2012-06-25 14:49:21

Nën shenjën e shpresës: vizita e Papës në Veri të Italisë, në zonat e dëmtuara nga tërmeti


Vizita e Papës në Veri të Italisë, ku këmbanoret e dëmtuara të kishave e sahatët me akrepat e ndalur janë kthyer në simbol të realitetit pas tërmetit. Benedikti XVI do të mbërrijë në orën 10.15 në San Martino të Karpit, ku do të qëndrojë gati dy orë. Është një nga dioqezat më të prekura, nga ku do t’u drejtohet të gjitha vendeve të shkatërruara nga tërmeti, si Mantova, Modena, Ferrara e Bolonja. Etapa e parë e vizitës së Papës, kisha e Shën Katerinës së Aleksandrisë në Rovereto të Novit, ku humbi jetën nën rrënoja, famullitari, don Ivan Martini. Në qendër të Roveretos, Ati i Shenjtë do të takohet me popullsinë e do të përshëndetet nga kryeipeshkvi i Bolonjës, kardinali Karlo Kafarra, kryetar i episkopatit të Emilia Romanjës. Rreth 50 vetë, në përfaqësi të të dëmtuarve nga tërmeti, do të flasin me Benediktin XVI. Papa do të përshëndesë edhe ipeshkvijtë, kryebashkiakët, famullitarët, përfaqësuesit e Mbrojtjes Civile dhe vullnetarët e shumtë, të impenjuar në ndihmë të popullsisë, e cila jeton nëpër tenda, pa siguri e pa e ditur si do të jetë e ardhmja. Sipas të dhënave të fundit, ndërtesat në rrezik të shemben janë rreth 45 mijë e vetëm 4700 janë deklaruar të banueshme. Ekonomia është ndalur krejtësisht.
Të dëgjojmë zv.famullitarin e Finale Emilias, njërës prej qendrave më të goditura nga tërmeti:RealAudioMP3
E prisnim këtë vizitë, e dëshironim, sepse mendoj është një nga shenjat më të rëndësishme të bashkimit të Kishës. Ka akoma shumë vështirësi. Njerëzit kanë frikë, por edhe shpresë. Pas lëkundjeve të para, pas humbjes së vendeve të kultit, bashkësia e krishterë mblidhet në tenda. Dalëngadalë, po rifillojmë jetën normale: kremtimin e Eukaristisë, të Sakramenteve, Pagëzimet dhe martesat. Bashkohemi edhe në çaste të tjera, si lutja, ose thjesht për të ndenjur së bashku. Edhe jeta jonë shpirtërore po rifillon, pas tërmetit të brendshëm, që ndjeu secili… Prandaj, vizita e Papës nuk mund të mos na pasurojë, të na nxisë, të na afrojë me Kishën, e cila lutet dhe punon edhe për ne.







All the contents on this site are copyrighted ©.