Aktualiteti i solemnitetit të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal
Dy Apostujt, Shën Pjetri - "Shkëmbi", dhe Shën Pali "Mjeti i zgjedhur nga Zoti", të
nisur nga viset e largëta të lindjes në një shtegtim të mistershëm feje e dashurie,
pasi përshkuan troje të huaja e të panjohura, u takuan në Romë për një mision të përbashkët,
për të predikuar Krishtin, të vetmin Shëlbues të botës. Për Të ata do të derdhnin
edhe gjakun pikërisht këtu në kryeqytetin e perandorisë romake, duke i skalitur përgjithnjë
emrat e tyre në historinë e Romës së krishterë. Shtegtimi i tyre është model i shtegtimit
simbolik që është i thirrur të bëjë çdo i krishterë për ta kumtuar Krishtin nëpër
botë. Në besojmën e fesë së Pjetrit në Jezu Krishtit, Zot e Shpëtimtar, mund ta
ndjejmë se jemi të gjithë një gjë e vetme, pavarësisht nga ndarjet që në rrjedhë shekujsh
e copëzuan unitetin e Kishës, me pasoja që vijojnë edhe sot e kësaj dite. Prandaj
në Solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, Kisha vë gjithnjë theksin mbi
kërkimin e ‘bashkimit të plotë’, dëshirë e përhershme e Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës
dhe e Ipeshkvit të Romës. Kujtojmë se Zoti e mbiquajti Simonin - Kefë, që do të
thotë Pjetër – shkëmb. Jezusi pohon kështu se mbi këtë shkëmb dëshiron të themelojë
Kishën e vet e, në këtë perspektivë, i jep Pjetrit Apostull pushtetin e çelësave (cfr
Mt 16, 17-19). Nga këto rrëfime del qartë se besojma e Pjetrit është e pandashme nga
detyra baritore që i besohet lidhur me grigjën e Krishtit. Të gjithë ungjilltarët
nënvizojnë se Shën Pjetri Apostull e shpreh besojmën e tij atëherë kur Jezusi, pas
predikimit në Galile, niset vendosmërisht drejt Jerusalemit, për të përmbushur, me
vdekjen në kryq e me ngjalljen, misionin e tij shëlbues. Nxënësit janë të lidhur ngushtë
me këtë vendim. Jezusi i fton të zgjedhin rrugën që do t’i dallojë nga turma, për
t’u bërë bashkësi njerëzish që besojnë në të, familja e tij, fillesa e Kishës. Në
të vërtetë Jezusin mund ta shikojmë e ta njohim në dy mënyra: njëra është ajo e turmës,
më e cektë, më sipërfaqësore; tjetra – e nxënësve – më depërtuese, më e thellë dhe
më e vërtetë. Me pyetjen e dykuptimtë : “Çka thonë njerëzit, kush jam unë? e “Po ju,
kush thoni se jam?”- Jezusi i fton nxënësit e vet të fitojnë vetëdijen e kësaj perspektive,
që ndryshon nga ajo e turmës. Njerëzit mendojnë se Jezusi është profet. Nuk është
pohim i rremë, por nuk mjafton, është i papërshtatshëm, i pamjaftueshëm. Është e nevojshme
të hyhet shumë më thellë, të njihet veçantia e vetjes së Jezusit të Nazaretit, e reja
që sjell Krishti. Edhe sot është po kështu: shumë i afrohen Jezusit, por duke e
parë thjeshtë nga jashtë. Studiuesit e mëdhenj, që ia njohin lartësinë shpirtërore
e morale dhe ndikimin mbi historinë e njerëzimit, e krahasojnë me Budën, me Konfucin,
me Sokratin, me dijetarë e personalitete të tjerë të mëdhenj të historisë. Por nuk
arrijnë të kuptojnë se ai është unik. Shpesh Jezusi konsiderohet edhe si një nga
themeluesit e mëdhenj të feve, nga i cili gjithkush mund të marrë diçka, për të formuar
bindjet e veta. Si atëherë, njerëzit kanë opinione të ndryshme për Jezusin e, si atëherë,
Jezusi na e përsërit edhe neve pyetjen: “E ju, kush thoni se jam unë?”. E ne, pikërisht
kur na drejtohet kjo pyetje, duhet ta bëjmë tonën përgjigjen e Pjetrit: “Ti je Krishti,
Biri i Hyjit të gjallë!”. Jezusi i besoi Pjetrit një detyrë të posaçme, duke dalluar
në të dhuratën e veçantë të fesë që i kishte bërë Ati qiellor. Prej këndej buron edhe
përvoja unike e Simon Pjetrit. Paralelizmi ndërmjet Pjetrit e Palit është kuptimplotë,
por nuk mund ta zbehë rëndësinë e udhës historike të Simonit me Mësuesin e Zotin e
tij, që i dha qysh në fillim cilësitë e shkëmbit, mbi të cilin do të themelonte bashkësinë
e tij të re, Kishën. Kujtojmë se në Ungjijtë sinoptikë, shpallja e besojmës nga
ana e Pjetrit pasohet gjithnjë nga çasti kur Jezusi kumton mundimet e tij të afërme.
Është një kumt, që e shtyn Pjetrin të kundërshtojë, sepse nuk arrin akoma ta kuptojë
Zotin. E megjithatë është një element themelor, për të cilin Jezusi ngul këmbë me
forcë. Kuptohet, prej këndej, se ngjarja e kryqit e zbulon kuptimin e vet të plotë,
vetëm në se ky njeri, që pësoi e vdiq në kryq, ishte vërtetë Biri i Hyjit. Rruga drejt
lavdisë është rrugë e ngushtë, shkandulluese për nxënësit e çdo kohe, që në mënyrë
të pashmangshme shtyhen të mendojnë sipas mendjes njerëzore e jo sipas Zotit. Edhe
sot, si në kohët e Jezusit, nuk mjafton të kemi besojmën e drejtë të fesë, është e
nevojshme ta mësojmë nga vetë Zoti se Ai është shëlbues e se na e tregon rrugën në
të cilën duhet ta ndjekim. Duhet të pohojmë faktin se edhe besimtari e ka të vështirë
ta pranojë kryqin. Instinkti njerëzor e shtyn t’i largohet e sipas tunduesit, të mendojë
se do të ishte më urti të shpëtosh vetveten, sesa ta humbasësh jetën për hir të besnikërisë
e të dashurisë. Edhe sot shumëkush e ka tepër të vështirë të pranojë se Jezusi
i njeh vetvetes të njëjtin autoritet që ka Hyji. Vetë nxënësit e tij nuk arritën ta
kuptojnë menjëherë se ai ishte ‘Mesia’; u desh të bënin një udhë të gjatë në fe, për
ta marrë vesh këtë të vërtetë. E prandaj edhe feja jonë paraqitet si shtegtim, që
lind nga përvoja e Jezusit historik, e ka themelin në misterin e Pashkëve, por duhet
të përparojë akoma për virtyt të frymëzimit, që vjen nga Shpirti Shenjt.