2012-06-22 19:46:31

Ipeshkvi i Mantovës, imzot Busti: vizita e Papës është ngushëllim për të dëmtuarit nga tërmeti


Popullsitë e dëmtuara nga tërmeti në veri të Italisë po presin me padurim vizitën e Papës Benedikti XVI, i cili do të shkojë atje të martën, më 26 qershor. Emilia Romanja është rajoni më i prekur, por edhe zonat kufitare me të kanë pësuar dëme të shumta, sidomos shembje shtëpish e kishash. Ati i Shenjtë shkon për t’i ngushëlluar njerëzit me praninë e vet, siç thekson ipeshkvi i Mantovës, imzot Roberto Busti:
Shohim te Papa jo vetëm afërsinë me fjalë e me lutje, por edhe afërsinë konkrete, shumë konkrete, që si ipeshkvij, e kemi provuar menjëherë pas asamblesë së përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kur deshi të na takonte, deshi të dëgjonte prej nesh ç’kishte ndodhur. Ishim vetëm në fillim të tërmetit, sepse vala e dytë erdhi disa ditë më pas. Papa tregoi menjëherë interes konkret e na dërgoi një ndihmë të veçantë, për të përballuar nevojat e para. Prandaj, me gëzim e shpresë të madhe, e falenderoj Papën, që vjen në këto vende të dëmtuara. Vizita e tij është ndihmë e jashtëzakonshme: u jep ngushëllim të gjithë njerëzve, që jetojnë me këtë fatkeqësi kaq të madhe, kaq të trishtuar.
Si po i ndihmon Kisha njerëzit, në këtë situatë?
Ne po i ndihmojmë, duke bashkëpunuar me kampet e Mbrojtjes Civile. Karitasi është aty për ta shoqëruar popullsinë me vullnetarë, duke e dëgjuar, duke e argëtuar edhe në tenda. Animatorët tanë janë marrë menjëherë me fëmijët e me të rinjtë. Pastaj, po mendojmë të ngremë qendra shumëfunksionale për veprimtaritë liturgjike e shoqërore, me ndihmën e Karitasit Italian. Duam të rihapim kishat. Strukturat tona janë strehë për të gjithë njerëzit, që e dinë se mund të shkojnë atje e të gjejnë një fjalë të mirë dhe ndihmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.