Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit.
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të
dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të festës së Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit. Vëllezër
e motra të dashur, në liturgjinë hyjnore të kësaj së diele, Kisha na thërret të kremtojmë
me gëzim e solemnitet Lindjen e Gjon Pagëzuesit, Pararendësit të Jezu Krishtit me
fjalë e me vepra. Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu
Krishtit Zot pranë popullit dhe atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Në solemnitetin
e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, Kisha na fton të gjithëve, pa dallim e pa përjashtim,
të ecim në gjurmët e Pararendësit të Krishtit, ta dëshmojë të vërtetën dhe dashurinë
me guxim e pa kompromise, sipas shembullit të tij. Kështu, më datën 24 qershor
Kisha përkujton e kremton Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit: solemnitet aq i rëndësishëm,
sa të kremtohet edhe të dielën, që është Dita e Zotit. Arsyeja është se jeta e Shën
Gjonit, ashtu si ajo e Virgjërës Mari, iu kushtua krejtësisht Krishtit. Gjon Pagëzuesi
qe pararendësi, ‘zëri’ i dërguar për të kumtuar Krishtin, Fjalën e mishëruar. Prandaj,
ta kremtosh ditëlindjen e tij do të thotë të kremtosh Krishtin, përmbushjen e premtimeve
të të gjithë profetëve, nga të cilët Pagëzuesi qe më i madhi, sepse i thirrur të përgatisë
udhën para Mesisë. Po kujtojmë se të gjithë ungjijtë e fillojnë rrëfimin mbi jetën
publike të Jezusit, duke përshkruar sesi Gjoni e pagëzoi Zotin në lumin Jordan, ngjarje,
që asokohe pati jehonë të jashtëzakonshme. Njerëzit rendnin nga Jerusalemi e nga të
katër anët e Judesë për të dëgjuar Shën Gjon Pagëzuesin e për t’u pagëzuar prej tij
në lumë, duke rrëfyer mëkatet e tyre. Gjoni është i famshëm, megjithëse nuk kumton
vetveten, por “Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatin e botës”. Ai është dëshmitari i
parë i Jezusit që, duke pas marrë shenja nga qielli, e tregon Atë si Birin e Hyjit
dhe shpërblyesin e njeriut. Rrëfen, kështu, të vërtetën, pa kurrfarë frike. Si
profetë i vërtetë, Gjoni bëri dëshmi për të vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet
e urdhrave të Zotit, edhe kur ata që nuk i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm.
Kështu, kur Gjon Pagëzuesi akuzoi Herodin e Herodiadën për shkelje kurore, e pagoi
me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij ndaj Krishtit, që është vetë
e Vërteta. T’i lutemi të ndërmjetësojë për ne, së bashku me Zojën e Bekuar, që edhe
në ditët tona Kisha t’i qëndrojë gjithnjë besnike Krishtit e ta dëshmojë me guxim
të vërtetën e tij e dashurinë e tij për të gjithë. Me shembullin e tij, Shën Gjon
Pagëzuesi, na mëson pra, të luftojmë kundër padrejtësive, kundër mashtrimeve, kundër
shpërdorimeve, kundër imoralitetit, gënjeshtrës e ta dëshmojmë me guxim e me vepra
të vërteta, të drejta, paqeje e dashurie dhe feje (besimi), Le t’ia besojmë ndërmjetësimit
të Shën Gjon Pagëzuesit të gjithë ata që, duke ndjekur shembullin e tij, përhapin
në botë drejtësinë e Mbretërisë së Hyjit. Si Shën Gjon Pagëzuesi, edhe ne ta dëshmojë
të vërtetën pa kompromise.
Liturgjia e Fjalës
së Zotit
Leximi par Iz 49,1-6
Shërbëtorit të Jahvehut i është
besuar misioni universal i shpëtimit nga ana e Hyjit. I thirrur për të qenë profet
që nga kraharori i nënës ka detyrën për të shfaqur madhështinë e Hyjit në popullin
e Izraelit, edhe pse provon dështimin. Por besimi i profetit është i pamposhtur,
sepse Hyji është me të. Vështirësitë që takon janë një rast për të shfaqur se asgjë
s’mund të ndalë planin universal të shpëtimit të Hyjit.
