2012-06-27 17:32:52

Presidenti i ri i Egjiptit premton se nuk do të diskriminohen të krishterët


Presidenti i sapozgjedhur i Egjiptit, Muhamed Mursi, po punon për krijimin e qeverisë së re të vendit, ndërsa akoma po diskutohet për mënyrën, me të cilën do ta lerë pushtetin, junta ushtarake. Ndërsa mbetet hipoteza e zgjedhjes në postin e kryeministrit të Muhamed el Baradeit, çmim Nobel dhe ish-drejtor i Agjensisë Ndërkombëtare Atomike, Mursi priti përfaqësuesit e Kishës kopte dhe të asaj katolike, të cilëve u premtoi se të gjithë egjiptianët do të trajtohen me dinjitet të barabartë, pavarësisht nga besimi fetar. Folëm për këtë me zëdhënësin e Kishës Katolike egjiptiane, atë Rafik Grish:
Bashkësia e krishterë në Egjipt është pak e shqetësuar nga fakti se presidenti i ri vjen nga myslimanët, nga partia e Vëllezërve Myslimanë. E të krishterët janë të shqetësuar jo vetëm për jetën e tyre, sepse qytetarët egjiptianë do të dëshironin një vend të qetë, por edhe sepse kanë frikë islamizimin e mundshëm të shoqërisë egjiptiane: një shoqëri e njohur për mendësinë e saj të hapur, për pavarësinë, për krijimtarinë e saj, sidomos në letërsi, për lirinë e veprimit… Shpresojmë që në epokën e re, që po përjetojmë, të krishterët të gjejnë drejtësi e jo diskriminim. Këtë ka premtuar presidenti i ri Mursi në shumë raste dhe, edhe dje, kur u takua me peshkopët e Kishës kopte ortodokse. Sot, u takua me përfaqësuesit e Kishës Katolike të Egjiptit, eksponentët e së cilës shkuan në pallatin presidencial për ta përshëndetur presidentin e ri e për të biseduar me të.
Cilat janë pikat kryesore, në të cilat ngul këmbë hierarkia katolike?
Para së gjithash, drejtësia për të gjithë egjiptianët. Pastaj, që presidenti i ri – siç premtoi – të ndihmojë të varfërit, të pastrehët, analfabetët. 40% e popullsisë egjiptiane jeton nën pragun e varfërisë. Këtë kërkojmë si të krishterë, për popullin e Egjiptit, mysliman apo i krishterë qoftë: të përmirësohen kushtet e jetesës së qytetarëve, për të dalë nga gjendja aktuale e varfërisë.
Si e kuptojnë egjiptianët propozimin e presidentit për të krijuar një qeveri të bashkimit kombëtar?
Që nga rënia e Mubarakut, në janar 2011, secili ka idenë e vet politike. Kjo e ndan popullin egjiptian në disa grupe: liberalë, socialistë, islamistë, me të gjitha ngjyrimet e tyre. Tani, duam të mbizotërojë fryma e vërtetë e pajtimit, me një qeveri të bashkimit kombëtar, e cila ta na ndihmojë të jemi një vend i vetëm, me një fytyrë, siç duhet të jemi.







All the contents on this site are copyrighted ©.