Atë Lombardi për Ditën Botërore të Refugjatit: Të vdesësh nga shpresa
Dita Botërore e Refugjatit, që u kremtua më 20 qershor, i dha mundësinë mbarë planetit
të reflektojë për gjendjen e sa e sa njerëzve, të cilët ikin nga shtëpitë e tyre,
pa e kthyer kokën mbrapa, të detyruar nga luftrat e nga persekutimet. Gjendja është
mëse e njohur për shqiptarët, të cilët e kanë përjetuar atë në lëkurën e tyre, me
luftën në Kosovë, por edhe me ikjet masive në fund të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Këtij argumenti, ia kushton editorialin javor zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko
Lombardi. Ta dëgjojmë: “Të vdesësh nga shpresa”: ky është titulli paradoksal
i mbrëmjes së lutjes, organizuar në Romë, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatit,
nga shoqatat e impenjuara në këtë fushë. Lutje në kujtim të atyre, që kanë humbur
jetën, gjatë udhëtimeve dramatike për të ikur nga persekutimet, nga dhunimi i të drejtave
të njeriut, nga uria… nga shumë, nga tepër vende të botës. Vdesin të asfiksuar
në kamionë, vdesin nga etja e nga uria, duke përshkuar shkretëtira, vdesin të sulmuar
nga plaçkitësit, vdesin, duke kaluar lumenj e male, vdesin, duke u përpjekur të kapërcejnë
detin, të shtypur si sardele në barkat më të vogla e më të pasigurta, që ekzistojnë.
Flitet për 20 mijë të vdekur gjatë udhëtimeve për në Evropë, vetëm në vitet e fundit.
Gati 3000 vetë, gjatë këtij viti, u mbytën, duke u përpjekur të arrijnë në Itali,
përmes Mesdheut. Por nuk ikin vetëm drejt vendeve të pasura. Gjatë këtyre
muajve, mëse 70 mijë vetë u strehuan në kampin e Mberrës në Mauritani, për të ikur
nga Mali, i përçarë nga lufta civile. E në sa zona të Afrikës, konfliktet kanë bërë
të lindin kampe refugjatësh pa fund? Historia e secilit prej këtyre njerëzve
në ikje, është njëra më e dhimbshme se tjetra. Nga kampi i Mberrës arritën deri në
Perëndim tregimet e tri grave, shumë të reja, me fëmijë të vegjël, burrat e të cilave
janë vrarë gjatë konfliktit. Gra të pambrojtura e të brishta, shpesh viktima të abuzimeve
seksuale… por sa e sa të tjera, sa e sa të tjerë? Pastaj, si e nga t’ja fillosh,
kur s’ke më asgjë, kur s’të kanë mbetur më as rrënjët? Përveç strehimit e ushqimit,
këta njerëz kanë nevojë që dikush t’i dëgjojë, t’i kuptojë, t’u japë mikpritje humane
e shpirtërore, në mënyrë që t’u rikthehet të paktën një minimum besimi tek të tjerët
e tek jeta, sepse prej asaj pike rifillon shpresa. Është një nga sfidat më të mëdha
për besimtarët e për njerëzit vullnetmirë, që duan vërtet të nisen nga të fundmit
për të ndërtuar një botë më të mirë.