Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit ‘B’
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të
dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së
13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. Liturgjia
e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele i këndon jetës që Zoti na ka dhuruar dhe ripohon
se Ai nuk e do vdekjen tonë, siç thotë leximi i nga libri i Urtisë. Ndërsa pjesa e
Ungjillit na propozon Jezusin, si dhuruesin e jetës. Kështu, Liturgjia e Fjalës së
Zotit na fton të reflektojmë mbi vlerën vërtetë të jetës njerëzore dhe mbi përvojën
e takimit personal me Krishtin e me Fjalën e tij si burim jete: “Fjalët tua, o Zot,
janë shpirt e jetë”, ky pohim mund të themi se është tema dhe përmbledhja e kremtimit
të Fjalës së Zotit të dielës së 13-të. Leximet biblike të Meshës së dielës, kësaj
here, përqendrohen pra mbi kuptimin e jetës, e këndej të vdekjes, në dritën e fesë,
duke na ftuar të reflektojmë e të zbulojmë bukurinë dhe kuptimin e vërtetë të ekzistencës.
Pra Leximi i parë nga Libri i Urtisë (Urt 1,13-15; 2, 23-24) dhe pjesa e Ungjillit
nga Marku (Ungjilli Mk 5,21-43) flasin mbi pavdekshmërinë e jetës e ringjalljen; leximi
i dytë nga Letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 8,7.9.13-15) flet
mbi solidaritetin, bujarinë dhe ndarjen vëllazërore me të varfrit të të mirave shpirtërore
e materiale, si shenjë dalluese e jetës së vërtetë të krishterë. Pjesa e Ungjillit
e kësaj së diele, tregon dy përvoja feje. E para tregon për gruan e sëmurë prej 12
vjetësh, feja e së cilës gati gati është besëtytni. Gruaja mendon: më mjafton ta preki
petkun e Jezusit. Nuk ka rëndësi nëse nuk mund të bisedoj, të jem sy më sy me Të,
thua sikur manteli të ishte hajmali, e relacioni ndërmjet të prekjes e shërimit të
ishte diçka automatike dhe i menjëhershëm. Në kornizën e dytë të Ungjillit kemi një
babai që përjeton fenë e tij; e bija e tij nuk flet, nuk di gjë, është objekt i dashurisë,
jo subjekt i fesë. Ajo është e dashur, e kaq mjafton. Janë eksperienca të fesë së
papërsosur, të fesë parciale, e megjithatë Hyjit i mjafton. Jezusi hyn në jetën tonë
për të na kthyer e ri-dhënë jetën, atë jetë që e mposht vdekjen dhe ngadhënjen në
Amshim. Kështu nga tregimet e ungjillit, Jezusi dëftohet si Zotëria i jetës pasi
që Ai e ka pushtetin për ta falur përsëri jetën e për ta shëruar e rilindur atë. “Shenjat”
që ai bën janë paralajmërim i ringjalljes së ardhshme, pjesëmarrje në jetën e të Ngjallurit,
që i është premtuar të gjithë atyre që besojnë në të. Jezusi, duke shikuar plot
përdëllim sëmundjen dhe vdekjen e njeriut, përmes shenjës që paralajmëron ngjalljen
e tij e ringjalljen tonë, Ai dëftohet e tregohet si Zotëria i jetës. Ashtu sikur Jezusi,
edhe ne duhet t’u japim dorën të gjithë atyre që gjendën në situata vështirësie, ligështie,
dhimbjeje apo vdekjeje, për ti ndihmuar e ndërtuar së bashku një jetë dhe një botë
të re. Leximi i parë marrë nga Libri i Urtisë pohon se “vdekja hyri në botë prej
smirës së djallit”. Njeriu mëkatar e bën përvojën e vdekjes. Por Zoti nuk heq dorë
nga projekti i tij fillestar i njeriut të krijuar për pavdekshmëri e këtë e realizon
duke dërguar Birin e vet, Jezu Krishtin, i cili përmes vdekjes i dhuron jetën të gjithë
atyre njerëzve që besojnë në të. Psalmisti këtë të diele klithë: “Të madhëroj,
o Zot, pse më lirove” . Psalmi (Ps 30 (29) është një këngë falënderimi e mirënjohjeje
për shpëtimin, të cilit i referohet në shumë mënyra e në forma të ndryshme, antitezë
vdekje-jetë. Psalmisti i përkujton Zotit se mund ta lavdëroj e madhëroj vetëm nëse
kthehet në jetë, pra vetëm nëse Zoti e mban atë në jetë. Leximi i dytë pohon :”Çka
ju keni më tepër, me begati, të plotësojë atë çka të varfëve u mungon” . Shkëmbimi
i të mirave në bashkësinë njerëzore e ndërmjet bashkësive të ndryshme bëhet shenjë
vëllazërimi e bashkimi në fenë e Jezusit Zot. Kështu realizohet vullneti i Zoti që
në provaninë e tij hyjnore, me bujari i ka shpërndarë të mirat e veta hyjnore në botën
dhe gjithësinë që ka krijuar, në mënyrë që të gjithë njerëzit të kenë bukën dhe ushqimin
e domosdoshëm për jetesë. Mos t’u japësh vëllezërve e të afërmve të tu të varfër
e nevojtarë atë çka ke më tepër, është vërtetë në kundërshtim me vullnetin e Zotit.
Pjesa Ungjillore nga Marku na tregon për dy mrekulli. Jezusi e shëron gruan që
vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe ringjall vajzën e kryetarit të singagogës.