Lexim prej Librit
të Izaisë profet
Më dëgjoni, o ishuj, vështroni me kujdes, popuj të largët:
Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im.
Gojën time e bëri shpatë të mprehtë, më mbrojti nën hijen e dorës së vet, më bëri
shigjetë të zgjedhur e më fshehi në kukurrën e vet dhe më tha: “Shërbëtori im je,
o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!” E unë thashë: “Kot u mundova, kot
i treta forcat e mia! Megjithatë, e drejta ime është me Zotin, shpërblimi im është
te Hyji im.” E tash thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori i nënës sime shërbëtor
për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra
i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime. Ai më tha: “Tepër pak është
të me jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar tepricat
e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj
të tokës!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Psalmi
139 Ti më thirre nga kraharori i nënës sime
O Zot, ti më shqyrton
e më njeh, ti di kur rri e kur ngritëm, prej së largu i njeh mendimet e mia. Si
në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren, ti i di të gjitha udhët e mia.
Ti
je ai që m’i krijove veshkët, ti më ke endur në kraharorin e nënës! Të lavdëroj
pse më krijove kaq mrekullisht, të mrekullueshme janë veprat e tua.
Po,
shpirti im mirë e di! Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur kur unë po trajtohesha
në fshehtësi i endur në thellësinë e tokës.
Leximi dytë Vap 13, 22-26
Pali
konstaton që ungjillëzimi është lidhur ngushtë me persekutimin. Çdo herë që u drejtohet
hebrenjve përplaset me refuzimin e tyre siç i kishte ndodhur Gjonit dhe Jezusit. Kur
prania e profetit bëhet e bezdisshme, sepse denoncon të keqen, atëherë afrohet momenti
i kryqit.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë Pali
foli e tha: “Zoti i ngriti Izraelit për mbret u ngriti Davidin, për të cilin edhe
dëshmoi: ‘Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë
gjithçka dua unë.’ Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit
Shëlbuesin: Jezusin. Para ardhjes së Jezusit, Gjoni i predikoi mbarë popullit të Izraelit
pagëzimin e kthimit. E kur Gjoni po i jepte fund misionit të vet, thoshte: ‘Unë nuk
jam ai që ju mendoni se jam! Por, ja, pas meje po vjen ai, të cilit unë nuk jam i
denjë t’ia zgjidh sandalet e këmbëve’. Burra e vëllezër, bij të Abrahamit dhe ju tjerët
që besoni në Hyjin e vërtetë, neve na ka qenë drejtuar kjo fjalë shëlbimi.” Fjala
e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Aleluja! Aleluja! E ti,
o foshnjë, do të jesh profeti i të Tejetlartit, sepse ke për të shkuar para Tij për
ta përgatitur udhën e Tij. Aleluja!
Ungjilli Lk 57-6.80
Ndërsa
populli hebre është në sundimin roman, judenjtë janë mbyllur në një respekt të ashpër
të traditave të tyre. Por ja, lind një fëmijë dhe gëzimi për lindjen e tij kundërshton
klimën e mungesës së shpresës që mbizotëron kudo. Fëmija nuk do të mbajë emrin e
të atit sipas traditës, por do të marrë një emër tjetër, simbol i një misioni krejt
të ri dhe i mundësisë për tu çliruar nga pesha e së shkuarës.
Leximi i
Ungjillit shenjt sipas Lukës
Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo
qiti në dritë një djalë. Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë
e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të. Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin.
Donin ta quanin me emrin e t’et, Zakari, e ëma tha: “Assesi, por le të quhet Gjon!”
Ata iu përgjigjën: “Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.” Atëherë me shenja
e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. Ai kërkoi rrasën e shkrimit dhe shkroi: “Gjon
është emri i tij!” Të gjithë u çuditën. Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdërvillua
gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin. Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe.
Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këtë ngjarje. Kushdo që dëgjonte,
thoshte në zemrën e vet: “Çka thua do të bëhet kjo foshnje?” Vërtet, dora e Zotit
ishte me të. Ndërkaq foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht. Jetoi në shkreti deri
atë ditë, kur iu dëftua ballafaqe Izraelit. Fjala e Zotit. Lavdi
të qoftë ty, o Krisht!