2012-06-28 10:55:42

Benedikti XVI: Shën Ireneu i Lionit, kampion i luftës kundër herezive.


Feja që përmbahet në Ungjill nuk është privilegj për pak intelektualë, por është e arritshme dhe e pranueshme për të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhësve të Apostujve, duke u nisur nga Papa. Me këto fjalë, Ati i Shenjtë Jozef Racinger, më 28 mars 2007, iu drejtua mëse 20 mijë besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për audiencën e përgjithshme, duke folur mbi unicitetin, universalitetin e frymëzimin hyjnor të krishterimit ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga Shën Ireneu ipeshkëv i Lionit, qysh në vitin 200 pas Krishtit, në kohën e herezisë gnostike.
“Mësimi i vërtetë është ai që japin ipeshkvijtë, të cilët mund të provojnë se e kanë marrë përmes një tradite të pashkëputshme nga Apostujt”. Pohimi i këtyre fjalëve, pak para dymijë vjetësh, i mundësoi Ireneut ipeshkëv të Lionit të hedh poshtë mendimin sektar të gnostikëve që shkonin duke predikuar një krishterim të tipit “elitar, intelektualist”. Sipas tyre e vërteta e Ungjillit mund të kuptohej vetëm nga grup i vogël, përbërë prej intelektualësh e njerëzish të ditur, duke u lënë turmave e të njerëzve të thjeshtë simbolizmin, pasi sipas tyre, ata nuk janë në gjendje ti kuptojnë gjërat e vështira të doktrinës.
Benedikti XVI kujtoi dhe lavdëroi cilësitë e Ireneut, ipeshkvit të lashtë francez, të cilin Papa Ratcinger e quajti “kampion të luftës kundër herezive” dhe të aftë të ripohoi “konceptin e pastër të traditës apostolike”:
“Tradita apostolike është publike, jo private apo sekrete. Për Ireneun nuk ka kurrfarë dyshimi se përmbajtja e fesë së krishterë që transmetohet nga Kisha është ajo e marrë prej apostujve e prej Jezusit, Birit të Zotit. Nuk ekziston mësim tjetër përpos këtij. Prandaj, kush dëshiron ta njohë doktrinën e vërtetë mjafton ta njohë traditën që vjen prej apostujve e fenë që iu është kumtuar njerëzve. Tradita e feja – kështu thoshte Ireneu – kanë mbërrijë deri tek ne përmes pasardhësve të ipeshkvijve”.
Në këtë traditë, ripohoi në vazhdim të katekizmit të audiencës së sotme Benedikti XVI, “duhet konsideruar në mënyrë të posaçme mësimi i Kishës së Romës, i Kishës kryesore e tejet të lashtë, e cila – tha Papa – ka ‘apostolicitetin më të madh’ sepse e ka zanafillën e saj prej vetë ‘shtyllave’ të Kolegjit apostolik: Pjetrit e Palit”. E prej tyre, deri tek ipeshkvijtë e sotëm, Tradita apostolike dëshmon edhe një tipar tjetër: atë të “unicitetit”. Për ta përshkruar këtë, Papa përdori të njëjtat fjalë që i pati menduar Ireneu për t’i kundërshtuar heretikët:
“Kisha, megjithëse është e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën mënyrë, beson në këtë të vërtetë sikur të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton sikur të kishte vetëm një gojë”.
Tradita apostolike, së fundi, ka një tipar të tretë: ajo është “e frymëzuar nga Shpirti Shenjtë” tha Papa gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme të 28 marsit 2007 kushtuar figurës së Shën Ireneut:
“Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë, për një transmetim që i besohet aftësisë e shkathtësisë së njerëzve pak a shumë të përgatitur mirë e të mençur, por është Shpirti i Zotit ai që garanton besnikërinë e transmetimit të fesë. Kjo është jeta e Kishës, kjo është ajo që Kishën e bën kurdoherë të freskët e të re, të frytshme në karizma të shumta”.







All the contents on this site are copyrighted ©.