Rio+20: ekonomia nuk duhet të jetë i vetmi objektiv i zhvillimit njerëzor
Qëndrueshmëri, përgjegjësi, zhvillim, bashkëpunim, kthim zemrash e mendjesh kah Zoti:
këto janë fjalët kryesore të thirrjes së Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të
Bashkimit Evropian(COMECE) në Rio+20, konferenca e OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm,
që vazhdon punimet në Rio-de-Zhaneiro të Brazilit. Kryetari i COMECE-s, kardinali
Rajnhard Marks shpjegoi se nga pikpamja e krishterë, njohja e dinjitetit njerëzor
është në bazën e çdo zhvillimi të qëndrueshëm, që synon të gjejë ekuilibrin ndërmjet
nevojave shoqërore, atyre ekonomike e atyre ambientale, pa rrezikuar të ardhmen e
brezave të rinj. Ekonomia nuk është thjesht grumbullim i të mirave materiale, theksoi
kardinali, nuk është i vetmi objektiv i zhvillimit njerëzor. Duhen gjetur tregues
të tjerë për matjen e zhvillimit, si arsimimi, apo zgjatja e jetës, respektimi i ambientit
e drejtësia shoqërore, lufta kundër varfërisë e sigurimi i ujit të pijshëm dhe i kurave
shëndetësore për të gjithë: elemente, që nuk flasin vetëm për Prodhimin e Brendshëm
të një vendi. Është e nevojshme të kthehen zemrat e mendjet kah Zoti e të bëhemi më
bujarë, më solidarë, të punojmë për një kulturë që e respekton Gjithësinë. Kjo është
detyra e çdo të krishteri, përfundoi kreu i COMECE-s.