2012-06-21 13:50:41

Çelësi i fjalëve të Kishës: kthimi i zemrave kah Zoti


Shpesh dëgjojmë të flitet në Kishë për “kthimin e zemrave”. Me këtë term, u fol këto ditë në Vatikan për Sinodin e Ungjillëzimit të Ri e është folur kështu, edhe për Vitin e Fesë. Kthimi i zemrave është karakteristikë e përhershme e jetës së krishterë, është diçka që na çon nga udha e shtrembër plot mëkate, në udhë të mbarë. E kemi dëgjuar edhe nga ndonjë misionar italian, që përdor termin “conversione”. Sot, së bashku me themeluesin e lëvizjes së çisterçensëve, shën Bernardin e Kiaravales, do të sqarojmë pikërisht se ç’do të thotë ta kthesh zemrën kah Zoti.
Tekstet e Shkrimit Shenjt janë mjaft të qarta për këtë. Flasin për njeriun, që vendos të ndjekë Zotin në jetën e vet. E zemrën e tij të gurtë, siç thuhet në Librin e Ezekielit profet (36,26), Hyji e kthen në zemër me mish e me gjak. Njeriu i vjetër, thotë shën Pali Apostull (Ef 4,24) vishet me njeriun e ri. Simbolikisht, ky ndryshim vërehet edhe në Ungjill, kur në dasmën e Kanës, Krishti shndërron ujin në verë. Kështu, duke përvijuar Eukaristinë, na tregon si ndryshon martesa për shkak të pranisë së Tij, si shndërrohet jeta jonë e zakonshme në festë. Ja ç’shkruan shën Bernardi i Kiaravales në njërin nga predikimet e tij të shumta, për kthimin në rrugën e Zotit:
’Kthehuni’, thotë Zoti, ‘me gjithë zemër’. Vëllezër, sikur të kishte thënë: ‘Kthehuni’ pa shtuar gjë tjetër, mund të ishim përgjigjur: e kemi bërë këtë, mund të na kërkosh ndonjë gjë tjetër. Por, Krishti flet këtu për kthim shpirtëror, që nuk bëhet për një ditë. Madje, do të ishim me fat, sikur të na mjaftonte jeta për këtë! Prandaj, tregoni kujdes për gjithçka doni, gjithçka të frikshme, gjithçka të gëzueshme e gjithçka të trishtueshme e do të shihni që poshtë veshjes së dukshme fetare, mbeteni njerëz të kësaj bote. Zemra ndodhet e tëra në këto katër ndjenja e pikërisht, duke i pasur ato parasysh, duhet t’i kuptojmë fjalët: “Kthehuni kah Zoti me gjithë zemër”.
Dashuria juaj duhet të shndërrohet në atë mënyrë, sa të mos doni asgjë tjetër përveç Zotit, ose të mos doni asgjë tjetër, përveçse për Zotin. Edhe frika duhet lidhur me Të, sepse çdo gjë që na frikëson jashtë Hyjit e jo për shkak të Tij, nuk është e mirë. Që gëzimi e trishtimi t’i kushtohen Atij, do të thotë të vuani e të gëzoheni vetëm në Zotin. Pra, nëse vuani për mëkatet tuaja, ose për ato të vëllezërve, bëni mirë e trishtimi juaj ka kuptim, jep fryte. Nëse gëzoheni për dhuratat e Hirit Hyjnor, gëzimi është i shenjtë e mund ta shijoni në paqe, në Shpirtin Shenjt. Dashuria e Krishtit ju bën të gëzoheni për begatinë e vëllezërve e ju bën t’ju vijë keq për hallet e tyre, sipas fjalës: ‘Gëzohuni me ata që gëzojnë, qani me ata që qajnë’ (Rom 12,15).
‘Shqyeni zemrat e jo petkat’, thotë Joeli profet (2,13). Cili prej jush është kokëfortë, ta shqyejë zemrën me shpatën e Shpirtit Shenjt, e cila nuk është tjetër veçse Fjala e Zotit. Bëjeni copë-copë, hi e pluhur, sepse vetëm një zemër e tillë kthehet kah Zoti. Ja ç’thotë njeriu, që e ka gjetur Hyjin me zemër: ‘Zemra ime është gati o Hyj, gati është zemra ime’ (Ps 56,8). Është gati për çdo sfidë, është gati për t’u mbushur plot, është gati për përvuajtërinë, është gati për gjërat qiellore, është gati për gjithçka urdhëron Zoti. ‘Zemra ime është gati o Hyj, gati është zemra ime’. Kush, ashtu si Davidi profet, është gati të dalë, të hyjë e të ecë sipas vullnetit të Mbretit?”
Siç thotë pra, shën Bernardi i Kiaravales, çdo gjë duhet të shndërrohet, të kthehet përmbys, t’i largohet llogjikës së njeriut, për t’i afruar planit të Hyjit. Prandaj, rruga është e gjatë. Nuk mbarojmë kurrë së kthyeri zemrat kah Zoti, gjatë gjithë jetës. Atëherë kur mendojmë se jemi në rregull me Hyjin e Gjithpushtetshëm, aty rifillon gjithçka. Katekumeni, i cili i ka kapërcyer etapat e para drejt Sakramenteve të krishtera, vetëm sa ka hyrë në udhën, që do ta çojë drejt Zotit, duke rifilluar gjithnjë nga e para e duke mos arritur kurrë në fund, siç thotë shën Gregori i Nicës: “…nga një nisje në tjetrën, fillimi i realiteteve, që bëhen gjithnjë e më të mëdha, nuk përfundon kurrë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.