2012-06-29 14:55:26

Papa në festën e shën Pjetrit e Pali: në Kishë forcat e së keqes nuk do të ngadhënjejnë.


Dyert e ferrit nuk do të ngadhnjejnë mbi Kishën, pavarësisht se ajo nuk është e përsosur. Në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Papa Benedikti XVI kremtoi meshën në Bazilikën e Vatikanit dhe u dha palion 43 kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, duke vulosur me këtë gjest, bashkimin e tyre me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Tre prelatëve të tjerë, palio do t’u dorëzohet në selitë e tyre ipeshkvnore. Kisha, theksoi Ati i Shenjtë, është bashkësi mëkatarësh, që kanë nevojë për dashurinë e Zotit e kujtoi premtimin e Jezusit bërë Pjetrit, Apostullit, që e zgjodhi si shkëmb, mbi të cilin do të ndërtonte Kishën e vet.RealAudioMP3
Pjetri e Pali, vëllezër në fenë e Krishtit! Gjatë Meshës, Papa nënvizoi se nëse me Kainin, që vret vëllain e vet, Abelin, tregohen pasojat e mëkatit, me Pjetrin e me Palin, realizohet një mënyrë e re për të qenë vëllezër, jetuar sipas Ungjillit. Sa të ndryshëm, aq edhe të afërt, theksoi Benedikti XVI:
“Vetëm shkuarja pas Jezusit çon në vëllazërimin e ri: ja mesazhi i parë themelor, që na jep solemniteti i sotëm secilit prej nesh. Rëndësia e tij pasqyrohet edhe në kërkimin e bashkimit të plotë, që e dëshirojnë Patriku Ekumenik, Ipeshkvi i Romës dhe të gjithë të krishterët”.
Fjalë, që u drejtoheshin edhe anëtarëve të delegacionit të Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës, ardhur si gjithmonë në Vatikan për festën e dy apostujve shenjtorë. Pikërisht tek misioni i njërit prej tyre, tek misioni që Zoti ia besoi Shën Pjetrit për të qenë guri i këndit i Kishës, u përqendrua më pas Papa. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të Kishës Katolike, me problemet e shkandullet e fundit, Benedikti XVI vuri në dukje se ekzistojnë tensione ndërmjet dhuratës, që vjen nga Zoti, dhe aftësive e dobësisë njerëzore. Ky tension pasqyrohet në historinë e papëve:
“Nga njëra anë, falë dritës dhe forcës, që vijnë nga lart, papati përbën themelin e Kishës, shtegtare në kohë; nga ana tjetër, përgjatë shekujve del në pah edhe dobësia e njerëzve, të cilën mund ta shndërrojë vetëm gatishmëria për të pranuar veprimin e Hyjit”.
Pikërisht në këtë çast të homelisë, Papa kujtoi premtimin e Jezusit se dyert e ferrit, pra, forcat e së keqes, nuk do të ngadhnjejnë. Jezusi, shpjegoi Ati i Shenjtë, bën një premtim shumë më të madh, nga ç’u qe thënë profetëve, të cilët kërcënoheshin nga armiq njerëzorë, ndërsa shën Pjetri duhej mbrojtur nga fuqia shkatërruese e së keqes:
“Pjetri merr siguri për të ardhmen e Kishës e të bashkësisë së re, themeluar nga Jezu Krishti. (Ky premtim) shtrihet në të gjitha kohët, përtej ekzistencës personale të vetë shën Pjetrit”.
Papa kujtoi pastaj, simbolin e çelësave të Mbretërisë Qiellore, të cilat Krishti ia besoi shën Pjetrit, duke i dhënë fuqi për të lidhur e për të zgjidhur. C’do të bësh në tokë, e siguroi, do të bëhet edhe në qiell:
“Paralelizmi “mbi tokë… në qiell” garanton se vendimet e Shën Pjetrit në ushtrimin e funksionit të tij kishtar, kanë vlerë edhe para Zotit”.
Është e qartë, vazhdoi Benedikti XVI, se pushteti për të lidhur e për të zgjidhur ka të bëjë me shlyerjen e mëkateve. Është pikërisht ky hir i jashtëzakonshëm i Hyjit, në zemër të shërbimit të Kishës, që u shterron energjitë forcave të kaosit e të së keqes:
“Ajo (Kisha) nuk është bashkësi të përsosurish, por mëkatarësh, që duhet ta pranojnë se kanë nevojë për dashurinë e Zotit, kanë nevojë të purifikohen përmes Kryqit të Jezu Krishtit”.
Së fundi, duke iu drejtuar metropolitëve, që morën palion, Papa theksoi rëndësinë e përmasës themelore të bashkimit në Kishë:
“Të frymëzuar nga kjo siguri, le të ndjehemi të gjithë, bashkëpunëtorë të së vërtetës, e cila – siç e dimë – është një e vetme, ‘sinfonike’ dhe kërkon nga secili prej nesh e nga bashkësitë tona, impenjim të vazhdueshëm për kthimin e zemrave kah Hyji i vetëm, në hirin e të vetmit Shpirt Shenjt”.
Pas Meshës, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa falenderoi besimtarët e sidomos të rinjtë, të cilët përmes ‘tam-tamit’ në Facebook e në Twitter, u mblodhën sot paradite në shesh për t’i shprehur Benediktit XVI afërsinë e tyre shpirtërore e mbështetjen morale në këto çaste të vështira për Kishën:
“Të dashur miq, ju falenderoj ngrohtësisht për këtë gjest dashurie e për nismat në përkrahje të shërbimit tim apostolik, si edhe për favorizimin e dëshmisë së guximshme dhe aktive të krishterë, në çdo ambient. I llogaris edhe lutjet tuaja në rrugën për t’i shërbyer Kishës me butësinë e forcën e Shpirtit Shenjt”.
Benedikti XVI nuk mungoi të verë në dukje edhe shenjat e qarta të jetës e të vdekjes së Shën Pjetrit e të Shën Palit në historinë e Romës. Martirizimi i tyre, tha Papa, është shenjë e bashkimit të Kishës:
“Shenjtorët Pjetër e Pal shkëlqejnë jo vetëm në qiellin e Romës, por edhe në zemrën e të gjithë besimtarëve, që, të shndritur nga mësimet e nga shembulli i tyre, ecin në udhën e fesë, të shpresës e të dashurisë në çdo anë të botës”.
Në fund, Benedikti XVI përshëndeti delegacionin e Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës, duke iu lutur Zojës së Bekuar t’i udhëheqë të gjithë besimtarët në Krishtin drejt bashkimit të vërtetë e të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.