2012-06-22 18:00:57

Benedikti XVI ipeshkvijve të Kolumbisë: ushqeni një fe të gjallë, përballë harresës së Zotit.


Të shumëfishojnë veprat e dashurisë e të mëshirës për njerëzit që vuajnë e të përtërijnë fenë e vet, përballë harresës së Zotit. Janë porositë që u dha Papa ipeshkvijve të Kolumbisë, në Romë për vizitë ‘ad Limina’, gjatë audiencës së sotme në Vatikan.RealAudioMP3
“Kolumbia nuk është e paprekshme nga pasojat e harresës së Zotit”. Pohim i fortë, ky, i Papës, në audiencën me ipeshkvijtë e vendit latinoamerikan. Vendi, që në të kaluarën e shikonte fenë si themel të unitetit kombëtar, sot nuk i ka shpëtuar krizës së vlerave shpirtërore e morale, e cila vijon të lërë gjurmët e veta të trishtuara mbi jetën e shoqërisë. Prej këndej, nënvizoi Benedikti XVI, është e domosdoshme të ringjallet në shpirtin e besimtarëve vetëdija se janë dishepuj e misionarë të Zotit.
Papa shprehu kënaqësinë lidhur me përpjekjet e bëra nga episkopati latinoamerikan për të nxitur nisma të reja të ungjillëzimit, me fryte të dukshme në jetën e Kishës. Posaçërisht kujtoi “Planin global” të Konferencës Ipeshkvnore (2012-2020), të cilin e quajti ‘rezultat i një qëndrimi të vetëdijshëm të Kishës në Kolumbi’, përballë realitetit. Më pas Papa i ftoi ipeshkvijtë t’i përvetësojnë propozimet e ‘Vitit të Fesë’:
Pluralizmi fetar në rritje është faktor që kërkon maturi të veçantë”, theksoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar se prania gjithnjë më aktive e bashkësive pentekostale dhe ungjillore, jo vetëm në Kolumbi, por edhe në vise të tjera të Amerikës Latine, nuk mund të mos merret parasysh, e aq më pak, të nënvleftësohet. Prej këndej, porosia për ta pastruar e për ta rigjallëruar fenë, gjithnjë me frymën e Shpirtit Shenjt, përmes një hovi të ri baritor:
Shpesh herë njerëzit, që largohen nga Kisha, nënvizoi Papa, duke kujtuar dokumentin përfundimtar të Konferencës së përgjithshme të Episkopatit latino-amerikan e karaibik, e bëjnë këtë jo për shkaqe doktrinore, por për shkaqe përvoje; jo për arsye dogmatike, por baritore; jo për probleme teologjike, por metodologjike të Kishës sonë”:
“Bëhet fjalë, prandaj, për të qenë të krishterë më të mirë, më të përshpirtshëm, më mikpritës ndër famullitë e në bashkësitë”, duke zhvilluar rregullisht katekizmin për të rinjtë e për të rriturit, mësimin e doktrinës katolike në shkolla e në universitete e duke thelluar devocionin marian:
“Të lehtësohet edhe shkëmbimi paqësor i përvojës me të krishterët e tjerë, pa e humbur identitetin”. Një shkëmbim i tillë, sipas Papës, mund të jetë ndihmesë e madhe për përmirësimin e marrëdhënieve me ta e edhe për kapërcimin e mosbesimit e të ndeshjeve të kota.
Pastaj shikimi i Benediktit XVI përfshiu gjithë situatën në Kolumbi e, prej këndej, i nxiti ipeshkvijtë t’ia ngulin mirë sytë “fytyrës së munduar të Krishtit në kryq” për të forcuar programet në favor të atyre, që janë burgosur padrejtësisht, e jo vetëm atyre:
Në mënyrë të posaçme, porosti Papa, viktimave të katastrofave natyrore, të varfërve, fshtarëve, të sëmurëve, të vuajturve”.
Duhen shumëfishuar, shtoi, nismat e solidaritetit në favor të njerëzve, që detyrohen të emigrojnë, sepse e kanë humbur punën e nuk mund të gjejnë një tjetër; të atyre, që u mungojnë të drejtat më themelore; që detyrohen të braktisin familjet, për shkak të kërcënimeve nga dora e zezë e terrorit dhe e krimit; ose atyre, që janë ngatërruar në rrjetin e turpshëm të trafikut të drogës e të armëve:
“Shërbim vëllazëror e pa interes ndaj njerëzve më të ligshtë”- këtë kërkoi Benedikti XVI nga ipeshkvijtë, shërbim, që lind nga dashuria e Zotit për të afërmin e jo nga llogaritë njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.