2012-06-28 15:49:44

Papa Benedikti XVI kujton forcën ekumenike të Koncilit II të Vatikanit para delegacionit të Patriarkatit të Kostandinopojës.


Udha e ekumenizmit duhet të vazhdojë, duke ecur në hapat e hedhura që 50 vjet më parë, me Koncilin II të Vatikanit: kështu u tha Papa, sot paradite, anëtarëve të delegacionit të Patriarkatit Ekumenik të Kostandinpojës, të cilët i priti në audiencë në Vatikan. Siç është traditë, delegacioni do të marrë pjesë në kremtimet e festës së Shën Pjetrit e të Shën Palit në Romë. Benedikti XVI e falenderoi Patrikun Bartolomeu I për impenjimin e tij në dialogun ekumenik dhe në kumtimin e përbashkët të Ungjillit të Krishtit.
Predikimet e Shën Pjetrit e të Shën Palit, të vulosura nga martirizimi i tyre, janë baza e qëndrueshme, mbi të cilën ngihet Kisha, nënvizoi Papa. Në besnikërinë ndaj kësaj feje, të përçuar nga Apostujt, gjenden rrënjët e bashkimit ndërmjet të krishterëve. Ati i Shenjtë kujtoi se në tetor bie 50-vjetori i hapjes së Koncilit II të Vatikanit, ngjarje e jashtëzakonshme, me rëndësi të madhe për ekumenizmin:
“Pikërisht, në përkim me këtë Koncil, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Patriarkatit Ekumenik, si ‘vëllezër delegatë’, filloi një fazë e re dhe e rëndësishme e marrëdhënieve ndërmjet Kishave tona”.
Papa falenderoi Zotin për këtë bashkim të thellë e për rrugën e bërë deri tani nga Komisioni i përzier ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse, dhe uroi të bëhen hapa të tjera përpara:
“Duke përmendur përvjetorin e Koncilit II të Vatikanit, kujtoj figurën dhe veprimtarinë e Patrikut të paharruar ekumenik, Athenagoras, të cilit, pas disa ditësh, i kremtohet 40-vjetori i vdekjes. Patriku Athenagoras së bashku me Papën e lum Gjoni XXIII dhe me Shërbëtorin e Zotit, Papën Pali VI, të frymëzuar nga pasioni për bashkimin e Kishës, që rrjedh nga feja në Krishtin Zot, u bënë promovues të nismave të guximshme, që u hapën rrugën marrëdhënieve të reja ndërmjet Patriarkatit Ekumenik dhe Kishës Katolike”.
Benedikti XVI shprehu kënaqësinë e tij të veçantë për faktin se Bartolomeu I ndjek gjurmët e paraadhësve, duke u dalluar, në nivel ndërkombëtar, për impenjimin në dialogun ekumenik dhe për kumtimin e Ungjillit në botën bashkohore. Papa përfundoi fjalën e tij me lutje:
“Zoti i Gjithpushtetshëm na dhuroftë një bashkim gjithnjë e më të plotë, sipas vullnetit të Tij, që ‘me një zemër të vetme e më një shpirt të vetëm’ t’i thurim gjithnjë lavde emrit të Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.