2012-06-30 20:09:59

112-vjetori i lindjes së Atë Zef Valentinit


112-vjetori i lindjes së Atë Zef Valentinit, Jezuit (1900-1979), një jetë e tërë në shërbim të popullit shqiptar. Veprimtaria e misionarëve jezuitë në Shqipëri u përqendrua kryesisht në dy fusha: atë të apostullimit e kulturës. Në këto dy fusha ata shkrinë pa kursim të gjitha energjitë e tyre shpirtërore, intelektuale, morale, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme. Ndërmjet tyre, i paharrueshmi Atë Zef Valentini, njeriu me jetë të lodhshme, jezuiti të cilit iu deshën shumë mund, djersë e shqetësime, për të lënë pas vëllime e vëllime për Shqipërinë e shqiptarët.
Valentini lindi në Padovë më 1 korrik 1900, por jetoi më shumë në Shkodër, ku njohu virtytet racore, vlerat intelektuale e shpirtin patriotik të popullit shqiptar. Këndej, krijoi një lidhje të fortë e të sinqertë shpirtërore, e cila ia ushqeu e ia mbajti gjallë dëshirën fisnike që të punonte për vendin e misionit. Edhe kur u largua nga Shqipëria, s’pushoi së lypuri ndihma e s’u zhyturi ndër arkiva, në kërkim të dokumenteve të reja për historinë e vendit, i cili e konsideronte të padëshirueshëm. Mbeti jashtë tij, por duke jetuar e duke punuar përherë në një mjedis shqiptar. Miqtë e bashkëpunëtorët e tij qenë Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi e tjerë…, me të cilët dha kontributin e vet të vlerësuam e të vlerësueshëm për dobinë e kulturës shqiptare.
I konsideruar si armik nga regjimi komunist shqiptar, i akuzuar si spiun i Vatikanit, i sulmuar me armën e tmerrshme të harresës, Atë Valentini vijon të mbetet një nga figurat më të shquara në kulturën shqiptare e posaçërisht historinë.
E gjatë, lista e veprave që shkroi, duke nisur nga ‘Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para”: ‘Biografi e Garcia Morenos”; përkthimi i ‘Polieucte’ të Kornejt e ‘ Sauli’ të Alfierit; “Studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve’; ‘Kronologji mbi historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII; ‘E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”(1956), “Ligji i maleve shqiptare 1880-1932”(1969); “E drejta juridike shqiptare”; “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”; Revista “Letture” (Themeluar prej tij në vitin 1946 në Itali); “Shkodra dhe poeti i saj” (Kushtuar Ernest Koliqit); ‘Fishta’ (studim për Gjergj Fishtën) etj, etj. Kujtojmë se vetëm në revistën ‘Shêjzat” botoi mbi njëqind artikuj e studime, që prekin të gjitha fushat e kulturës.
Atë Zef Valentini nuk ishte shqiptar, por ndjehej shqiptar; e fliste dhe e shkruante shqipen më mirë se një shqiptar dhe bëri për kulturën shqiptare, atë që pak shqiptarë e kanë bërë.
Për kontributin e madh që dha si njeri kulture e si bari shpirtrash në Shqipëri, e kujtojmë sot me nderim të thellë, duke cituar fjalët që tha për të Papa Pali VI më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në Romë: “Shqiptarë, duenie At Valentinin, se Ai ju dashunon me zemër. Çmonie se Ai punon pa prâ, për t’ia ba të njohun botës vlerat shpirtnore e artistike tueja. Ai asht i jueji, pse ia ka kushtue çashtjes suej menden e zemrën e vet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.