2012-06-25 17:04:25

Imzot Tomazi për borxhin e jashtëm e të drejtat e njeriut: ekonomia të respektojë gjithnjë më të brishtët


Selia e Shenjtë kërkon më shumë transparencë në dhënien e huave për zhvillimin e vendeve në nevojë. Ky qe thelbi i fjalimit, që mbajti këto ditë Vëzhguesi i Vatikanit në selinë e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi. Tema e diskutimit: “Borxhi i jashtëm dhe të drejtat e njeriut”.
Kryeipeshkvi theksoi se çdo veprimtari ekonomike duhet të respektojë dinjitetin njerëzor. Prandaj, edhe pasuria e madje edhe borxhi, duhet t’i shërbejnë së mirës së përbashkët. Nëse nuk respektohet drejtësia, borxhi bëhet mjet shfrytëzimi, kundër të varfërve e të mënjanuarve. Imzot Tomazi vuri në dukje se marrëdhëniet financiare, që rrisin pabarazinë, janë kundër drejtësisë.
Ai theksoi se duhet luftuar korrpsioni në të gjitha nivelet, për të shmangur gabimet e së kaluarës, kur huatë merreshin nga krerët politikë të vendeve në zhvillim dhe përdoreshin për qëllime të dyshimta. Sipas vëzhguesit të Vatikanit, është e nevojshme një reformë, që të sjellë më tepër transparencë në dhënien e huave, në mënyrë që borxhi i jashtëm i këtyre vendeve të mos kapërcejë nivele, të papërballueshme për to. Problemi i borxhit të jashtëm, përfundoi imzot Tomazi, nuk duhet parë thjesht si çështje ekonomike, por si çështje, që ndikon në të ardhmen e brezave të rinj e në ato kushte shoqërore, që mundësojnë të drejtat e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.