2012-06-21 15:48:50

Thirrje e Papës për Sirinë në fjalimin drejtuar Roako-s


Benedikti XVI kërkon të mos kursehet asnjë përpjekje, edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar kushtet që Siria të dalë nga situata e sotme e dhunës. Kërkon edhe garancitë e nevojshme për ndihmën humanitare.
Ati i Shenjtë e bëri këtë thirrje, në fjalimin shumëgjuhësh, drejtuar rreth 80 pjesëmarrësve në Asamblenë e 85-të të Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roako), të cilët i priti sot paradite në audiencë, në Sallën e Klementine, në Vatikan.
Asambleja e Roako-s, e kujtojmë, u mblodh në Romë që të hënën, deri dje, kur përfunduan punimet. Ndërsa sot, pjesëmarrësit u takuan me Papën.
E, duke i pritur, Benedikti XVI e drejtoi menjëherë vështrimin nga Siria, duke kujtuar plagët e thella, që vijojnë t’i hapen vendit. Në fjalimin drejtuar Roako-s, kryesuar nga kryetari i saj, kardinali Leonardo Sandri, edhe prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, Papa kërkoi ndihmë për këtë vend të martirizuar:
Të mos kursehet asnjë përpjekje, edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, për ta nxjerrë Sirinë nga gjendja e dhunës dhe e krizës, që vijon prej shumë kohe dhe krijon rrezikun e shpërthimit të një konflikti të përgjithshëm, me pasoja shumë negative për vendin e për mbarë zonën.
Bëj thirrje të fuqishme për t’i dhënë sa më shpejt ndihmë popullsisë, që jeton në kushte tepër të vështira e për t’u siguruar ndihmën e nevojshme humanitare edhe njerëzve, që u detyruan ta largohen nga shtëpitë e tyre, duke u strehuar në vendet fqinje.
Vlera e jetës njerëzore është tepër e çmuar e duhet mbrojtur në e me çdo kusht, kujtoi Benedikti XVI, e, në vijim, u shprehu afërsinë e tij vëllezërve e motrave të Sirisë, posaçërisht të vegjëlve të pafajshëm e njerëzve më të pambrojtur, që po vuajnë kaq shumë:
Lutja jonë, impenjimi ynë e vëllazëria jonë konkrete në Krishtin, si vaj ngushëllimi, i ndihmoftë të mos mbeten pa dritën e shpresës në këto çaste kaq të errëta e të nxjerrin nga Zoti hirin e urtisë së zemrës për shkaktarët e kësaj situate, që të pushojnë më në fund, gjakderdhja e dhuna, të cilat sjellin vetëm dhimbje e vdekje, e t’i hapet rruga ripajtimit, harmonisë e paqes.

Në asamblenë e Roako-s sivjet, përveç përfaqësuesve të Tokës së Shenjtë, duke nisur nga delegati apostolik, imzot Antonio Franko, ishin të pranishën edhe kryeipeshkvijtë e mëdhenj të Kishës Siro-malabareze të Indisë, Fortlumturia e Tij, Kardinali Xhorxh Alençerri dhe Kishës greko–katolike të Ukrainës, Fortlumturia e Tij, Sviatoslav Shevçuk, nunci apostolik i Sirisë, imzot Mario Zenari dhe ipeshkvi që drejton Karitasin sirian. Kjo prani, vërejti Papa, e mundëson Kishën e Romës ta zgjerojë edhe më shumë vështrimin, duke rrokur këtë përmasë universale, që përbën një nga tiparet themelore të misterit ë Kishës.
Benedikti XVI e nxiti me forcë Kongregatën të vijojë veprimtarinë bamirëse, në mënyrë që Tokës së Shenjtë dhe trojeve të tjera lindore, të mos u mungojë ndihma shpirtërore e materiale. E kjo bëhet edhe më urgjente, duke pasur parasysh se kriza e sotme godet më shumë zonat më pak të zhvilluara të botës, përfshirë edhe Lindjen, mëmëdhe i traditave më të lashta të krishtera, duke shkaktuar pasiguri e paqëndrueshmëri edhe në nivelin kishtar si dhe në fushën ekumenike e ndërfetare.
Bëhet fjalë për faktorë, nënvizoi Benedikti XVI, që i ushqejnë plagët e historisë dhe e bëjnë më të brishtë dialogun, paqen, bashkëjetesën ndërmjet popujve, respektimin e të drejtave të njeriut e, posaçërisht, të drejtën për liri fetare personale e komunitare.
Kjo e drejtë duhet garantuar, theksoi me forcë Papa, që çdo njeri të mund ta praktikojë publikisht fenë e vet, jo vetëm në terma kultuale, por edhe baritore, edukative, ndihme shoqërore e në të gjitha aspektet e nevojshme për ushtrimin e lirshëm të fesë.
Ati i Shenjtë u kërkoi pjesëmarrëve të jenë shenja të dukshme të dashurisë së krishterë, e cila gurron nga vetë Zemra e Krishtit e ia paraqet botës Kishën në identitetin e në misionin e saj më të vërtetë, në shërbimin ndaj Zotit, që është Dashuri.
Benedikti XVI kujtoi, në përfundim, Vitin e Fesë, që do t’i hapë horizonte të reja Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore dhe kërkoi ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar për Kishat Lindore në vendet amtare e në diasporë. Duke kujtuar vizitën e tij në Liban, Papa iu lut Nënës së Krishtit:
“Më ndihmoftë Ajo në shtegtimin tim që, në dashtë Zoti, do ta bëj në Liban, për të vënë vulën mbi Asamblenë e Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.