshëndetur besimtarët që, sipas traditës, ishin mbledhur për t’i uruar mirëseardhjen Papës, e Ati i Shenjtë Ratcinger mes tjerash tha: “Faleminderit miq, sapo arrita, për të filluar pushimet e mia e këtu në Kastel Gandolfo unë gjej gjithçka: malin, liqenin, detin, një Kishë të bukur me fasadë të re, e, sidomos, gjej njerëz të mirë. E kështu jam tejet i lumtur që erdha mes jush. Shpresojmë se Zoti do të na dhurojë pushime të gëzuara. Ju jap me gjithë zemër, bekimin tim. Ju bekoftë Zoti i gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirti Shenjt. Faleminderit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.