2012-06-22 16:11:42

Papa Koldiretit: për të kapërcyer krizën, etika duket të ketë përparësi mbi të gjitha kërkesat e tjera.


Kriza ekonomike kërkon nga sipërmarrësit e bujqësisë dhe të peshkimit, forcë për të përballuar sfidat e panjohura, e, sigurisht, aspak të lehta, të cilat duhen kapërcyer me një ndjenjë të thellë përgjegjësie, duke dhënë prova të solidaritetit, ndarjes së përbashkët të problemeve e të arritjeve. Me këto fjalë iu drejtua sot Papa asamblesë kombëtare të Coldiretti-t, Federatë e bujqëve dhe e peshkatarëve të Italisë, duke i pritur në audiencë, në Vatikan. Papa kërkoi t’i kushtohet vëmendje e posaçme të rinjve.RealAudioMP3

Kriza ka goditur rëndë edhe e sidomos, bujqësinë. Toka humbet vlerën e ata, që e punojnë drejtpërdrejt në këto vite, vërejnë pakësimin e vazhdueshëm të të ardhurave. Mjafton të kujtojmë se çmimi i vajit është ulur 32%, i frutave, 8%. Prej këndej, Papa kërkoi nga sipërmarrësit e bujqësisë, solidaritet e ndarje të përbashkët të fryteve të një pune aspak e lehtë, por themelore për jetën e përditshme të njerëzve:
“Duke pasur parasysh se në bazë të vështirësive aktuale ekonomike është kriza morale, përpiquni me zell, që instancat etike të kenë përparësinë mbi çdo gjë tjetër”.
Duhet ndërhyrë në rrënjët e krizës, duke dhënë ndihmesën për të rizbuluar vlerat shpirtërore, nga të cilat mund të lindin ide, projekte, vepra të reja. Kështu mund të themi se etika është kyçi, që hap portën drejt ardhmërisë, posaçërisht për breznitë e reja:
“Duhet që familja, shkolla, sindikata dhe çdo institucion tjetër politik, kulturor e qytetar të bashkëpunojnë e t’i bashkërendisin forcat, të stimulojnë e të nxisin, posaçërisht kur bëhet fjalë për të rinjtë. Ata janë përplot me propozime e shpresa, kërkojnë ta ndërtojnë fisnikërisht ardhmërinë e tyre e presin nga të rriturit shembuj të vlefshëm e propozime serioze. Nuk mund t’i zhgënjejmë shpresat e tyre”.
Pastaj duhet dalluar roli shoqëror i sipërmarrësit, që të vihen në jetë politika të suksesshme shoqërore, në favor të njeriut e të përsosjes së tij profesionale, duke vlerësuar, në radhë të parë, rolin vendimtar të familjes në shoqëri. E këto vlera, vërejti Papa, vijnë nga rrënjët e krishtera, që kanë gjallëruar gjithnjë veprimtarinë e Koldiretit.
Nga ju, u tha Papa të pranishmëve, kërkohet vetëdije e re e përpjekje e re, plot përgjegjësi ndaj botës së bujqësisë. E gjithë kjo, në shërbim të së mirës së përbashkët, të dinjitetit të njeriut, të ndershmërisë e të transparencës në drejtimin e shërbimeve.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI u bëri thirrje të gjithë punonjësve të bujqësisë për solidaritet, në këto çaste krize.
Të dëgjojmë kryetarin e organizatës Sergjo Marini:

Përgjigje: - Ky është çasti i solidaritetit. Është e vetmja mënyrë për t’i prerë rrugën krizës shoqërore e për të mbrojtur kohezionin shoqëror, në këtë çast tejet të vështirë për Vendin, e jo vetëm për Italinë, por edhe për mbarë Evropën. Secili nga ne, sipas mundësive, duhet të impenjohet për kohezionin shoqëror. Solidariteti është, pa dyshim, mjeti më i mirë për ta bërë këtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.