Kështu Ai na dëftohet se është Zotëria i jetës e se fati i jetës sonë njerëzore është
pikërisht në dorën e tij Hyjnore. Të dy mrekullitë kanë një element të përbashkët
që vlen edhe për ne: fenë në Krishtin Zot. I thirrur të shkruante një kujtim,
me rastin e kushteve të përjetshme rregulltare, i lumi Giacinto Cormier o.p. shënoi
këtë fjali: “ Kryqi pa Jezusin? Është i padurueshëm. Jezusi pa kryq? Është i pakuptueshëm.
Jezusi e kryqi të përqafuar e të pranuar me fe: kjo është zgjidhja e çdo gjëje”. Liturgjia
e Fjalës së Zotit Leximi i parë Urt 1, 13-15; 2, 23-24
Hyji
nuk është përgjegjës për fatkeqësitë që i ndodhin njeriut. Është pikërisht njeriu
që duke kryer të keqen ka tronditur harmoninë e botës dhe ka futur vdekjen që është
e kundërta e veprës krijuese të Hyjit. Zoti do gjithmonë jetën e njeriut dhe të krijesave.
Optimizmi ynë është themeluar mbi ringjalljen e Krishtit që është paralajmërim i ringjalljes
sonë.
Lexim prej Librit të Urtisë
Hyji nuk e krijoi
vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të
jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse dhe në to nuk ka vrer shatërrues
dhe nëntoka nuk e sundon tokën: sepse drejtësia është e pavdekshme. E pra Hyji e
krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shëmbëllesë të përngjasimit të vet;
por, prej smirës së djallit, vdekja hyri në botë dhe do ta shijojnë ata që i përkasin
atij. Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 30 Të
madhëroj, o Zot, pse më shpëtove O Zot, Hyji im, unë të thirra e ti
më shërove, ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka, më ktheve në jetë që të
mos zbres në varr.
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, falënderojeni Emrin
e shenjtë të tij! Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij, e tërë jetën dashamirësia
e tij! Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!
Më dëgjoi Zoti e pati
mëshirë për mua, Zoti u bë ndihmëtari im. Ti vajin ma ktheve në valle, ma
zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare. O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj
për amshim! Leximi i dytë 2Kor 8,7.9,13-15Në sytë e Palit edhe leku mund
të jetë një mjet për të dëshmuar Ungjillin e Krishtit. Ai na ka dhuruar jetën e tij,
e ne përse refuzojmë të bashkohemi me të tjerët? Ndihma ekonomike ndaj vëllezërve
nuk është vetëm një shenjë e thjeshtë solidariteti njerëzor, por është një shpallje
besimi, një dëshmi e Ungjillit. Lexim prej Letrës së dytë të shën Palitapostull drejtuar Korintasve Vëllezër, sikurse edhe në çdo gjë
tjetër, dalloheni në shenjë – në fe, në fjalë, në dije e në çdo kujdes, në dashurinë
tuaj ndaj neve – veçohuni edhe në këtë bujari! Sepse, ju e njihni bujarinë e Zotit
tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni
të pasur me anë të varfërisë së tij. Porse, merret vesh se jo ju të ngushtoheni e
tjerëve t’u lehtësohet, por – për një lloj barazimi. Në këtë rast – çka ju keni më
tepër, të plotësojë sa atyre u mungon, kështu që, një ditë, teprica e tyre ta plotësojë
mungesën tuaj – që të bëhet barazi, siç thotë Shkrimi shenjt: ‘Asgjë nuk i teproi
atij që mblodhi shumë, dhe asgjë nuk i mungoi atij që mblodhi pak.’ Fjala e
Zotit.Falënderojmë Hyjin! Aleluja. Aleluja. Fjalët e tua,
o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti ke fjalët e jetës së pasosur. Aleluja.
Ungjilli
Mk 5, 21-43
Krishti, duke u bërë njeri provon situatat tona të
dhimbjes, të vuajtjes, të vdekjes. Ai merr pjesë në përvojat tona, por provon ndaj
tyre një rebelim të fortë. Mrekullia që Jezusi kryen është si një thirrje revolte
kundër së keqes; por është edhe një shpallje profetike e shpëtimit dhe e çlirimit.
Jezusi nuk godet të keqen vetëm nga jashtë, por e lufton që nga rrënjët duke mundur
vdekjen me ringjalljen e tij dhe duke përuruar një njerëzim të lirë nga çdo e keqe. Leximi
i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, kur Jezusi përsëri kaloi
me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg
të detit. Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair; e, kur e pa, ra në gjunjë
para tij dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi
të që të shërohet e të jetojë!” Jezusi shkoi me të. Një grua ishte e sëmurë dymbëdhjetë
vjet nga derdhja e gjakut. Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka
pati pa farë dobie, ishte edhe më keq. Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë
e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat,
do të shërohem.” Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga
sëmundja. Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll
në midis të turmës e tha: “Kush m’i preku petkat?” Nxënësit e tij i përgjigjën: “Po
a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’!” Ai i rrethoi
me sy për të parë atë që e kishte prekur. Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte
se ç’i ngjau, u afrua, ra para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. Ai i tha: “Bijë, feja
jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!” Ndërsa Jezusi
endo po fliste, erdhën prej të shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza
jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit
të sinagogës: “Mos ki frikë! Vetëm ti beso!” Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush
tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Arritën të shtëpia e
kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e
vajtonin me zë të madh. Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni evajtoni? Fëmija nuk ka vdekur,
por fle.” Ata e përqeshën. Jezusi atëherë i qiti përjashta të gjithë. Me vete mori
të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. E
kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them:
çohu!” Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë
mbetën pa masë të habitur. Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt
ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë. Fjala e Zotit.Lavdi
të qoftë ty, o Krisht!
E tani ta dëgjojmë së bashku emisionin tonë kushtuar
Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele.........