2012-06-22 19:45:38

"Instrumentum Laboris" i Sinodit të Ipeshkvijve për ungjillëzimin e ri


Po javës së kaluar, u paraqit edhe “Instrumentum Laboris”, apo dokumenti i punës për Sinodin e ardhshëm të përgjithshëm të Ipeshkvijve, që do të zhvillohet në Vatikan, nga 7 deri më 28 tetor. “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”: kjo është tema e Sinodit.
Që në kapitullin e parë të dokumentit, ftesa për të rizbuluar zemrën e ungjillëzimit, takimin me Krishtin, pa u lëkundur nga opinionet, që e konsiderojnë ungjillëzimin si kufizim për lirinë e njeriut. Shtatë, skenarët e ungjillëzimit të ri: ai kulturor, që sidomos në Perëndim karakterizohet nga shekullarizimi, hedonizmi e konsumizmi, por ka edhe elemente pozitive si kujdesi për njeriun, i rëndësishëm për të afruar me Kishën edhe jo besimtarët për iniciativa të përbashkëta. Vijojnë më pas, skenarët shoqërorë, ekonomikë e politikë, më të prekurit nga kriza financiare e nga fenomeni i emigracionit, që sjellin mosrespektimin e vlerave, nga njëra anë, por edhe më shumë solidaritet, nga ana tjetër. Para këtyre situatave bashkohore, bëhet urgjente arritja e paqes, e bashkëjetesës, e dialogut, e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në një botë, e cila, pas fundit të ideologjive komuniste e ndarjes në dy blloqe, po nxjerr në pah protagonistë të tjerë me synime dominimi e pushteti, si Islami e vendet aziatike. E rreziku bën fole edhe në skenarët shkencorë e komunikativë, në të cilët shkenca e teknologjia sillen si të ishin “fe të reja”, ndërsa teknologjitë dixhitale ngrenë në qiell egocentrizmin, duke e kthyer etikën në mjet spektakli.
Së fundi, skenari i fesë, i cili paraqitet si pozitiv në disa pjesë të botës, ku ka rilindje fetare, por negativ në të tjera, ku rritet rreziku i fondamentalizmit, i terrorizmit e shtohen sektet. Për të jetuar si të krishterë brenda këtyre skenarëve, dokumenti sinodal sugjeron së pari, autokritikën, apo denoncimin e asaj “apostazie të heshtur”, që i çon besimtarët të largohen nga praktika kristiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.