Gjon Pagëzuesi, Shenjti i vetëm, të cilit të krishterët i kremtojnë ditëlindjen
Kisha, më datën 24 qershor, përkujton Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit. Tradita e krishterë
e quan ‘Pararendës’, domethënë ‘ai që rend para’, kasnec i Mesisë, mbi bazën e profecisë
së Izaisë Profet. Jetoi në kohën e Herodit Antipa, të cilin e dënoi publikisht për
bashkëjetesën e paligjshme me të kunatën, Herodiadën. Prandaj mbreti e mbylli në burg
e, më pas, i preu edhe kokën, thjesht për të plotësuar një tekë të gruas së paligjshme
e të së bijës, Salomesë. Na e thotë Jezusi: “Ndër të lindurit nga gruaja, nuk
ka më të madh se Gjon Pagëzuesi”. Një shenjt, që ka jetuar në fshehtësi, në shkretëtirë,
me lutje, me pendesë, si mund të imitohet, sidomos nga meshtarët e sotëm? Po
ta mendojmë mirë, bashkësia e parë para krishterimit ishte pikërisht e tija, me dishepujt,
që më pas do të bëhen apostuj të Krishtit e do ta ndjekin atë të nesërmen e Pagëzimit
të Jezusit nga shën Gjoni. Pra, shihet se lutja, pendesa, shkretëtira nuk janë pengesë
për jetën në bashkësi, përkundrazi na bashkojnë edhe më shumë, pasi bashkimi i vërtetë
nuk është thjesht grumbull njerëzish që qëndrojnë bashkë, duke gjykuar të tjerët,
bashkimi i vërtetë fillon vetëm nga Zoti, që është bashkim dashurie. Rruga e bashkimit
është në thelb rruga drejt takimit me Hyjin. Për mua, ky është shën Gjon Pagëzuesi:
hyn në shkretëtirë, kërkon heshtje rreth vetes, në lutje, në pendesë për të braktisur
çdo plan ideal tokësor, duke u distancuar nga kjo botë, duke e lënë Zotin t’i flasë
zemrës. Në këtë mënyrë, Shën Gjon Pagëzuesi hyri në bashkim me Zotin. Si ta
kuptojmë e ta zbatojmë mesazhin e Shën Gjon Pagëzuesit sot? Duke zbuluar kërkesën
themelore e më të rëndësishme të jetës: njeriu ka nevojë për Hyjin. Shën Gjoni është
vërtet njeri i Zotit, ai që ka lënë mënjanë gjithçka. Është gjithnjë i dyti, kurrë
nuk kërkoi vendin e parë. Sot, të gjithë duan vendin e parë, mendojnë se do të jenë
të lumtur aty, por nuk bëhemi të lumtur kur zotërojmë çdo gjë që duam. Shën Gjoni
na mëson një sekret të madh për lumturinë: ajo arrihet kur vëmë në plan të parë Zotin,
sepse jeta e të krishterit duhet të ketë gjithnjë parasysh jetën e amshuar. Si mund
ta ndryshojmë jetën tonë? Së pari, duhet të ndryshojmë këtë mani për të qenë dikushi,
për të pasur emër. Vetëm Hyji është Zoti i gjithësisë, Atij i takojnë nderi e lavdia.
Duhet të vërejmë se ç’lind në ne, kur dashuria e Zotit hyn brenda nesh e ashtu si
shën Gjon Pagëzuesi, nuk do të kemi frikë ta humbim jetën. Bashkimi me Zotin duhet
të jetë thesari ynë i vetëm.
E rregulltari agostinian, atë Gabriel Ferlisi,
na e shpjegon kështu shkakun e kësaj feste të Lindjres sëshën Gjon Pagëzuesi :
Përgjigje: Kur Maria, që tashmë
kishte në gji Birin e Zotit, shkoi të vizitonte Elizabetën, Jezusi e shenjtëronte
Gjonin, në bark të së ëmës. U shenjtërua para se të lindej e prandaj është shenjti
i vetëm, të cilit i kremtohet ditëlindja. E i kremtohet edhe lindja për jetën e pasosur,
më 29 gusht, ditën e martirizimit, kur iu pre koka.
Pyetje: - Një figurë
tejet e veçantë kjo e Shën Gjon Pagëzuesit, që shprehej qartë, pa menduar se e vërteta
paguhet shtrenjtë…
Përgjigje:- Ai është shumë i vetëdijshëm për
misionin që i është besuar: përgatitjen e ardhjes së Jezusit. Shprehet bukur Shën
Agostini, kur thotë se Shën Gjoni është vendosur në kufirin ndërmjet dy Besëlidhjeve:
së Vjetrës e së Resë. Është urë lidhëse. Ai është zëri, Krishti-Fjala. Janë dy figura,
që kujtojnë njëra-tjetrën e plotësojnë njëra-tjetrën. Gjon Pagëzuesi, që simbolizon
Besëlidhjen e Vjetër, plotësohet nga Krishti, simbol i Besëlidhjes së Re.
Pyetje:
- Po për të krishterin e sotëm, ç’ kuptim ka kjo festë?
Përgjigje: -
Sot njerëzit nuk duan mësues, por dëshmitarë. Gjon Pagëzuesi është dëshmitar i
vërtetë. Ai e paguan me gjak besimin në Krishtin. Nuk e humbet kohën me shumë fjalë,
me sofizma. Shkon drejtpërdrejt tek themelorja. E tregon me gisht Krishtin si qengjin,
që shlyen mëkatet e botës. Ai i drejton dishepujt nga Krishti. Ndërsa veten e shikon
si njeri, që nuk është i denjë t’ia zgjidhë Zotit as lidhëzat e sandaleve. Është ashtu,
si duhet të jetë secili prej nesh: dëshmitar, që tregon Krishtin; prani e pranisë
së Zotit. E kështu mund të jetë vetëm kur e jeton atë që beson, atë që mëson. Ja,
pra, mesazhi është se kemi nevojë për dëshmitarë!