2012-06-29 15:19:19

Berisha: 100 vjetori i Pavarësisë, festime në mbarë botën


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha theksoi sot në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë se "ky 100 vjetor duhet të festohet në mënyrë dinjitoze në të gjitha vendet ku ka përfaqësi shqiptare, dhe fondet duhet të përdoren në mënyrë sa më efiçente".
"100 vjetori i pavarësisë do të festohet gjithandej botës ku Shqipëria ka përfaqësitë e veta diplomatike. Ta festojmë në mënyrë dinjitoze dhe të përdorim fondet në mënyrë efiçente. Të uniformojmë veprimtaritë dhe sigurisht që mund të zhvillojmë nga më të shumtat se kemi potenciale dhe pasuri për ta paraqitur, por duhet të jemi më racionalë, të bëjmë gjithçka që me fondet e vëna në dispozicion të arrijmë të kemi impaktin më të madh", tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, ky 100 vjetor shënon për Shqipërinë disa ngjarje të mëdha ku veçohet Kryesia e Këshillit të Ministrave të KiE-së.
"Kjo është ngjarje historike. Ata që 100 vjet më parë ngritën flamurin në Vlorë dhe shpallën Pavarësinë u provuan profetë dhe këtë 100 vjetor, Shqipëria e kremton si vend anëtar i NATO-s, si Kryetar i Këshillit të Ministrave të KiE-së dhe në këtë kontekst, Shqipëria ka një axhendë që ka zgjuar interes mjaft të madh që do bazohet në moton "Të bashkuar në diversitet" dhe në dialogun ndërkulturor, ndërfetar. Ky është një mesazh i këtij kombi për të gjitha kombet e tjera", u shpreh kreu i qeverisë.
Sipas Kryeministrit, "është një numër i madh aktivitetesh të parashikuara në kryeqytetet e vendeve të ndryshme të Evropës e botës. Aty ku kemi përfaqësi do të kremtojmë 100-vjetorin dhe kjo është e padiskutueshme, ky festim të ketë impaktin më të madh", theksoi Berisha.
Kryeministri Berisha propozoi që Shqipëria në këtë 100 vjetor të prezantohet me filmin "Besa", dhe me dokumentarin e aktores Eliza Dushku, në rrjetet e specializuara, në kuadër të promovimit të vlerave më të mira të Shqipërisë dhe të turizmit shqiptar.
"Unë pata një eksperiencë të shkëlqyer ne muzeun e Holokaustit, filmi që u shfaq "Besa" përbën një vlerësim te pazëvendësueshëm për të paraqitur këtë komb. Në të gjitha veprimtaritë e mëdha të paraqitemi me këtë film, ky të transmetohet në rrjetet e profilizuara. Artistja e njohur Eliza Dushku ka një dokumentar të shkurtër, të shkëlqyer për Shqipërinë dhe në kuadër të promovimit të Shqipërisë turistike ne duhet të bëjmë gjithçka që të shqyrtojmë mundësitë e shfrytëzimit të këtij dokumentari sigurisht duke zbatuar rregullat", shtoi Berisha.
Kryeministri gjithashtu deklaroi se, të gjitha shpenzimet e 6 alpinistëve që në 25 maj u ngjitën në majën e Everestit, për 100 vjetorin e Pavarësisë, do të jenë në kuadrin e festimit të 100 vjetorit.
"Asnjëherë flamuri s'është ngjitur kaq lart. Ata shënuan një rekord në historinë e sportit shqiptar, të ngjitjeve, duke shënuar një frymëzim për të gjithë të rinjtë. Për të nxitur turizmin malor", tha Berisha duke shtuar se, "në vitin 1971, sipas arkivave, kozmonauti amerikan, Alen Shepard e ngjiti flamurin shqiptar në hënë, ashtu si shumë flamuj të tjerë në shenjë respekti ndaj kombeve. Dokumentat janë në arkivin e shtetit dhe muzeun kombëtar".
Gjithashtu kryeministri Berisha njoftoi se ka përfunduar monumenti për 100-vjetorin e pavarësisë ndërsa ka shtuar se dy vendet e propozuara për t'u vendosur janë parku "Rinia" dhe trekëndëshi midis Bankës së Shqipërisë dhe teatrit të kukllave.
Ndërsa monumenti i Kongresit të Lushnjës, duhet negociuar me kreun e bashkisë së Lushnjës, theksoi Kryeministri. "Do të doja që sheshi qendror të kishte këtë monument. Kongresi i Lushnjës ishte një Pavarësi e dytë, ishte ai që vendosi për Shqipërinë në të cilën jetojmë sot. Por në qendër të qytetit nga diktatori u vendos një monument për kallinjtë e grurit. Duke qenë se ata burra u mblodhën dhe bën atë që u quajt mrekullia shqiptare, regjimi komunist e mori dhe vendosi kallinjtë e grurit. Po ky diktator pat nisur sulmin ndaj Ismail Qemalit, kur pat deklaruar se një grup bejlerësh për interesat e tyre ngritë flamurin në Vlorë, por më pas ky diktator nuk mund më ta mbështesë këtë, pasi ai burrë quhej Ismail Bej Vlora", tha Berisha.
"Do të miratojmë sot vendosjen e monumenteve të Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit. Natyrisht së bashku me Bashkinë e Tiranës, janë bërë diskutimet për vendosjen e tyre. Mendoj që prapë në këtë kuadër duhet që në rrethe, figurat që firmosën aktin e Pavarësisë, që janë vendosur në harresën e historisë për arsye ideologjie të dalin në piedestalin që meritojnë", u shpreh Kryeministri Berisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.